TIRANE - Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim penal për ILDKPI, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, insitucion që drejtohet nga Shkëlqim Ganaj.

Burime për Report TV nga organi i akuzës bëjnë të ditur se hetimi  kryesisht ka nisur për ILDKPI-në, pasi më shumë se 30 muaj nuk ka bërë asnjë veprim, për të kallëzuar apo referuar materiale për pasuritë e personave, të cilët kanë detyrim deklarimin e pasurive. 

Sipas ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit ka rol kryesor, në procesin e vettingut.

Pas emërimit të Adriatik Lallës në krye të prokurorisë, Kuvendi me votat e të djathtës, asokohe në pushtet vendosi në postin drejtues të ILDKPKI, Zana Xhukën. Kjo e fundit u shkarkua pas 14 muaj drejtimi të Inspektoratit, ndërkohë që u bë objekt i një komisioni hetimor parlamentar.

Në bazë të një procedure të rrallë parlamentare u mandatua si kryeinspektor i ILDKPKI Shkëlqim Ganaj. Roli i tij në krye të këtij institucioni, jo pak herë është kritikuar nga opozita, për anshmëri politike. 

(er.nu/shqiptarja.com)