Armando Broja do mungojë për tre muajt e ardhshëm dhe nuk do jetë i gatshëm për Evertonin dhe Kombëtaren. Dëmtimi i ligamenteve të kyçit të djathtë të këmbës ka bërë që lëndimet të jenë një makth i vërtetë për 23-vjeçarin, që vitet e fundit më shumë i ka kaluar në infermieri sesa në fushën e lojës.
Si të mos mjaftonte dëmtimi i ri, Broja duket në udhëkryq për të ardhmen. Me kontratë te Chelsea deri në verën e 2028, sulmuesi luan te Everton në huazim dhe trajneri David Moyes hodhi idenë e rikthimit të tij te klubi mëmë, pasi duket se edhe pasi të kalojë lëndimin koha e rikuperimit do jetë më e gjatë dhe mund të jetë i gatshëm vetëm për muajin maj, kur luhen javët e fundit në Premier League.
Kjo situatë ka bërë që Everton dhe Chelsea të kenë një përplasje në distancë. Lojtari do duhet të rikuperohet dhe deri në fundin e sezonit është pjesë e Everton, ndërsa klubi nga Liverpool dëshiron të heqë përgjegjësitë.
Duket se paga për këto muaj është problemi mes Chelsea dhe Everton, që ende nuk e kanë të qartë mënyrën si do të veprojnë me çështjen Broja.