Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur memorandumin e mirëkuptimit, duke qenë se luftimet në Liban vazhdojnë, dhe ka njoftuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Lajmi u bë i ditur nga televizioni shtetëror, i cili citoi një deklaratë të Shtabit Qendror të Ushtrisë Iraniane, Khatam al-Anbiya Central Headquarters.

"Në përgjigje të shkeljes së pandërprerë dhe të vazhdueshme të armëpushimit nga regjimi sionist në Libanin jugor, të masakrës së pamëshirshme dhe shkatërrimit të qindra mijëra njerëzve të shtypur të kësaj toke, si dhe të mos tërheqjes së forcave pushtuese sioniste nga territoret e Libanit jugor", komanda "njofton se Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet për kalimin e anijeve", raportoi televizioni.

Ushtria iraniane thotë se "kjo masë e parë përbën një përgjigje ndaj shkeljes së angazhimeve nga armiku dhe, në rast të vazhdimit të shkeljeve, do të pasojnë masa të tjera", paralajmëron deklarata.

Pas lajmit për mbylljen e Hormuzit, zëvendëspresidenti i SHBA-së, J. D. Vance, u shpreh i bindur se armëpushimi me Iranin mund të qëndrojë, duke deklaruar se nuk ka prova që Irani po e mbyll Ngushticën e Hormuzit. Në Fox News, Vance deklaroi se "gjërat po shkojnë mirë" dhe shtoi se Uashingtoni synon t'u japë një mundësi negociatave me Iranin.

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J. D. Vance, deklaroi të shtunën në një intervistë për Fox News se parashikon të udhëtojë së shpejti në Zvicër për bisedime me Iranin. "Parashikoj të nisem brenda disa ditësh", tha Vance, por pa specifikuar më shumë.

Edhe Irani konfirmoi se ekipi negociator i Republikës Islamike do të udhëtojë drejt Zvicrës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se udhëtimi synon të kërkojë dhe të ndjekë zbatimin e angazhimeve të palës tjetër, sepse kriteri kryesor për të vlerësuar çdo marrëveshje është faza e zbatimit të saj.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të detyruara ta detyrojnë Izraelin të ndalojë sulmet ndaj Libanit dhe se, nëse SHBA refuzon të zbatojë angazhimet e saj, "ne do të përgjigjemi me masat e nevojshme".

Ministri i Jashtëm, Aragchi, do t’i bashkohet në Zvicër delegacionit amerikan të përbërë nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:03
Teherani: Hormuzi i mbyllur derisa të lirohen 12 miliardë dollarë asete

Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e mbyllur derisa të përmbushen disa kushte të përcaktuara në Memorandumin e Mirëkuptimit (MM) Iran-SHBA, duke përfshirë lirimin e të paktën 12 miliardë dollarëve në asete iraniane, zbatimin e heqjeve nga sanksionet e naftës dhe tërheqjen e Izraelit nga Libani, raportoi agjencia e lajmeve Tasnim.

Sipas agjencisë, rihapja e Ngushticës vetëm në këmbim të heqjes së bllokadës detare amerikane do të ishte një "gabim strategjik" dhe një shkelje e Memorandumit të Mirëkuptimit (MM) Iran-SHBA. Tasnim shkruan se Ngushtica duhet të mbetet e mbyllur derisa të zbatohen plotësisht të gjitha kërkesat, duke përfshirë tërheqjen e Izraelit nga Libani.

Ora 20:55
Netanyahu: Izraeli do të qëndrojë në Libanin jugor për aq kohë sa të jetë e nevojshme

1780343640_benjaminnetanyahu.jpg

Foto: Benjamin Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli do të qëndrojë në Libanin jugor "për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur kufijtë e tij perëndimorë".

Kryeministri udhëzoi IDF-në që "të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi të Hezbollahut dhe të ndërmarrë veprime për të larguar kërcënimet ndaj forcave tona".

“Nëse Hezbollahu na sulmon përsëri, ne do të godasim përsëri me forcë”, tha ai.

Ora 18:03
Hezbollahu: Izraeli mban përgjegjësi të plotë për shkeljet e armëpushimit

Grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, Hezbollah, deklaroi se Izraeli mban "përgjegjësi të plotë" për shkeljen e armëpushimit,

ndërsa sulmet izraelite vazhduan të godisnin Libanin jugor dhe lindor. Sulmet e vazhdueshme izraelite "nuk janë më vetëm shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, por përfaqësojnë agresion të qartë dhe një vazhdim të luftës në çdo kuptim. Si pasojë, përgjegjësia e plotë i takon pushtimit izraelit", tha grupi në një deklaratë. Izraeli "nuk i ka respektuar kurrë dispozitat e armëpushimit", duke përfshirë marrëveshjen e fundit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe njoftimin e së premtes.

Ora 17:32
SHBA: 55 anije kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit

1781539325_ngushticaehormuzit.JPG

Ushtria amerikane mbetet "vigjilente" në zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit me Iranin, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së për Lindjen e Mesme (CENTCOM), pas njoftimit të Teheranit për një mbyllje të re të Ngushticës së Hormuzit në përgjigje të sulmeve izraelite në Liban. Sipas CENTCOM, pavarësisht kërcënimeve iraniane, trafiku detar përmes kalimit strategjik vazhdoi normalisht të shtunën. Një total prej 55 anijesh tregtare kaluan nëpër ngushticë në mënyrë të sigurt.

Ora 17:29
Mediat: Zv,presidenti Vance do të udhëtojë sot për në Zvicër

1780989451_jdvance.webp

Sipas një zyrtari amerikan, të cituar nga CNN, zëvendëspresidenti J.D. Vance pritet të udhëtojë sot për në Zvicër për të filluar përgatitjet për bisedime me Iranin. Ora e largimit të tij nuk dihet ende. I dërguari amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, janë tashmë atje për të trajtuar aspektet teknike të negociatave, të cilat janë penguar nga përplasjet e vazhdueshme midis forcave izraelite dhe Hezbollahut në Liban. "Ne do t'i caktojmë bisedimet kur të mbërrijnë përfaqësuesit e qeverive iraniane, katarase dhe pakistaneze", tha Vance në një intervistë me Fox News të shtunën në mëngjes, kur u pyet për planet e tij. "Mund të ndodhë që nesër, por këto gjëra janë gjithmonë në zhvillim e sipër", shtoi ai.

Ora 17:04
Pasdaran paralajmëron: Mos i lini anijet t'i afrohen Hormuzit ose do të jenë në rrezik

1781539325_ngushticaehormuzit.JPG

Marina e Gardës Revolucionare Islamike ka paralajmëruar që anijet të cilat ndodhen në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit të mos i afrohen Hormuzit.

"Në dritën e krimeve të kryera nga regjimi sionist në Liban dhe shkeljes së angazhimeve të armëpushimit të SHBA-së, Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur për të gjitha anijet. Anijet nuk duhet t'i afrohen Ngushticës së Hormuzit. Përndryshe, siguria e tyre do të vihet në rrezik", thanë ata në një deklaratë.