'Asllani pa kreativitet në Kombëtare, të largohet nga Interi', Përparim Daiu për Report TV: Zgjedh Balliun në krahun e djathtë, Hysaj ka dështuar në Serie A

Kombëtarja shqiptare e futbollit po përgatit dy sfidat e fundit në Grupin B1 të Ligës së Kombeve, ato kundër Çekisë dhe Ukrainës në Tiranë. Nesër (e shtunë 20:45) kuqezinjtë kanë përballë Çekinë që nga mposhti në Pragë një muaj më parë.

Për të analizuar gjendjen e ekipit i ftuar në Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu ishte ish-futbollisti i Kombëtares, Përparim Daiu. Ai u ndal te forma jo e mirë dhe pritshmëritë e larta për Asllanin, teksa sugjeron që ai të largohet nga Interi për më shumë minuta.

Për 54-vjeçarin që ka luajtur me Kombëtaren krah Tares, Bushit, Rrakllit, Vatës apo edhe emrave të tjerë, Elseid Hysaj duhet të ulet në stol dhe në krahun e djathtë të mbrojtjes Sylvinho të zgjedhë Balliun.

"Gjendja e ekipit - Të jem i sinqertë, periudha pas Euro 2024 nuk kishte vazhdimësi për Kombëtaren. Vetëm në ndeshjet kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë në fund ishte kompetitive. Dy humbjet nuk më lanë shije të mirë.

Ekipi ka nevojë që lojtarët e rinj të afirmohen në klubet e tyre, pasi ky është një ngërç që ne e hasim, ndryshe nga ekipet e mëdha. Shumë lojtarë nuk kanë minutat e duhura në këmbë.

Forma e Kristjan Asllanit - Asllani trumbetohet për një lojtar që ka vlera, kreativitet, por për mendimin tim Asllanit i mungon agresiviteti, ato metrat që duhen në fushë. Jo vetëm për fajin e tij, por edhe minutazhi i pakët ndikon. Të jemi realist, të themi që Asllani ka përballë Calhanoglu, aty ku Interi bazon lojën. Asllani duhet të bëjë më shumë në stërvitje dhe shumë gjëra të tjera. E kam parë që nuk është zgjedhje e parë, por as e dytë. Aty është Zielinski. Asllani ato dhjetë minuta te Interi nuk i vlejnë më shumë se 90 minuta diku tjetër. Mesi i fushës duhet të jetë motorik, të ketë energji. Jo vetëm ajo loja me pasa paralele, pasimet pas; Asllanit i mungojnë vertikalizimet, edhe pasimet e fundit.

Çekia dhe Ukraina, formacioni - Sylvinho ka luksin e përzgjedhjes, paçka dëmtimeve të Gjimshitit apo të tjerëve. Pamë një Tuci që i shërben mirë ekipit. Mendoj të jemi me këmbë në tokë, pasi shpeshherë na merr euforia përballë publikut tonë. Kemi një Çeki me shumë elementë, që kanë treguar se dinë të luajnë futboll, paçka se ne i kemi mundur. Duhet të ballafaqohen forcat, jo me eufori për fitore. Të nxjerrim më të mirën e lojtarëve.

Vendi i parë në grup, mundemi? Shqipëria mund të jetë e para, por kemi një ekuilibër. Me Çekinë na duhet fitorja për kreun e grupit. Nuk do jetë ndeshje e lehtë, as ajo me Ukrainën. Të japim më të mirën dhe me Ukrainën të shpresojmë për kreun.

Botërori 2026 dhe objektivi për kualifikim - Kemi lojtarë pa minuta në klubet përkatëse. Na duhen elementë të rinj për t'u konsoliduar nga porta në sulm. Nëse shohim listën që kemi, gjysma e tyre nuk luajnë titullar në klubet ku aktivizohen. Humbet ritmi dhe besueshmëria. Për ëndrrën e Botërorit na duhen lojtarë që mbajnë ngarkesën dhe presionin.

Hysaj apo Balliu në krahun e djathtë? E kam thënë dhe e them, një specialist nuk duhet të ketë rezerva. Gjithmonë nuk e kam mbështetur që Hysaj të jetë para Balliut. Për parametrat dhe cilësinë, Balliu është shumë më lart sesa Hysaj. Shkodrani ka çeduar jo vetëm te Napoli, por edhe te Lazio. Zgjedh Balliun djathtas.

Krahasimi i brazave, Kombëtarja në kohën tuaj dhe tani?

Çdo periudhë ka elementë cilësorë. Metodika ndryshon shumë. Më parë ne kishim cilësi individuale, por nuk kishim grup. Na mungonte profesionalizmi. Tani përvoja është në shkallën më sipërore. Në çdo kohë kemi pasur emra me cilësi. Nuk mund të bëhen krahasime, nuk kishim kaq shumë ndeshje, i kishim me pikatore", tha Daiu.

Përparim Daiu me Kombëtaren (numri 6)
S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore