Arbëreshi Lekë Matrënga, Mësuesi që hapi shkollën e parë shqipe më, 1587 në Itali

Arbëreshi Lekë Matrënga, Mësuesi që hapi shkollën e parë shqipe më, 1587 në Itali

Jo shumë e dinë që për Kombin tonë nuk është shkolla e hapur në Korcë e para, më 1587 në Piana degli albanesi, në Sicili, arbëreshi Lekë Matrënga ish mësuesi i parë që hapi një shkollë shqipe, por që fatkeqësisht në tekstet shkollore  të arsimit në Republikën e Shqipërisë, Kosovës si edhe të Maqedonisë së Veriut  kjo shkollë nuk përmenndet.

Lekë Matrënga

Lekё Matranga,lindi me 18 janar 1569 në Horën e Arbëreshëve\Palermo Sicili. Pasi fillon studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Atanasit në Romë në vitin 1582.  Leké Matrënga kthehet në Horën Arbëreshe më 1587.

Disa informacione mbi Matrëngat, sundimtarë lokalë, zyrtarë të lartë bizantin

Matrënga ishte një familje fisnike shqiptare që gjenden për herë të parë  në dokumentat historike gjatë shekujve 13 deri 15. Anëtarët e kësaj familjeje përfshijnë sundimtarë lokalë, zyrtarë bizantin. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, një pjesë e familjes  Matrënga emigroi në Itali.

Matrëngat janë një fis fisnik që kanë qenë në zotër në zonën e Karavastasë, Lushnje. Ky mbiemër në shqip tashmë nuk egziston më, por e gjejmë sot me shumicë tek popullsia e arbëresheve  të jugut, Sicili e deri në Amerikë. Një dokument i hershëm të Raguzës 1297,flet për anëtarët e familjes Matrënga të cilët po sulmonin tregtarët raguzianë në rajonin e Lagunës së Karavastas.

Matrëngat, zotër të territorit në mes të qyteteve të Durrësit dhe të Vlorës, dhe përshkruan si subjekte të Perandorit Bizantin në atë kohë. Familja Matrënga mund të jetë bërë vasale e Perandorit Bizantin në periudhën ndërmjet 1284-1288.

Një tjetër anëtar i familjes Matrënga është Nikollë Matrënga, i cili u bë një nga katër gjyqtarët e përgjithshëm, të gjykatës më të lartë perandorake bizantine, dhe ngeli i vetëm, sepse tre të tjerë dolën të korruptuar. Ai kishte një rol të rëndësishëm në Luftën civile bizantine të viteve 1341-1347.

Mbretëria e Serbisë e cila po përparonte në atë kohë ishte një burim preokupimi i vazhdueshëm. Një pinjoll i Matrangave,  Palë Mataranga përmendet më 1319, së bashku me zotërinjtë e tjerë shqiptarë, në një koalicion me Filipin e Tarantos kundër Stefan Milutinit. Sidoqoftë territoret e tyre përfundimisht u përfshinë në Mbretërinë e Serbisë para vitit 1343.

Pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355), një tjetër pinjoll Vlash Matrënga (Blasius Matarango), vendosi një principatë në territorin midis Shkumbinit dhe Semanit.

Më (1567- 6 maj 1619) gjejmë këtë mbiemër në Piana degli Albanesi\ Sicili, emrin Don Lekë Matrënga\ Luca Matranga

Me 1710 shquhet kryepeshkopi, Bazil Matrënga,për lëvizjen e tij baziliane për njësimin e ritit kishtar lindor e perëndimor.

Për Matrëngën kanë folur shumë studiues, dje dhe sot si të Sicilisë ashtu dhe të Kalabrisë, të cilët i kanë kushtuar një rëndësi studimit të  figurës së Matrëngës si mësuesi i parë në hapjen e shkollës së  parë shqipe.

Shkolla e parë shqipe në Piana degli albanesi më 1587 nga Lekë Matrënga

Matrënga, pasi mbaron studimet në Romë ku i ishte dhënë edhe  titulli “ Mësues”, kthehet në Hora të arbëreshvet (dikur Piana degli greci (quajtur keshtu prej ritit fetar), sot Piana degli albanesi).

