Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar sot dënimin me 10 muaj burg për ish-zv. ministren e Brendshme, Rovena Vodën, e cila u vu në pranga pasi mori ryshfet për të punësuar një person në ministri. Voda u dënua me 1 vit e 3 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish-zv.ministrja vuajti dënimin me 10 muaj në qeli, i cili u shua që në korrik dhe Voda është e lirë dhe vijonte betejën për drejtësi. Po ashtu edhe dy të pandehurat e tjera, Florida Beu dhe Majlinda Hasanin janë dënuar me nga 10 muaj burg.
Kujtojmë se SPAK kërkoi dënimin me 1 vit e 6muaj burg për ish-zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda dhe nga 15 muaj për Florida Beun dhe Majlinda Hasanin.
Sipas SPAK, Voda ka kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit për të favorizuar e punësuar në shtet Florida Beun nëpërmjet lidhjeve që kishte me avokaten Majlinda Hasani. Rovena Voda ra në 'rrjetën' e SPAK nga përgjimet që kishin për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua në Kavajë nën akuzën e korrupsionit. Nga hetimet e kryera nga SPAK, nga përgjimet rezultoi se Rovena Voda ka pranuar nga avokatja Florida Beu 2 mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk për punësimin e saj në Ministrinë e Brendshme, por që në fund procedura mbeti në mes.
Sipas dosjes hetimore Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren. Marrja e eurove dhe të mira materiale u filmuan, përgjuan dhe fotografuan nga SPAK, duke çuar në pranga Vodën.