Shumë fëmijë shqiptarë janë rritur me aventurat e Çufos, personazhit të animuar që prej më shumë se katër dekadash është pjesë e kujtimeve të disa brezave. Tashmë, filmi "Ndodhitë e Çufos", prodhim i Kinostudios "Shqipëria e Re" i vitit 1982, do të rikthehet në një version të restauruar, në kuadër të nismës "Adopto një Film për Restaurim", së cilës i është bashkuar edhe regjisori Eduart Grishaj.
Lajmi u bë i ditur nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, i cili falënderoi Grishajn për mbështetjen e dhënë dhe njoftoi se filmi i restauruar do të prezantohet së shpejti në një premierë.
"Ndodhitë e Çufos" është një film i animuar me metrazh të shkurtër për fëmijë, me skenar të Gaqo Bushakës dhe regji të Vlash Drobonikut. Muzika është kompozuar nga Limos Dizdari, operator është Tomi Vaso, montazhi është realizuar nga Perihan (Peri) Mato, ndërsa zërin e personazheve e interpreton Flora Uka.
Filmi rrëfen historinë e Çufos, një derrkuc kureshtar që hyn në një kopsht dhe këput mollë, ndonëse kjo është e ndaluar. Pasi kapet nga roja i kopshtit, ai dërgohet te mësuesja e klasës, ku përballet me situata dhe ngjarje të tjera.
Restaurimi i "Ndodhitë e Çufos" është pjesë e nismës "Adopto një Film për Restaurim", përmes së cilës Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit synon të ruajë dhe të rikthejë në ekran filma të rëndësishëm të trashëgimisë kinematografike shqiptare.
Komente