Matrënga, prift  i ritit bizantin, emrohet në Piana degli albanesi. Ai, vë re se lutjet fetare në latinisht nuk kuptoheshin  mirë nga popullsia homogjene arbëreshe, dhe  nis e përkthen në gjuhën shqipe “Doktrina e Krishterë, vepёr e teologut jezuit At Ledesma, (teoria e të cilit u përhap në shumë shkolla  dhe u përgatitën jezuitë nëpër Europë).

Ideja e Matrëngës është gjeniale,  sepse ai jo vetëm përkthen dhe iu spjegon shqip përmbajtjen e doktrinës, por edhe iua mëson këtë gjuhë(shqipen) si ta shkruajnë.

Kështu që më 1587,  meqënëse ishte i pajisur  me dipllomën për mësues, Matrënga hap shkollë  e parë shqipe  për arbëreshët në Hora.

Vepra  Doktrina Kristjane e përkthyer nga Matrënga mban titullin  “Embsuame e krishterët”, format ky, që  u kthue si tekst didaktik për shkollën e hapur prej tij . Në vijim një fragment përkthimi të kësaj  vepre.

Lind pyetja; Cilin alfabet  përdori Matrënga për të shkruar këtë libër?

Matrënga, e shkroi librin në një alfabet variant latin, që të ishte sa më afër gjuhës së folur të popullit të tij.

Po të analizojmë  vargjet e mësipërme do vemë re se Matrënga përdor grupin “ae” për zanoren e pazëshme që  në gjuhë shqipe  e shkruajmë “ë”, formon grupin sc(i)  që në shqipen e sotme korrespondon me shkronjën “sh”,dhe ishte i pari që përdori  shkronjën “th” shkronjën e përbërë dhëmbore (frikativen dentale).

Me shumë interes në veprën e tij janë diftongjet cg\cgh\cgi\cx,  të cilat zëvëndësojnë deri diku shkronjat e përbëra të alfabetit të alfabetit të gjuhës shqipe. Mungon shkronja “Y”, ndërsa zanorja“Ë” në formën e saj “ae” përdorej si një tingull hundor. Sot formën e saj hundore e kemi në disa zona të djalektit verior, por që ka humbur rezonancën e saj kompletamente hundore.  

Qëllimi kësaj shkolle

Nga kontributi i Matrëngës del se qëllimi kësaj shkolle ishte;

1-     Të kryente funksionin e mësimit shqip dhe të kultivimit të shkrimit në gjuhën shqipe.

2-     Arbëreshët, të cilët erdhën nga Ballkani shqipfolës, nuk arrinin të kuptonin manualët e katekizmit në italisht, për këtë motiv Matrënga më 1592 shkruan: “Desha të bija një version të Doktrinës kristjane, sepse manualët e katekizmit në italisht që qarkullonin nuk ishin të kuptueshme për besimtarët e popullsisë shqiptare”. Përkthimi i doktrinës në shqip do t’iu shërbente arbëreshëve jo vetëm si ushqim shpirtëror për vazhdimësinë e besimit  të  tyre në ritin lindor, por do ti  bënte ata  ti dallonte nga ajo latine. (Jemi në periudhën shekuj larg krijimit të Eparkive të tyre.) Në këtë formë ata ruanin identitetin dhe i shpëtonin asimilimit.

Rëndësia që pati kjo shkollë

-          Shkolla që hapi Matrënga më,1587 në Piana degli albanesi ishte e para shkollë shqipe të arbëreshët e Italisë.

-          Matrënga krijoi një alfabet, që e përshtati me gjuhën shqipe.

-          Përkthimi e veprës Doktrinën Kristjane, krijoi mundësin e përkthimit të veprave të tjera në gjuhën shqipe.

-          Matrënga krijoji një tekst didaktik, që shërbeu  për t’iu mësuar nxënësve arbëreshë gjuhën shqipe.

