Opozita ka përgatitur një video me fragmente nga mënyra se si u transmetua në mediat ndërkombëtare arrestimi i ish zyrtarit të FBI Charles McGonagil dhe akuzat që rëndojnë me të. Mes tyre përfshihet edhe fshehja e 225 mijë dollarëve që mori nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare.

Klevis Balliu thotë se mbarë bota diskuton për skandal ku përfshijen fijet e KGB agjentë të dyfishtë dhe sipas tij Edi Rama kishte rol themelor. Në daljen për mediat, Balliu krahasoi Ramën me Oleg Deripaskën, oligarkun rus i cili dyshohet se paguante agjentin e FBI-së për t’i hequr sanksionet.

Balliu thotë se PD dënon aktet e tradhëtisë që pretendon se ka kryer Rama ndaj Shqipërisë dhe SHBA.

“Sot në mbarë botën diskutohet, analizohet dhe hetohet për një skandal global agjenturor, ku përfshihen fijet e KGB me agjentë të dyfishte, në të cilin është i përfshirë, i përmendur dhe me një rol themelor në Edi Rama.  Ndryshe nga bota, në Shqipëri kërkohet mbulimi dhe jo hetimi, kërkohet heshtja dhe jo diskutimi, kërkohet dezinformimi dhe jo informimi. Në këtë video ju tregojmë vetëm disa nga qindra kronikat që po transmetohen sot në mediat globale.

Siç e shikoni nuk është Opozita që akuzon Edi Ramën për përfshirjen në një aferë agjenturore por dosja hetimore e SHBA.  Në bazë të kësaj dosje Edi Rama ka paguar një agjent të dyfishtë për të ekzekutuar opozitarizmin dhe bashkë me të dhe demokracinë në Shqipëri.  

Për të njëjtat shërbime agjenti McGonigal është paguar dhe nga oligarku i Putinit që është investitor strategjik i Rames. Rama dhe Oleg  Deripaska kanë të njëjtat forma të mbajtjes së pushtetit, qe burojne nga mbytja e kundërshtarit. Në një vend normal sot Drejtësia do të kishte reaguar dhe hetuar, por këtu ka një heshtje të turpshme.

Partia Demokratike dënon këto akte tradhëtie të Ramës ndaj Shqipërisë, pluralizmit por dhe aleatëve të përhershëm të Shqipërisë, SHBA, të cilat Edi Rama nuk i informoi për kërkesat e agjentit rusofil për oligarkun e Putinit të sanksionuar për krime  nga pastrimi i parave deri tek vrasja e një biznesmeni. 

Partia Demokratike siguron aleatët që vendi ynë dhe populli jonë mbeten të palëkundur në çuarjen para të axhendës euroatlantike, e cila çliron botën nga diktatura dhe fijet agjenturore të KGB. Sot të gjithë duhet të bashkohemi për të rrëzuar Edin e Putinit, i cili kërkon asgjësimin e pluralizmit për të rikthyer regjimin sovjetik të Enver Hoxhës”, tha Balliu.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal  po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.