Teleskopi i fuqishëm i gjeneratës së re i NASA-s është nisur drejt hapësirës nga baza e lëshimit në Florida, me një mision për të eksploruar energjinë e errët, vrimat e zeza dhe mistere të tjera të Universit.
Teleskopi “Nancy Grace Roman” do të jetë në gjendje të fotografojë zona shumë të gjera të hapësirës, me një fushëpamje 100 herë më të madhe se ajo e teleskopëve Hubble dhe James Webb, sipas NASA-s.
Misioni nis me një udhëtim prej rreth 100 ditësh drejt një pike vëzhgimi rreth 1 milion milje, ose 1.6 milionë kilometra, larg Tokës. Prej andej, teleskopi do të nisë të hartëzojë planetët që ndodhen jashtë sistemit tonë diellor, të njohur si ekzoplanetë.
“Roman do të ndryshojë mënyrën se si e shohim Universin”, deklaroi Nicky Fox, administratore në NASA.
“Do të zbulojë dhjetëra mijëra, ndoshta edhe 100 mijë ekzoplanetë të rinj”, shtoi ajo.
Presidenti amerikan Donald Trump u lidh me konferencën për shtyp të NASA-s të dielën në mëngjes për të uruar shkencëtarët që kanë punuar në këtë projekt.
“Ju jeni më të mirët në hapësirë dhe ne kemi vendin më të mirë në botë. Prandaj, le të vazhdojmë kështu. Ju jeni një pjesë e rëndësishme e kësaj”, tha Trump.
Lëshimi me sukses i teleskopit u realizua mëngjesin e së dielës, me orën lokale, nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.
“Çfarë lëshimi madhështor në agim”, tha Jackie Townsend, menaxhere e projektit të teleskopit Roman në NASA, gjatë konferencës për shtyp pas nisjes.
“Udhëtimi ishte i mrekullueshëm. Na çoi pikërisht aty ku donim.”
Rreth 30 minuta pas lëshimit, teleskopi Roman u shkëput nga raketa e SpaceX dhe tashmë po udhëton drejt pikës së tij të orbitimit, rreth 1 milion milje larg Tokës.
Teleskopi mban emrin e fizikantes Nancy Grace Roman, e cila në vitet 1960 ishte astronomja e parë kryesore e NASA-s dhe njëkohësisht gruaja e parë që mbajti një post drejtues në agjencinë amerikane të hapësirës.
Gjatë karrierës së saj, ajo luajti një rol vendimtar në sigurimin e miratimit nga Kongresi amerikan për Teleskopin Hapësinor Hubble. Më vonë, Roman do të deklaronte se zbulimi më interesant i Hubble ishte energjia e errët.
Edhe teleskopi i ri pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si e kuptojmë Universin, mes të tjerash përmes studimit të energjisë së errët. Misioni i tij kryesor është parashikuar të zgjasë pesë vjet, por synimi është që teleskopi të qëndrojë në funksion për 10 vjet.
Sipas NASA-s, vëzhgimet e tij të detajuara dhe me shtrirje të gjerë do t'i ndihmojnë shkencëtarët të studiojnë energjinë dhe materien e errët, të zbulojnë dhe analizojnë ekzoplanetët, të hartëzojnë miliarda galaktika, të studiojnë vrimat e zeza dhe të eksplorojnë objekte që nga sistemi ynë diellor deri në skajet e Universit të vëzhgueshëm.
Origjina e materies së errët dhe energjisë së errët mbetet ende e panjohur, por shkencëtarët besojnë se së bashku ato përbëjnë rreth 95% të Universit.
Materia e errët, e cila është e padukshme, vepron si një lloj “ngjitësi” gravitacional, ndërsa energjia e errët mendohet se është një forcë shtytëse që nxit zgjerimin e Universit.
“Një nga qëllimet tona kryesore në NASA është t'i japim përgjigje pyetjes: A jemi vetëm në Univers?”, tha Fox gjatë konferencës për shtyp të së dielës.
“Me Roman do të bëjmë një hap gjigant përpara... që do të na mundësojë të shohim këto botë shumë, shumë të largëta dhe të fillojmë të analizojmë atmosferat e tyre, për të kuptuar nëse mund të jenë të banueshme”, shtoi ajo.
Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s, i lëshuar në vitin 2021, gjithashtu orbiton rreth Diellit në një distancë prej rreth 1 milion miljesh nga Toka, por fusha e tij e shikimit nuk është aq e gjerë sa ajo e teleskopit Roman.
Ndërkohë, Teleskopi Hapësinor Hubble, i lëshuar në vitin 1990, orbiton Tokën në një lartësi prej rreth 300 miljesh, ose rreth 480 kilometrash.











Komente
Komento