Në një konferencë për shtyp, Sali Berisha ka reaguar lidhur me masën e arrestit për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hysenin, duke u shprehur se ajo ka “shkelur betimin dhe ligjin”, një akt që sipas kryedemokratit, s’ka nivel më të ulët tradhtie.

“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Sot prokuroria ka lëshuar urdhër arrest për Vlora Hysenin, shefen e shërbimit informativ kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky.

Më tej, Berisha përmend disa raste ku ka denoncuar Hysenin që në vitin 2024 duke u shprehur se ajo kishte urdhëruar drejtoritë që mos të përcillnin asnjë informacion pa e dërguar më parë te Rama.

"Edi Rama nuk kishte kurrë të drejtë të bllokonte komunikimin ligjor, të diktuar nga ligji, midis institucioneve në luftën kundër krimit. Këto informacione duhej që shërbimi informativ t’ua kalonte automatikisht sipas rastit Policisë së Shtetit, në rastin tjetër SPAK-ut, në rastin tjetër Prokurorisë së Tiranës dhe me radhë. Nuk kanë asnjë lidhje me personin e kryeministrit dhe kryeministri nuk ka asnjë tagër të bllokojë këtë komunikim në funksion të sigurisë kombëtare", tha Berisha.

Ai e quan bashkëpunëtore të Ergys Agasit ndërsa shërbimi informativ është treguar “symbyllur” ndaj drejtoreshës së institucionit.

“Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera.  Por një gjë duhet ta dinë shqiptarët, shërbimi informativ, i cili për hir të së vërtetës paguhet dhe ka detyra të mbikëqyrë veprimtaritë e dyshimta të cilitdo, në rastin e drejtorit të vet, ishte symbyllur komplet.  Symbyllur komplet!”, thotë Berisha.

Më tej shtoi se ka denoncuar bashkëpunimin mes kreut të inteligjencës dhe biznesmenit duke u shprehur se ishte ky i fundit ai që kontrollonte SHISH. Ai kërkon arrestimin e Ramës dhe të Hysenit.

“Edi Rama, i cili kishte informacion të plotë, por që me qëllim kishte dorëzuar shërbimin informativ tek krimi, tek bandat, është de facto sot njeriu më i paligjshëm në Shqipëri. Mandati i arrestit për Edi Ramën është mandati që duhet t’ia presin shqiptarët sa më parë. Kurse për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është me shërbim jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërim të Edi Ramës, u bëj thirrje FBI-së dhe policisë së SHBA ta arrestojnë jo vetëm si një kriminele ordinere, anëtare të një organizate kriminale më të rrezikshme në Evropë, por ta arrestojë edhe si një person, e cila me grupin e vet, si anëtare grupi, ka përbërë një kërcënim real të vërtetë për aleancën e Atlantikut të Veriut”, tha Berisha.


Lajmi kryesor:

REAGIMET/ Arresti për drejtoreshën e SHISH, Berisha: Akt tradhtie, informacionet edhe armiqve të NATO-s, jo vetëm krimit! PL: Ra siguria kombëtare