TIRANË 6 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Arsimi shqiptar duhet të zbatojë një model të qendrushëm nga i cili të dalin profesionistë të vërtetë. Keshtu tha të hënën pasdite Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në konferencën rajonale "Mbi aftësimin profesional dhe rolin e arsimit profesional në zhvillimin e vendit".
Në praninë e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia, Kryeministri Rama në fjalën e tij vuri theksin tek nevoja që ka vendi për një model arsimor të qendrueshëm.
Kryeministri Rama duke garantuar se modeli arsimor në vend do të shkojë drejt zhvillimit, ashtu si dhe i gjithë vendi, theksoi se duhen trajnime profesionale për të rinjtë, për të gjeneruar më shumë mundësi për zhvillim. "Është mjaft e rëndësishme që të aplikohet një model që të jetë i qëndrueshëm. Gjatë këtyre viteve është aplikuar një model që çdo njeri mund të bëhej jurist, avokat, apo ekonomist, pra çdokush mund të vazhdonte universitetin pa kaluar një herë në disa procedura dhe kjo duhet të ndryshojë", nënvizoi Kryeministri.
Rama në fjalën e tij theksoi se Shqipëria ka humbur shumë kohë duke ndërtuar një model jo efiçent. "Tashmë ka ardhur koha të ndërtojmë diçka cilësore. Vendi yne duhet të shkojë drejt zhvillimit dhe ky zhvillim vjen edhe përmes modelit të arsimimit. Ne e kemi mësuar keq brezin e ri, i kemi mësuar se po të ketë një diplomë mund të jetosh shumë mire, por kjo nuk është e vërtete, prandaj duhet të fokusojmë brezin e ri tek profesionalizmi", tha Rama.
Deri më sot, shtoi ai, kemi mësuar brezin e ri të fokusohet tek teoria. "Strategjia e universiteteve ka qenë shumë e gabuar. Duhet të fokusohemi se si ta përputhim sektorin privat mbi arsimimin, të mësojnë diçka të vlefshme. Është mësuar në teori se si të rregullojmë një defekt elektrik, por jo në praktikë. Ka pasur deklarata të bukura, ndërtesa të bukura, por mungonte lidhja e vërtetë e procesit te të mësuarit me atë të vepruarit. Prandaj ndërtimi i një modeli ku të ndërthurren praktika me teorinë është mjaft e rëndësishme në krijimin e profesionistëve të rinj", tha Rama. "Një diplomë nuk të jep atë se çfarë ti kërkon nëse ti nuk ke atë se çfarë kërkon tregu", u shpreh Kryeministri.
Në konferencën për arsimin profesional ishte i pranishëm dhe ministri i Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili ne fjalen e tij  theksoi se "produktiviteti i fuqisë tonë punëtore, aftësia e saj për t'iu përgjigjur nevojave të ekonomisë sonë sot dhe nesër, e vendosin rritjen e cilësisë së sistemit tonë të arsimit dhe formimit profesional në qendër të vëmendjes sonë". Sipas tij, nga viti 2004, përqindja e nxënësve në sistemin e arsimit profesional nuk rreshti së uluri, duke arritur deri në 17 për qind në vitin 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet.
"Nga 130 mijë nxënës që ndjekin gjimnazin në Shqipëri, në arsimin profesional shkonin më pak se 20 mijë. Më lejoni të kujtoj që në një vend të zhvilluar si Zvicra, kjo përqindje shkon deri në 65 për qind" u shpreh ministri Veliaj.
Sipas tij, hapja e 10 zyrave të reja të punës, përfshirë dhe fushatën e gjerë të komunikimit, ka rritur në 40 % numrin e studentëve të regjistuar në vitin e parë në sistemin e arsimit profesional, krahasuar me ata që mbaruan vitin e parë vjet. /a.ke/