-          Sistemi grafik alfabetik që Lekë Matrënga vuri në përdorim rezulton i njejtë  me gjuhën e gjetur  për rreth dy shekuj në shumicën e rregjistrimeve të dokumentave administrative në Piana degli albanesit. Kjo trgon për jetëgjatësinë e kësaj  shkollë dhe pjesmarrjen e arbëreshëve në të.

-          Nëse Buzuku shkroi gegë, Matrënga shkroi në dialektin toskë.

(Nga studime të shumta  rezulton se varjantet toskë dhe gegë  përgjatë shekujve XV-XVI nuk kishin ndryshim të thellë midis tyre, gjë të cilën nuk e shohim  në shekujt në vazhdim.)

Vepra e Matrëngës “Embsuame e krishtertë” prej 28 faqesh të cilin e shtypi 20 Mars 1592 përmban një leksik të përgjithshëm prej 450 fjalësh, kështu që ai rriti numrin e leksikut tek nxënësit. Leksiku, ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, arsye e fort kjo si për shkak  të ritit grek, që  praktikonte vet Matrënga, por edhe për shkak se(mendohet) se shumë prej  arbëreshëve të Piana degli albanesi të kenë ardhur nga Peleponezi, në Sicili.

Shënim: Është për të theksuar faktin se në kontekstin kur jetuan arbëreshët e Jugut përfshirë dhe Sicilinë (sidomos ata të shekullit XIV-XVII) popullsia arbëreshe ishte e rrethuar nga një ambjent i pasur shumëgjuhësh dhe kulturash. Popullsia arbëreshe e këtyre zonave  flisnin të paktën katër gjuhë;  gjuhën e mëmës, shqipja e dikurshme,  flisnin gjuhën e ritit që ishte greqishtja, flisnin  gjuhën e të drejtës qytetare, e cila ishte latinishte, si dhe gjuha e punës ose gjuha krahinore  për shkëmbimet tregëtare. 

Vjersha e parë në gjuhën shqipe

Përkthimi që i bëri  Matrënga  “Doktrinës së Krishtertë” i dha  një stikistikë  artistike sa të bukur dhe të denjë në gjuhën shqipe, aq sa mund të konsiderohet  si Vjersha e parë (1592) në gjuhën shqipe në botën arbëreshe.

Vjersha përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer.

Përmajtja është e një  karakteri  prekës fetar, dhe  titullohet thjesht

‘Canzona spirituale’ (Këngë e përshpirtshme):

Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,

Të mirë të krështee burra e graa,

Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,

Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;

E lum kush e kujton se kaa të vdesë,

E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;

Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,

E bën për bir të ti e për vëllaa.)

Lind pyetja;Përse shkolla e Lekë Matrëngës duhet të konsiderohet si shkolla e parë shqipe. Nëpërmjet disa pikave empirike në vijim le të kuptojmë pse kjo shkollë është shkollë në të gjitha efektet e saj)

1-     Egzistojnë dokumenta për vitin e hapjes së kësaj shkolle

2-     Lekë Matrënga në fund të përfundimeve të studimeve u pajis me një dipllomë të vlefshme dhe gëzonte titullin e plotë “Mësues”

3-     Matrënga, krijoi alfabetin, varjant latin i cili ishte shumë afër me gjuhën e folur të popullit të tij.

4-     Kultivoi shkrimin e gjuhës shqipe tek popullsia arbëreshe në Sicili.

5-     Shkolla mbarte karakterin si, përcjellës e kulurës arbëreshe

6-     Karakteri ideologjik i përmbajtjes fetare të  Veprës“Embesuame e krishtertë”,(libër ky  që u përdor si tekst didaktik për mësimin,shkrimin  në gjuhën shqipe), nuk  duhet të penalizoj  aspak faktorin –shkollë, se do ishte  paradoksale me faktin se libri pranohet si vepra e parë shkruar në gjuhë shqip te arbëreshët e Italisë, e jo vetëm por edhe si vepra e dyta shkruar në gjuhën shqipe deri më sot pas Mesharit të Buzukut(?!).

Faktori tjetër që nuk penalizon karakterin e saj fetar është  se në arsimin e Republikës e Shqipërisë pas miratimit e kushtetutës së përkohshme,(1995) u synua pastrimi i sistemit arsimor nga trashëgimia dhe ndikimet e ideologjisë komuniste.  

