Seanca e fundit parlamentare ishte një shfaqje e vogël, por me domethënie të madhe.

20 minuta show, vetëm 8 minuta diskutime, incidente dhe qeveria kalon pa debat, pyetje dhe diskutime, programin e saj qeverisës.

Ambasadorët në llozha me fytyra të prishura zënë kokat me duar.

As eksperimenti “Diella”, as mungesa e debatit parlamentar, as incidentet banale, as fjalori i ashpër, as Kushtetuta e hedhur në ajër dhe votimi për një program që nuk u paraqit, pra, absolutisht asgjë, nuk ishte dhe nuk është në përputhje me procedurën, etikën, rregulloren dhe normat kushtetuese. Kjo është "Miracle of freedom"...

Në politikë, gjithmonë pyetja më e rëndësishme është: “Me kë je?”. Në rastin e Gazment Bardhit, përgjigjja është gjithnjë e mjegullt: sot me njërin, nesër me tjetrin, pasnesër me askënd. Seanca e fundit parlamentare e tregoi këtë më qartë se kurrë. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi u hodh në skenë me shumë zhurmë, rrëmujë dhe ndërhyrje, përpara se në sallë të hynte Sali Berisha e të merrte fjalën. Protagonist dhe trim i çartur. Një moment që nuk i shpëtoi askujt që merr erë nga politika është jo pretendimi se opozita u soll ashtu siç duhej të sillej, por që G. Bardhi nuk është më në të njëjtin linjë me Berishën. Të paktën jo në atë sintoni të plotë, për të cilën ai vetë shpesh ka deklaruar se është.

Atëherë me cilin është në sintoni “i emëruari” si kryetar i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi?

Me grupin parlamentar demokrat, të cilin nuk e mblodhi dhe të diskutonin strategjinë në një seancë e cilëa duhet të ishte maratonë dhe të diskutohej për gjithçka dhe në mënyrë të plotë, pasi vetëm në dy seanca deputetët kanë mundësi të pafundme për pyetje e debat: kur diskutohet programi i qeverisë dhe kur diskutohet buxheti?

As buxheti vjet u diskutua, as programi qeverisës sivjet.

Gaz Bardhi si trim me fletë që është, nga ata burra që mbajnë mjekër që të duken burra, kreu edhe një vepër penale, goditi me Kushtetutë një koleg, (kryeministrin) dhe pastaj me rregulloren e Kuvendit.

Ndërkohë, qeveria vijoi punën me indiferencë të plotë. Programi i saj kaloi në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta, pa debat, pa kundërshtim serioz dhe me një opozitë të zënë me shfaqje të brendshme.

Seanca u mbyll dhe Edi Rama fitoi edhe një raund tjetër të ndeshjes pa mundim.

Një foto e qartë e asaj që ndodh prej kohësh: një opozitë e përçarë, e papërgatitur dhe e paqartë për strategjinë e saj. Një opozitë që me enturazhin që ka e meritonte humbjen në 11 maj.

Nëse Bardhi nuk është në linjë me Berishën, atëherë me kë është? Me Bashën nuk është, me grupin tjetër as nuk shihet, dhe me Berishën duket se po ndan më shumë mosbesim sesa vizion. Ky “askund” politik e bën të pamundur që demokratët të kenë një opozitë të organizuar, pa folur për shpresën për pushtet. Por pikërisht ky “askund” dëshmon qartë pazarin në kurriz të demokratëve. Pazarin që bëjnë një kastë “opozitarësh” të pasur, arrogantë, të gjithëpushtetshëm, por me mungesë aspiratat, parimesh, mungesë respekti për “Europën”, shtetin, imazhin, demokracinë, Kushtetutën dhe Tjetrin.

E vërteta është se G. Bardhi nuk duket se është më as me Berishën, as me Bashën, as me ndonjë grup tjetër. Ai është një udhëtar i përhershëm politik, që shkon drejt asgjësë me bindjen se po shkon drejt lavdisë.

Me këtë kastë politikanësh, PD duket se ka humbur jo vetëm gjuhën e përbashkët, por edhe aftësinë për të sfiduar seriozisht qeverinë. Ndërsa Rama bën ligjin në 25 minuta, demokratët vazhdojnë të harxhojnë orë të tëra duke mos gjetur dot se kush është me kë dhe kush udhëheq kë.

E thënë troç: me këtë opozitë, pushteti nuk vjen më për PD.

Gazment Bardhi është vetëm një nga simptomat e një sëmundjeje më të madhe që e ka kapur PD-në.