Arsenali ka regjistruar një fitore bindëse në udhëtim ndaj Leeds United, duke triumfuar me rezultatin të thellë 0-4 në kuadër të raundit të 24-t të Premier League në futbollin anglez. Skuadra e Mikel Artetës kishte tre ndeshje pa fitore.

‘Topçinjtë’ dominuan takimin që në fillim dhe kaluan në avantazh në minutën e 27-të, kur Martin Zubimendi shënoi me kokë pas harkimit të saktë nga Noni Madueke. Ky i fundit ishte protagonist edhe te goli i dytë në minutën e 38-të. Krosimi i tij nga këndi përfundoi në rrjetë, por pasi topi u devijua me kokë nga portieri Darlow.

Në pjesën e dytë, Arsenali vazhdoi me ritëm të lartë dhe në minutën e 69-të suedezi Viktor Gyokeres ‘vulosi’ fitoren pas një asistimi nga Gabriel Martinelli. Në fund, në minutën e 86-të, Gabriel Jesus realizoi një gol spektakolar, duke dribluar mbrojtësin dhe më pas edhe portierin e Leedsit.

Me këtë fitore, Arsenali mbetet lider i Premier League me 53 pikë, ndërsa Leeds United vazhdon të luftojë për mbijetesë, duke u renditur në pozitën e 16-të me 26 pikë.