Në shekullin kur Matrënga hapi shkollën shqipe nuk egzistonin shkollat laike, ishte istitucioni ekleziastik që kryente këto shërbime.(kujtesa  na çon se në fund të shekullit XV dhe fillimi i shekullit XVI  në të gjithë  Europën shkollat kishin karakter fetar, jemi  shekuj  larg prej  lëvizjes illuministe  francez e umanistik laik....)

7-     Piana degli Greci( sot Piana degli Albanesi), Hora e arbëreshvet  në periudhën  1488- 1819 më tepër se tre shekuj gëzonte kontekstin e  një “ kombi të vogël shqiptar”. Popullsi arbëreshe u sistemua  në një territor ex banuse, duke themeluar kështu një  popullsi homogjene krejtësisht shqiptare e cila funksiononte  si një “federatë autonome”, mjafton të kujtojmë kontratën e 30 gushtit 1488, midis shqiptarëve dhe kryepeshkopit të Monreale,ku thuhej qartësisht;

A)     Zyrat publike duhej të zinin vetëm qytetarët shqiptarë të ritit grek. Ky privilegj, i njohur vetëm për arbëreshët e Piana degli Albanesi, mbeti në fuqi nga 1488 deri në vitin 1819 gjë që  i lejoi mërgimtarët të mbronin traditat e tyre etno-gjuhësore dhe fetare.

B)     Në akordin e 30 gushtit 1488, thuhet në mënyrë të qartë, se në Piana degli Albanesi  ndalohej të hynin të huajt. Hyrja e tyre do të bëhej vetëm gjatë ditëve të para të shtatorit, gjatë festimeve për  nder të Virgjëreshës Mari,(shën Mëria  e Pianës).

Akordimi i 30 Gushtit 1488  ndihmoi dhe ofroi kontekstin edhe për hapjen e një shkollë në gjuhën shqipe.

8-      Matrenga, mbolli farën si identitet dhe etnitet, tek arbëreshët në Itali, duke dhanë kështu edhe një rol të rëndësishme në çështjen kombëtare.      

Shënim:

-          Në Piana degli albanesi\Palermo\Sicili, sot ka shkolla shqipe, administrata është  dy\gjuhësh. Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.

- Do të ishte në nder të vlerave historike që në Hora të vendosej një pllakë përkujtimore për nder të shkollës së hapur nga Lekë Matrënga më 1587.     

Reflektim,  (mbi këtë ditë të veçantë të hapjes së shkollës shqipe) Ka ardhur koha për një rishikim të hapjes së shkollave shqipe  në periudhën e Mesjetës.

- (Mendoj se meritojnë të rishikohen e të rregjistrohen në tekstet shkollore një sërë shkollash të tjera shqipe si ajo  në Himarë e viti 1628,  Kurbinit viti 1632,  në Shkodër dhe në Pllanë viti 1638,; Oroshi viti 1657; Shkollën e Janjevës në Kosovë viti 1674; Pejës, Gjakovë, Prizërenit, Stubllës së Karadakut në Kosovë etj.(Rrelazione mbi gjëndjen e Shqipërisë Veriore dhe të mesme në shek XVII, Injac Zamputi vëll I,Tiranë 1963, F, 371).

Shpresoj që mos të ngelet utopi hapja e shkollave shqipe tek Arbëreshët e Italisë, dhe në Diasporë!

-  Egziston një popull arbëror, popullsi e shek XI-XIV, e vendosur në Itali, për faktorin ottoman si edhe atë ekonomik,  të cilët flasin arbërisht, ku egziston një ligj  për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre, por që mungojnë strategji dhe projekte bilaterale midis dy shteteve për hapjen e shkollave në gjuhën e tyre arbërore. Ka ardhur koha e ndërgjegjes për të bërë një debat konstruktiv midis  palës arbëreshe dhe shqiptare në ndërrmarjen e projekteve reale. Gjëndja e asimilimit të tyre  në gjuhë sidomos në Kalabri, është vërtet alarmante. Kemi shumë pak kohë.. 

