/ATSH- I. Vata/-Bashkëshortja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ariel Ahart, zhvilloi sot një vizitë në mjediset e Institutit të Shëndetit Publik, ku pati një bisedë me Drejtorin e Përgjithshëm të ISHP-së, Arjan Bregu.
Qëllimi i kësaj vizite ishte prezantimi i punës së Institutit të Shëndetit Publik dhe mundësia e bashkëpunimit me znj. Ahart, për përmirësimin e cilësisë së shërbimit që ofron ISHP.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Arjan Bregu, pasi falënderoi znj. Ahart për pranimin e ftesës për këtë vizitë, bëri një prezantim të shkurtër mbi misionin e ISHP-së, funksionin dhe strukturën e tij dhe u ndal  në mënyrë të veçantë në sfidat me të cilat po përballet aktualisht ISHP lidhur me përmirësimin e sistemit të raportimit dhe informacionit, veçanërisht për krijimin e regjistrave të sëmundjeve kronike, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve në Shqipëri.
Ahart në fjalën e saj, shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në të gjitha fushat për të cilat ajo ka eksperiencë dhe që do të përmirësonin performancën e ISHP-së duke shpresuar që ky takim do të jetë vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm. Po ashtu, Ahart, e shoqëruar edhe nga drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik, vizitoi edhe disa nga laboratorët e ISHP-së.
Ariel Ahart me eksperiencë dhe mbartëse e titullit doktoraturë në Shëndet Publik nga Universiteti i Shëndetit Publik Johns Hopkins ka një eksperiencë 20 vjeçare në këtë fushë, të tilla si, kërkim shkencor, dizenjim dhe vlerësim  programesh në fushën e shëndetit riprodhues dhe dhunës me bazë gjinore,  dizenjim dhe kryerje studimesh cilësore, këshilltare teknike në zhvillimin e programeve parandaluese për HIV/AIDS.