Që kur ka nisur Vettingu, dhe reformimi i strukturave të drejtësisë dhe deri sot, 1 ditë të vetme, nuk kanë pushuar sulmet dhe akuzat ndaj institucioneve të reja të saj. Ç’nuk i kanë thënë SPAK-ut, GJKKO-së, drejtuesve të këtyre institucioneve sa të pavarura, aq edhe dinjitoze.
Janë marrë me ish-drejtuesin e SPAK zotin Kraja, me drejtuesin që sapo e la detyrën zotin Dumani, tani do të merren patjeter edhe me zotin Braho. Ç’nuk kanë thënë, dhe ç’nuk po thonë për GJKKO, prokurorët e gjyqatarët, ministrat e drejtësisë, drejtuesit e policisë dhe burgjeve. Kanë intimiduar emra dhe familjet e tyre, natyrisht kur u janë prekur interesat, kur u ka vajtur fletë-thirrja për në prokurori, apo kur është nisur hetimi pasurisë dhe veprave penale që kanë kryer.
Ky vend nuk po gjen qetësi, nga sulmet barbare ndaj organeve të drejtësisë. Nuk ka ditë, që politikanë dhe ish-drejtues të lartë, që janë nën hetim apo po gjykohen, të mos i sulen SPAK-ut, GJKKO-së, ministrit të Drejtësisë, apo të merren me familjarët e tyre. O njerëz, lereni drejtësinë në punën e vet, lereni drejtësinë të qetë, të hetojë, gjykojë dhe dënojë, cilindo që ka vjedhur, abuzuar me ligjin dhe postin. Në Bashkimin Europian, nuk futemi kurrë me këtë mentalitet, me këto zakone dhe forma diskriminimi ndaj një pushteti të pavarur, siç është drejtësia. Në BE, nuk futemi kurrë, në rast vazhdojmë të godasim me ç’të mundemi, drejtësinë e re. në Europë, kurrë politika nuk merret me drejtësinë.
Pushtetet janë të ndara me ligj dhe Kushtetutë, dhe nuk ka nevojë të përgojosh as prokurorin dhe as gjyqtarin. Ka mbi 5 vjet që nuk gjejmë qetësi, gjithmonë kur thirret në SPAK një politikan, një zyrtar apo ish-drejtues i lartë, gjithmonë kur nis gjykimi ndaj veprave penale që ata kanë konsumuar. Madje, edhe kur Edi Rama, merret me rrogat dhe pensionet, apo me ndonjë investim, ne i sulemi atij, duke i kujtuar se “SPAK dhe GJKKO, po hetojnë dhe gjykojnë ministrat, ti merresh me rritje pagash e pensionesh”. Në Europë, askush nga italianët, gjermanët, spanjollët, francezët, apo çekët e hungarezët, nuk merret me hallin e politikanit, ministrit, me hetimin dhe gjykimin e tij, por shohin punët, hallet dhe problemet e tyre, u intereson rritja ekonomike dhe jeta e përditshme. Pse nuk ndryshojmë ne si popull?
Deri kur do të vazhdojmë të mblidhemi në sheshet e pallateve, në kafene, apo në bulevarde dhe ti qajmë hallin kryetarit të partisë, ish-ministrit dhe politikanëve që kanë hesape me drejtësinë ? Dhe avazi ynë, nis dhe vazhdon me sharje, ofendime, dhe akuza ndaj prokurorit dhe gjyqtarit që po “heton dhe gjykon liderin, ministrin, deputetin”. Vitet ikin, por tranzicioni ynë problematik postkomunist, nuk paska të sosur. Pas heqjes së vizave, shqiptarët po shëtisin Europën, por nuk kanë marrë asgjë të mirë prej saj. Duket se jemi të adaptueshëm vetëm ndaj negativitetit. Ndaj, lereni të qetë drejtësinë dhe levat e saj, lereni të punojë, hetojë e gjykojë këdo që ka shkelur ligjin, pasi ligji është i shenjtë për progresin e prosperioritetin e një vendi./Javanews
Komente












