TIRANE- Akademiku Artan Fuga thotë se Radio Televizioni Shqiptar duhet t’i kalojë publikut dhe jo të kalojë “dorë më dorë”. Duke iu referuar kontrollit të RTSH nga forca politike që ka pushtetin, Artan Fuga i ftuar në emisionin “Tete a tete” në “A1 Report”, thotë se ky sistem duhet të ndryshojë, duke i dhënë 40-49 % të aksioneve privatëve të ndryshëm. Sa i takon reformimit të këtij institucioni, akademiku Fuga sjell si shembuj modelet e mediave publike dhe private në vendet nordike, lidhur me mënyrën e pasqyrimit në televizione të interesave të vetë qytetarëve.
 
“Historia e RTSH dhe media publike në këto 22 vjet ka shoqëruar raportet e pushtetit. Forca politike që ka pushtetin dhe qeverinë kontrollon dhe agjencinë rregullatore të medias, dhe pastaj edhe radio- televizionin, nëpërmjet kontrollit dhe influencën mbizotëruese që ka në Këshillin Drejtues të RTSh, dhe më pas me instancat që ka. Ka një mentalitet në publikun shqiptar se “përderisa qeveria i jep buxhetin, nuk mund të përjashtohet kontrolli”. Këtu fillon çarja. Paratë janë të qytetarit, nga taksat e tyre, edhe mënyra e kontrollit duhet të përkthejë këtë koncept të përgjithshëm. Pra TVSh duhet të përçojë zërin e publikut dhe jo të qeverisë”, tha Fuga.
 
Më tej, Fuga tha se media publike është më efikase dhe në interes të publikut në rastet kur jo vetëm pasqyron dhe promovon punën e qeverisë, por edhe e kritikon atë.
 
“Po të analizojmë përqasjet shkencore dhe publike që i bëhet mediave publike dhe raportet e tyre me qeverinë, në studimet evropiane e amerikane, matet a është vija e këtyre televizioneve me vijën e qeverisë. Por nuk është e tillë, pasi qeveria ka një politikë të caktuar. E mira publike e medieve publike është që këtë punë të qeverisë ta kritikojë”, u shpreh Fuga.
 
A mund ta realizojmë ne këtë? A mund ta kthejmë RTSH në një institucion në interes të publikut pa qenë në interes të qeverisë?
Artan Fuga: Me këtë mënyrë organizimi që ne kemi është e pamundur. Në këto 5-6 muaj po të shohësh në RTSH është e njëjta strukturë lajmesh, dominim i politikës mbi sundimin e emisioneve të tjera.
 
A mund t’i referohemi praktikës franceze, a mund ta interpretojmë?
Artan Fuga: Rasti francez nuk besoj se është rasti më i zhvilluar. Por ai amerikan, kanadez, i vendeve nordike. E mira publike në rastin e qeverisë është përpunimi i politikave që janë në interes të shoqërisë, dhe e mira e medieve publike në këtë rast të ketë qëllim promovues por edhe kritikues ndaj kësaj politike. Kjo gjë mungon. Nga analizat e bëra rezulton se në shumë vende si ato nordike, televizionet publike janë më kritike ndaj qeverisë sesa mediat private. Televizionet publike dhe private kanë audienca dhe burime financiare të ndryshme. Nëse operatori publik do të vendoset në vendin që duhet, nuk do të konkurrojë televizionet private. Modeli perëndimor thotë se televizionet private janë më kritikë ndaj qeverisë së televizionet publikë.
 
Në zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH a do propozonit një skemë të ngjashme si me Avokatin e Popullit?
Nuk besoj se është çështja te praktika. Nuk jam në idenë që të përzihet një institucion publik me partitë. Kemi të bëjmë me një institucion publik, dhe nuk dimë nëse do hapen mundësi edhe për aksioneve privatë. Në rast se ato do blihen nëpërmjet ankandeve nga kompani apo sipërmarrës do të krijohet një ekuilibër. Nëse nuk krijohen mënyra të tillë nuk normalizohet situata.

Profesor sygjeruat modelin e aksionerëve private. Si mund të funksionojë? A ka ndonjë model të tillë në vendet e Evropës?
 
Artan Fuga: Është e përdorur. Natyrisht në vende të ndryshmë në masa të ndryshme. Pikërisht në modelin e mediave private hapja ndaj aksionerëve të vegjël, dhe pikërisht aty qëndron demokracia. Dhe demokracia në vendimmarje është aty. Ne këto forma nuk i kemi. Po si bëmë këta TVSH nuk mund të kthehet në televizion publik. Një tjetër pikë e rëndësishme janë kuotat. Ne kemi një televizion publik pa kuota. Nuk mund të orientosh një televizion privat drejt një programacioni me kuota, pasi ai qëndron i varur nga reklamat. Kuota e parë është respektimi i kutoës së diversitetit kulturor. Të mbulohen disa fusha që televizioni privat nuk i mbulon se televizioni privat ka interesa të tjera. Shpesh na ndodh që nëse në televizionin privat ka një emision politik edhe në atë publik ka të njëjtën gjë, mundësisht me të njëjtë aktorë. Televizioni publik është i tillë që kulturën masive ta plotësojë me kulturën elitare masive që në televizion ka tendencë të zbehet. 
 
Po përsa i përket mënyrës se si zgjidhet këshilli drejtues, si do ta gjykoni?
Artan Fuga: Duhet hequr dorë që kandidaturat në këshillin drejtues, në një formë apo tjetër riprodhojnë kanditatura që vijnë nga partitë poltike.Kjo përgjithësisht ndodh në vendet e lindjes. Në perëndim kjo është e ekuilibruar dhe këshilli drejtues i televizionit publik nuk pasqyron raportin e forcave politike. Ata individë që ndodhen aty nuk pasqyrojnë interesat politike. Duhet të ndërtohet me pluraritet të aktorëve që përfaqësojnë shoqërinë.
 
Po nëse do të ju ofronin ju pozicionin e drejtorit të RTSH do ta pranonit?
Artan Fuga: Me këto kushte në asnjë mënyrë. Në asnjë rast në këtë strukturë. Nëse ndryshon do ta konsideroja si një post shumë të rëndësishëm. Madje nëse një intelektual pranon në këto kushte do të më vintë keq për të. 

 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)