Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkvi i ri i Dioqezës Shkodër- Pult ka bërë sot hyrjen zyrtare duke mbajtur meshën e parë në katedralen “Shën Shtjefni”. Para besimtarëve, priftërinjve dhe zyrtarëve lokalë, Imzot Peragine theksoi se është e nevojshme që e gjithë kisha dioqezane të rivlerësojë rrugëtimin ekzistues dhe të ndërmarrë nisma të reja që përkrahin bashkimin.
“Mendoj, para së gjithash, për bashkimin mes klerit, rregulltarëve dhe ipeshkvit dhe vëllazërisë meshtarake. Falë Zotit, kjo dioqezë është bekuar nga dhurata e thirrjeve të shumta meshtarake vendase, të cilat përfaqësojnë një thesar të çmuar për ungjillëzimin, së bashku me praninë e misionarëve të tjerë. Shembulli i meshtarëve shqiptarë martirë, të cilët me flijimin e jetës së tyre kanë treguar besnikëri ndaj Krishtit, ndaj Popullit të Hyjit që iu qe besuar dhe ndaj atdheut të tyre, bën që besimtarët e shumtë ta ruajnë në mendimet e tyre figurën e meshtarit si njeri i Hyjit në shërbim të Kishës”, u shpreh Imzot Peraginne.
Arqipeshkvi u ndal tek problemet e vështirësitë me të cilat po përballet vendi që nga plaga e korrupsionit te format e shumta të padrejtësive sociale, mungesa e shpresës për të ardhmen, veçanërisht te të rinjtë. Edhe kisha, - theksoi Peragine, - përjeton momente lodhjeje dhe mungesë të besimit.
“Në këto dhe situata të tjera, së bashku me ju bëhem “shtegtar i shpresës” në mënyrë që të gjithë të mund ta bëjmë përvojën e një “takimi të gjallë e personal me Zotin Jezus”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci i ka uruar mirëseardhjen Arqipeshkvit të ri, pa harruar të shprehë mirënjohjen për paraardhësin e tij, Monsinjor Angelo Massafra, për të cilin tha se në kohë të mira dhe të vështira për këtë vend, kontribuoi në forcimin e harmonisë ndërfetare.
“Ky popull respekton dhe do t’i përgjigjet me dashuri dialogut ndërfetar dhe paraqitet si model harmoni mes feve, ashtu siç e shprehu Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014”, tha Beci.
Imzot Giovanni Peragine është Arqipeshkvi i 71-të i Shkodrës dhe zëvendëson në këtë detyrë Imzot Angelo Massafrën i cili mbylli shërbesën e tij prej 3 dekadash.