Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard adresoi të premten spekulimet për bllokim negociatash mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke vlerësuar në të njëjtën kohë ‘vrullin e veçantë të reformave.”
“Jam e habitur nga disa komente që thonë se negociatat janë bllokuar. Asgjë nuk është bllokuar, është proces normal, ku secili duhet të japë besim te tjetri. Mund të thuhet që po merr kohë, por i rëndësishëm është rezultati. Jemi afër rezultatit”, u shpreh Ambasadorja Suard gjatë një interviste me Klan News. .
Reforma në drejtësi është kyçe në këtë ecuri, por nuk konsiderohet kriteri kryesor
“Si te reforma në drejtësi ashtu edhe te hapja e grup-kapitujve. Tani duhen mbyllur, patjetër që reforma në drejtësi është thelbësore, por nuk është kriteri kryesor. Duhet që reformat të ecin në të gjitha fushat. Kemi besim të aftësitë e Shqipërisë që të aderojë në Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Suard.
Ambasadorja tha se, Franca do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me ekspertizë në reformën në drejtësi, ndërsa theksoi se pjesë të Kodit shqiptar janë frymëzuar nga modeli francez.
Për protestat e opozitës diplomatja franceze tha se dhuna është e patolerueshme.
“Ju e dini se zakonisht nuk komentoj politikën e brendshme shqiptare, por do duhet të them e drejta për të manifestuar është e njohur për të gjithë dhe në Francë kjo respektohet shumë. Por dhuna është absolutisht e papranueshme! Manifestimet në Francë, organizatorët marrin masa që të shmangin këtë lloj dhune. Ndodh që të ketë njerëz të dhunshëm, atëherë organizatorët distancohen prej tyre dhe nuk i jep legjitimitet dhunës! Në këtë moment, Shqipëria duhet të mendojë për të ardhmen e saj europiane dhe këto imazhe të fokalizuara i bëjnë keq imazhit të saj në Europë. Mesazhi që duhet përcjellë është se dhuna nuk ka vend në protesta”, përfundoi ambasadorja Suard.
Ambasadroja franceze konfirmoi bashkëpunimin e dy vendeve në disa fusha, ndërsa evidentoi si moment të rëndësisëhëm vizitën për herë të parë të ministrit francez të Drejtësisë, Gerald Darmanin./KlanNews
Komente








