Kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka reaguar me anë të një deklarate për mediat për humbjen e vulës zyrtare të bashkisë dhe akuzat e opozitës. Bushi sqaron përmes avokatit të tij, Detar Hysi, se humbja e sendeve kishte ndodhur një muaj më parë dhe për këtë ai kishte denoncuar menjëherë në polici, teksa shton se nuk ka kohë për të humbur për shpifjet e opozitës.

Reagimi i plotë i Artur Bushit:

Për humbje të efekteve personale, unë denoncimin e kam bërë pranë organeve kompetente brenda 5 minutave që kam konstatuar që në makinën time mungon çanta e efekteve personale,  2 orë pasi kam dalë nga zyra, dhe kjo ngjarje ka 1 muaj që ka ndodhur. Deri këtu nuk besoj se është lajm me interes publik dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë shkelje ligjore apo morale.

Por ky fakt, nuk e ndal as Saliun dhe as Ristanin që të vazhdojnë në atë vazhdën e trillimeve dhe politikës super banale të shpifjeve dhe sajimeve të njohura që cdo incident normal, ta përkthejnë në një histori të pavërtetë dhe komplet jashtë realitetit.

E përsëris edhe një here, që unë kam bërë denoncim të menjëhershëm pranë organeve kompetente dhe jo më shumë se dy orë pas orarit të punës. Për politizimin dhe shpifjen e rradhës së këtyre zotërinjve unë nuk habitem fare, por pyes veten: a kanë familje këta njerëz apo jo?? A kanë ndonjë limit moral për shpifjet dhe sajesat e tyre të neveritura, duke konsideruar se janë edhe vetë familjarë??

Gjithsesi pa u zgjatur më shume, duke konsideruar që cdo përgjigje ndaj shpifjeve të këtyre njerëzve, unë e konsideroj humbje kohe, dua të them që unë cdo sekondë, minutë dhe orë të ditës të kohës time, unë e kam në dispozicion të detyrës time dhe përgjegjësisë së madhe që kam ndaj nevojave të infrastrukturës së bashkisë Krujë dhe halleve të çdo banori të kësaj bashkie, gjë e cila mund të verifikohet shumë lehtë, mjafton të bëhet një vizitë pranë bashkisë dhe të shihet aktiviteti i saj dhe mënyra sesi i trajtojmë hallet e cdo individi, për të cilën jam shumë krenar, dhe ndryshimi i sapo filluar, do të shihet në mënyrë rrënjësore që në buxhetin e parë të bashkisë Krujë në vitin 2016!

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)