Ndërsa protesta kundër investimit 4 miliard dollarësh në Zvërnec dhe qeverisë ka hyrë në javën e katërt, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ngre alarmin për të tretën herë për klimën e presionit dhe intimidimin ndaj gazetarëve që po raportojnë nga terreni. Të hënën, organizata tha se gjatë ditëve të fundit janë regjistruar sulme verbale, fyerje dhe tentativa për pengimin e punës së medias.
Përmes një deklarate për shtyp, AGSH-ja thotë se ka ndjekur më vëmendje dhe shqetësim këto incidente duke garantuar edhe një herë, se gazetarët nuk janë palë me askënd dhe çdo cënim i sigurisë së tyre përbën kufizim të së drejtës së publikut për tu informuar.
“Gazetarët nuk janë palë në protestë. Ata ndodhen në terren për të raportuar, dokumentuar dhe informuar publikun mbi zhvillimet, në përmbushje të misionit të tyre profesional dhe në interes të qytetarëve. Për këtë arsye, çdo pengesë ndaj punës së tyre, çdo kërcënim apo akt intimidues përbën jo vetëm një cenim të sigurisë së gazetarëve, por edhe një kufizim të së drejtës së publikut për t'u informuar”, thuhet në deklaratë.
Në këtë kontekst, AGSH i bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë që të distancohen nga çdo akt intimidimi ndaj gazetarëve dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt për raportimin mediatik.
“Në një klimë të polarizuar politike dhe sociale, është veçanërisht e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një ambienti të sigurt për përfaqësuesit e medias. Gazetarët në terren duhet të trajtohen si profesionistë që ushtrojnë të drejtën dhe detyrën për të informuar publikun. AGSH u bën thirrje organizatorëve të protestave dhe të gjithë pjesëmarrësve që të respektojnë dhe të mbrojnë punën e gazetarëve, të dënojnë qartë çdo akt dhune apo intimidimi ndaj tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt për raportimin mediatik” thuhet më tej
Një apel është drejtuar edhe Policisë së Shtetit për të marrë masat e nevojshme për sigurinë e ekipeve mediatike në terren.
“AGSH fton Policinë e Shtetit të marrin të gjitha masat e nevojshme për sigurinë e ekipeve të mediave në terren, përfshirë vlerësimin e rreziqeve dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme profesionale dhe logjistike” thotë AGSH.
Deklarata erdhi pas kallëzimit që gazetari Osman Stafa bëri në polici kundër 2 personave duke pretenduar se e kanë fyer dhe dhunuar gjatë protestës së të dielës. Kjo është hera e katërt në vetëm 22 ditë protestash që Shoqata e Gazetarëve detyrohet të ndërhyjë për të mbrojtur gazetarët nga fyerjet dhe kërcënimet e aktivistëve të protestës.
Komente