-  Egziston një gjuhë zyrtare standarde që sot flitet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, por edhe në Bujanovc, Mal të Zi, Bosnje, Kroaci, dhe në shumë hapsira të bllokut të ish Jugasllavisë etj ku shkolla në gjuhën shqipe, është çështje  kombëtare.

-   Egziston edhe një gjuhë shqipe, atë që përdorin arvanitasit në Greqi, që nuk është e njejtë me  gjuhën standarte të shqipes së sotme, dhe që ligj për mbrojtjen e saj nuk egziston,(në Greqi me  kushtetutë  nuk mbrohen “pakicat” e popullsisë, edhe pse  arvanitasit në ato troje shtrihen autoktone me shekuj me gjuhën shqipe të tyre  flitet edhe sot në ambjente familjare.  

-  Kemi shqiptarë në Ukrainë, në Bullgari, Turqi etje, ku akoma sot nuk mohojnë gjuhë e rrënjë

-  Kemi shqiptarë edhe diasporën e re në vendet e Perëndimit, si edhe popullsinë në SHBA e Kanada ku flasin shqip, të cilët kërkojnë mbështetje nga shteti shqiptar  në hapjen e shkollave shqipe, ku shumë mësues  punojnë vullnetarisht me shumë sakrifica si patriot të vërtetë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe.

Të gjithë këto territore shqiptare ku flasin shqip, kërkojnë gjuhën shqipe,  nëse do ti lëmë pa mësimin e gjuhës shqipe, gjuhën e rrënjëve të tyre, është njësoj sikur t’i heqësh nga shpirti  atdheun!

Sot në diasporë ku ka popullsi shqiptare, dhurata më e bukur që mund t’iu bëhej mësuesve e  prindërve shqiptarë në dhè të huaj do ishte hapja e shkollave shqip, ndërsa dhurata më e bukur për fëmijët  e tyre, do të ishte rregjistrimi në shkollat shqipe.

Gjuha, na mbanë rrënjët gjallë, kultura jonë na jep dinjitetin, të bashkë na bëjnë krenarinë për kombin. Sot në këtë ditë nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve të palodhur dhe prindërve të urtë shqiptarë që me vet kontribut mbajnë hapur shkollat shqipe të mësimit plotësues në shumë shtete si në Zvicër, Gjermani, Austri e shumë shtete të tjera nëpër botë të cilët bëjnë përpjekje për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën amtare shqipe tek brezat e rinj të mërgimtarëve shqiptar edhe pse larg atdheut.

-  Tashmë dëgjojmë shqipen e të rinjëve që tingëllon si anglisht, të cilën e flasin me theksin që bie në rrokjen e parë…

Nëse do të vazhdojmë të ecim kështu,mendoj se në një të nesërmen do të përfundojmë si gjuhë Hindi, apo një një koinè gjuhe me përbërje sa anglisht e shqip, italisht, greqisht e gjuhë gjermanike!   Le t’iu kujtojmë brezave se gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra në Europë,  ishte dhe është një nga gjuhët më të rëndësishme në Europë aq sa Vatikani e kishte  zgjedhur atë si gjuhë zyrtare krahas latinishtes dhe greqishtes së vjetër, prandaj nuk ka komplekse inferioriteti nëse do të përdoret, por ka krenari dhe dinjitet nëse do ta përdorim kudo që jemi.

Nuk di pse në këto momente më vjen ndërmend Shekspiri me komedinë “Nata e Dymbëdhjetë”të cilën e ambientoi në Iliri.

“Anija sapo ishte mbytur, Viola në në breg, pranë kapiteni.

-          Cili vend o mik, ëshjtë ky?

-           Kjo është Iliria, zonjë- iu përgjigj kapiteni

-           A e njeh ti këtë vend?

-          Ë-hëëëë zonjë!- ia ktheu ai”

*Ornela  Radovicka
Qëndra albanologjike studime mbi kulturen dhe gjuhën shqipe
Pranë Bibliotekës, A Bellusci\ Frascineto\ Cosenza  [email protected]

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja