Asgjë e re nga ’fronti’ i protestave opozitare

Asgjë e re nga ’fronti’ i protestave opozitare

Monika Kryemadhi, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

“Protestat deri në rrëzimin e Ramës, janë beteja jetike e PD”. Kjo deklaratë e thënë kështu e kreut  të PD Lulzim Basha, ka të paktën nja 6 vjet që bën xhiron e portaleve, dhe bëhet çdo janar e shtator. Duket sikur opozitaristi Basha ka krijuar vërtetë “frontin e protestave popullore”, duket  sikur kryetari i demokratëve (të pakësuar) i përmbahet çdo 6 muaj një deklarate e cila nuk dihet përse merret seriozisht edhe nga të vetët.

Edhe këtë janar Lulzimi ka nisur sërish nga “puna”, duke mbyllur me “sukses” zgjedhjet e kryesisë së re dhe Këshillit Kombëtar, dhe duke vendosur pastaj edhe datën 16 shkurt  si nisjen e protestave popullore për 2019. 

E po një opozitë, që pretendon se është e “bashkuar”, që ka afro 6 vjet që nuk mungon të akuzojë, denoncojë, etiketojë banalshëm çdo deputet, ministër dhe kryeministrin e vendit për “korrupsion, lidhje me trafiqet, kontrabandën dhe krimin”, të mos ketë gati platformën dhe programin  e saj të veprimeve dhe aksioneve, të mos arrijë të mbledhë (pa joshur me para dhe autobuzë të paguar plus ushqimin) mijëra në shesh, duket si paradoksale.

Çfarë ka ndodhur, përse PD ka mbetur e vetmuar, pa aleatë seriozë, pa votuesit e saj tradicionalë, pa përkrahësit e saj në Tiranë dhe më keq në rrethe, përse janë larguar të vjetrit dhe po largohen edhe të rinjtë nga kjo parti? Si ka mundësi që një parti politike, dikur me një ekip të kompletuar  emrash nga më të shkolluarit në fusha të ndryshme, sot është katandisur në seli që mbushet me njerëz të zakonshëm, pa peshë dhe rreputacion në jetën akademike e shoqërore të vendit ?

Lulzimi nuk ka arritur të krijojë të paktën “frontin opozitar” nuk ka arritur të paktën të krijojë aleancën e qëndrueshme ndaj një shumice qeverisëse, e cila në zgjedhjet e fundit e thelloi më shumë fitoren e saj, por dhe humbjen e opozitës.

 Ç’rëndësi ka për çdo demokrat, dhe aq më tepër për çdo shqiptar me ose pa parti, të dëgjojë dhe besojë  Lulzimin, kur thërret dhe drejton gishtin tregues ndaj ministrave duke u thënë “jeni kukullat e Ramës” kur ai vetë në PD, i ka kthyer në manikina gjithë kryesinë dhe drejtuesit e forumeve të asaj partie. 

Ç’rëndësi ka për qytetarët tek dëgjojnë kryetarin e PD tek paralajmëron “fundin e qeverisë së korruptuar”, kur vetë Lulzimi ka në parti (akoma stoikë) milionerë të cilët janë me dosje akoma të pambyllura në Prokurori dhe Gjykata. 

Refreni i vetëm dhe i përsëritshëm çdo 6 muaj për të vetmen parti opozitare (pasi aleatët e saj janë qeveri më vehte dhe nuk e pyesin shumë Lulzimin) sot është “erdhi  sahati protestave, erdhi momenti të rrëzojmë qeverinë, gjeni vrimë ku të futeni o të mjerë”, që në fakt të kujton marshin e partive marksiste-leniniste, në Amerikën Latine. 

Shqiptarët dhe më shumë demikratët e mbetur akoma fanatikë të Lulzimit, e kanë kuptuar tanimë se sinfonia e kësaj opozite ka mbetur e papërfunduar, dhe gjithçka thuhet dhe bëhet është për interesa të ngushta klanore. I vetmi qëllim i Lulzimit mbetet mbijetesa politike e tij si kryetar partie, dhe jo e një kryesie që sot e zgjodhi, dhe nesër i përzë sikur të mos kishin ekzistuar.

 I vetmi qëllim i Lulzimit mbetet realizimi i planeve  dhe skenareve, që përmes presioneve verbale do ti krijonin atij mundësinë e arritjes së “marrëveshjeve” fitimprurëse, qoftë edhe me kosto morale e politike për partinë e tij. 

Shqiptarët u mësuan me Lulzimin dhe lulzimët e PD, ata nuk e mbajnë më “frymën” duke thënë se, “çfarë do të ngjasë në 16 shkurt, çfarë do të ngjasë në 23 mars apo 17 maj” sepse e dinë se gjithçka është e rreme, e stisur, tallëse. 

Shqiptarët e dinë tanimë se, nuk ka asgjë të re nga “fronti” protestave të kësaj opozite, që tallet me anëtarësinë dhe militantët e saj prej vitesh, që u lutet atyre të mbushin autobuzët çdo 6 muaj, që i mban të ngujuar në çadër,  që u dërgon të deleguar në degët e rretheve milionerë dhe marifetçinj, dhe pastaj bie në ujdi me “armikun” për interesat e saj klanore e pasurore./TemA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve