TIRANË, 15 Shtator /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka reaguar sot nëpërmjet një postimi në rrjetin social "Facebook" pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për "Arrest shtëpie" të Guvernatorit te BSH, Ardian Fullani.
"E nxorrën!! Nuk mund ta mbanin dot më!!", shkruan Braçe në postimin e tij, duke shtuar më tej, se "kjo është gjykata në Shqipëri; Inspektorin e Përgjithshëm e lanë në burg, inventarizuesit e parave të vjedhura që nuk zbuluan vjedhjen i liruan, njeriun që i emëroi inventarizues të parave të vjedhura që nuk u zbuluan, sërish e liruan!!"
"Turp e faqja e zezë!! Kjo vetëm drejtësi nuk është!! Kjo është kështu: Kush ka shokë me pushtet politik, mediatik, ekonomik, kush ka pjesë në Gjykatën e Lartë, në fund-kush ka para pa hesap, del nga burgu!! Kush është i lidhur me të, del nga burgu!! Të tjerët jo!!", vijon deputeti socialist në reagimin e tij.
"Ky është pushteti real në këtë vend!!", përfundon reagimin e tij Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. /a.ke/