Arrestimi i Fatos Tushes nga SPAK, Këshilli Bashkiak i Lushnjes i jep detyrën nënkryetares
Eriselda Sefa është komanduar nga Këshilli Bashkiak për të marrë drejtimin e Bashkisë së Lushnjes, pas arrestimit nga SPAK të Fatos Tushe për shpërdorim detyre. Vendimi është marrë ditën e sotme, ku gara fillimisht ishte mes dy nënkryetarëve, Eriselda Sefës dhe Gentian Nushi. Ky i fundit duke qenë se mban edhe postin e kryetarit të PS për Bashkinë Lushnje u tërheq nga gara, duke lënë mundësinë e votimit vetëm për Eriselda Sefa.
Redaksia 16 Korrik 2021, 11:11 | Përditesimi: 16 Korrik 2021, 14:00
LUSHNJE- Eriselda Sefa është komanduar nga Këshilli Bashkiak për të marrë drejtimin e Bashkisë së Lushnjes, pas arrestimit nga SPAK të Fatos Tushe për shpërdorim detyre. Vendimi është marrë ditën e sotme, ku gara fillimisht ishte mes dy nënkryetarëve, Eriselda Sefës dhe Gentian Nushi. Ky i fundit duke qenë se mban edhe postin e kryetarit të PS për Bashkinë Lushnje u tërheq nga gara, duke lënë mundësinë e votimit vetëm për Eriselda Sefa.
Fatos Tushe u arrestua më 6 korrik, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga një kompani EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet dhe fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Murati dhe në fund paratë i ndanin bashkë.
Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.
Tushe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.