Nëse në fushë fliste pak, por kuptohej shumë mirë, edhe në jetën private Franco Baresi ruajti deri në fund një profil tepër të rezervuar. Edhe për sa i përket sëmundjes së tij, ai zgjodhi ta mbante gjithçka larg vëmendjes publike, duke mbrojtur privatësinë që e shoqëroi përherë, në kontrast me famën dhe sukseset e fituara gjatë 20 viteve me Milanin dhe kombëtaren italiane. I martuar prej shumë vitesh me Maura Laurin, ata kishte dy djem, Edoardon, i lindur në vitin 1991 në Mexico City dhe Giannandrean, i ardhur në familje në vitin 1997, me origjinë ruse dhe i birësuar nga çifti. Larg futbollit ai përjetoi edhe momente të vështira, por gjithmonë i përballoi me përulësinë dhe qetësinë e një njeriu që dinte të fitonte betejat e veta.
Franco Baresi, një jetë private nën shenjën e përulësisë
Franco Baresi gjithmonë la që fusha të fliste në vend të thashethemeve dhe pasi u tërhoq nga futbolli, fjala kyçe e jetës së tij dhe e familjes së tij ishte vetëm një, privatësi. Një njeri serioz dhe shumë i rezervuar, së bashku me bashkëshorten Maura Lauri zgjodhën të qëndronin sa më larg vëmendjes publike dhe të shfaqeshin vetëm në raste të veçanta, si në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 apo në intervista shumë të rralla, shpesh të lidhura me Milanin, klub me të cilin ruajti një marrëdhënie shumë të fortë edhe pas përfundimit të karrierës.
Kjo zgjedhje jetese u reflektua edhe te familja. Për dy djemtë e tij dihet shumë pak, Edoardo dhe Giannandrea kanë zgjedhur të jetojnë larg botës së spektaklit dhe sportit, pa ndjekur gjurmët e të atit. Informacionet mbi jetën dhe karrierën e tyre profesionale janë të pakta, ashtu si edhe daljet publike. Familja Baresi u rikthye në qendër të vëmendjes vetëm në disa raste për shkak të problemeve ekonomike dhe financiare që e përfshinë.
Franco Baresi dhe vështirësitë ekonomike, gjithmonë me kokën lart
Bëri shumë bujë, për shembull, akuza e ngritur ndaj bashkëshortes së tij Maura Lauri në vitin 2005, kur ajo u arrestua me akuzën për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me qëllim mashtrimin. Sipas hetuesve, ajo kishte përdorur rrjetin e saj të kontakteve për të afruar viktima mes personazheve VIP në një çështje që lidhej me tregtinë e makinave luksoze në operacionin “Prestige Cars”. Në fund, megjithatë, ajo u shpall plotësisht e pafajshme.
Më herët, emri i Franco Baresit ishte lidhur edhe me një tjetër histori të pakëndshme, në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, për shkak të kolapsit të bankës së vogël Credieuronord, e themeluar në vitin 2000 dhe e zhytur shumë shpejt në borxhe. Emri i Baresit figuronte mes klientëve të njohur që humbën shuma të konsiderueshme parash dhe garanci të dhëna përmes ndërmjetësve dhe këshilltarëve të papërshtatshëm.
Problemet me drejtësinë
Vetë Franco Baresi u përfshi gjithashtu në një hetim ndaj një galeristi arti nga Torino, të cilit i ishin vjedhur piktura me vlerë, të cilat sipas akuzës kishin kaluar në banesën e ish-futbollistit për të shërbyer si “garanci” dhe për të rritur vlerën e tyre në treg. Për ta mbyllur çështjen dhe për të shmangur një proces të gjatë gjyqësor, Baresi pranoi një marrëveshje me drejtësinë.
Lidhja e pandashme me Milanin, streha e sigurt e Franco Baresit
Të gjitha këto ngjarje bënë që lidhja e tij me Milanin të forcohej edhe më shumë. Klubi kuqezi nuk e braktisi kurrë simbolin e tij, fillimisht Baresi u bë trajner i ekipeve të moshave, më pas zëvendëspresident nderi, duke gjetur kështu stabilitet profesional dhe siguri ekonomike. /Ilgiorno.it
Lajmi kryesor:
Lamtumirë Franco Baresi! Mbrojtësi kampion që bëri histori me Milanin ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare






