Asfaltohet rruga ‘Jashar Erebara’ në Tiranë, Veliaj: Dikur përmbytej, sot një nga zonat me vlerë të shtuar të pronës

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi gjatë mbrëmjes punimet për asfaltimin e rrugës “Jashar Erebara” në Njësinë 8. Ai risolli në vëmendje faktin se, kur përmendej emri i kësaj rruge, mendja shkonte te përmbytjet, por tashmë situata ka ndryshuar dhe falë investimeve të bashkisë, vlera e pronës në zonë është rritur ndjeshëm.

“Rrugën ‘Jashar Erebara’ e dëgjoja sa herë merrja raportime për përmbytje sepse uji i lumit kthehej mbrapsht nga kanalizimet. Sot do të njihet si rruga paralel me “Bulevardin e Ri” të Tiranës. “Bulevardi i Ri”, si rrugë dhe arterie kryesore e qytetit, do pësojë zhvillimet më të mëdha. Aty planifikojmë të kemi edhe Muzeun e Artit Modern, por edhe një qendër të konventave. ‘Pallati i Kongreseve’, laj - thaj, është i zënë gjithë vitin, prandaj na duhen më shumë hapësira të tilla. Duam që te ‘Bulevardi i Ri’, përveç ndërtesës së re të bashkisë, të çojmë edhe këto dy hapësira. Në fund të bulevardit po bëjmë lagjet e reja për familjet e prekura nga tërmeti, ndërkohë tashmë, që në fillim të rrugës “Jashar Erebara”, dallohen ndërhyrjet e reja të urbanistikës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se në Tiranë po punohet në çdo orë të ditës dhe të natës. Sipas tij, asfalti shtrohet natën sepse punohet më kollaj për shkak të qarkullimit më të pakët të mjeteve. Ai u bëri thirrje banorëve që të jenë mirëkuptues, teksa shtoi se po punohet me të njëjtën cilësi në mbi 100 kantieret e hapura në kryeqytet.

“Janë punë që i kursyem nga viti i kaluar, duke qenë se shumë prej komponentëve, si betoni, çeliku dhe asfalti, pra shumë prej artikujve pësuan një kërcim në çmime për shkak të luftës. Tani që çmimet janë stabilizuar, jemi duke rikuperuar ato investime që arritëm të kursenim nga sjellja nikoqire e bashkisë. Pra, ne po punojmë edhe te Kopshti Botanik, edhe te Liqeni i Thatë, jemi duke punuar në Dajt, në Tufinë apo te “Freksu”, ashtu edhe në “Astir” dhe në zonën e Bregut të Lumit”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se puna do të vazhdojë me rrugët që lidhen pingul me “Jashar Erebarën” dhe “Bulevardin e Ri”.

“Kështu sigurohemi që shkolla “Sevasti Qiriazi” dhe “Kiço Blushi” nuk ngelen vetëm një ishull i urbanizuar, por urbanizohet e gjithë zona. Në qoftë se më përpara thoshin: ‘Jo, po, këta janë tanët. Këta s’janë tanët’, – të gjithë janë tanët! Fëmijët nuk kanë as parti, as bindje politike, as nuk votojnë. Për hir të tyre lipset që Tirana të jetë bashkë dhe punët të mos pengohen”, nënvizoi Veliaj.

B.V/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Çezari: 25/03/2023 17:46

    Po Trotuaret ku janë,si nuk hoqe një gardh a mur abusiv o Demagogu Sharlatan!Njësoj si te Frosina Plaku..pa trotuare e pa lëvizur një gardh!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Lushnja përmbys 4-3 Vorën në 'Roza Haxhiu', ndryshon renditja në Kategorinë e Parë

Lushnja përmbys 4-3 Vorën në 'Roza Haxhiu', ndryshon renditja në Kategorinë e Parë