Javë e ngjeshur politike, javë me surpriza, duket se që nga viti 2009, mazhoranca aktuale, pra PD së bashku me LSI janë më afër se kurrë deri më sot rreth ndarjes. Realisht për grupin parlamentar të PD-së a keni filluar të mendoni për numra rezervë z.Patozi?
Unë jam dakord vetëm me pjesën e parë të konstatimit tuaj, që ka qenë një javë e ngjeshur politike, por nuk jam dakord me pjesën e dytë që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë në prag divorci. Dhe kam arsyet e mia, të cilat mund t'i shpjegoj më poshtë. Kjo është një javë e ngjeshur politike, nuk ka nevojë për komente, kjo duket. Tani si e shikoj unë. Unë e shikoj si një gjë normale, nuk ka vend as për tu shqetësuar, as për të pasur entuziazëm, për shkak se politika është në shtratin e vet të qytetëruar, që është dialogu, dhe kjo është politikë e vendeve të civilizuara dhe kjo është politikë e BE dhe e SHBA-së. Unë gjykoj që duhet përshëndetur fakti që z.Rama ka marrë një nismë për të pasur dialog politik, ka ankoruar anijen e vet politike në skelën e dialogut.
Te Gjiri Lalzit…?
Në skelën e dialogut sepse…
Deri tani s'ka bërë gjë tjetër…?
…Sepse një vit më parë në rast se do t'i kthehemi retrospektivës, Ramën mund ta kishim sot në rrugë duke djegur goma makinash, duke thënë që 'jetën e japim dhe presidencën s'e japim', pra nuk jemi më në lëvizje para apo ekstra politike, por jemi në gjysëm revolucionare, por gati dhe revolucionare siç ishte 21 janari, pra jemi në një Edi Ramë tjetër, i cili e kërkon zgjidhjen përmes dialogut, tani mënyra se si ai e sheh zgjidhjen për mua, sipas meje është e para kundërproduktive dhe e dytë e gabuar. Pse? Sepse Z.Rama ka një qasje negativiste për problemin, hallin që ka.
Kalojmë tek aktualiteti zoti Patozi. Në rast se PS vendos një kusht që presidenti të mos jetë nga PD, por të jetë një president i propozuar nga mazhoranca, ku pjesë e mazhorancës është Lëvizja Socialiste për Integrim, do të zgjidhjet një president nga LSI-ja apo zgjedhje të parakohshme?
Jo, unë mendoj se asnjëra nga të dyja, e di pse, për një arsye të thjeshtë, unë besoj në integritetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila nuk do ta lejojë veten që të bëhet mashë në duart e Edi Ramës dhe të zgjidhë hallet e Edi Ramës në një farë mënyre, sepse edhe nëse ka shkuar atje ku thoni, ai ka shkuar si një hallexhi, sepse vetëm një hallexhi mund të shkojë tek shtëpia e atij që nuk ka lënë gjë pa thënë gjashtë muaj përpara. Nuk besoj se do të shërbejë Lëvizja Socialiste për Integrim si mashë për të zgjedhur problemin që ka Edi Rama, unë sapo shpjegova më sipër që e gjithë logjika politike të çon në atë që lokomotiva e koalicionit, që në rastin tonë jemi ne, i bie që të bëjë edhe zgjedhjen e një institucioni të rëndësishëm siç është Presidenti i Republikës. Dhe unë nuk besoj që vetë Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të ketë dilema për këtë çështje, aq më tepër kur kjo vjen si iniciativë nga Edi Rama, nga kundërshtari jonë i përbashkët, pra nuk vjen si një iniciativë nga brenda, por nga jashtë.
Ju nuk shikoni si president asnjë nga figurat kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfshire dhe zotin Meta?
Unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë zotin Meta, dhe nuk besoj që ai pretendon për shumë arsye. Arsyeja e parë, unë sapo e thashë dhe është një arsye shumë politike dhe shumë racionale, arsye që secili e di peshën e vet specifike, e njeh, zoti Meta është politikan me eksperiencë shumë të gjatë, është një politikan inteligjent dhe për këtë nuk ka nevojë për dëshmitar, është i njohur prej shumë vitesh, kam konsideratë për aftësitë e tij dhe nuk besoj që ai e çon ndërmend një gjë të tillë për të gjitha ato arsye që unë thashë. Zoti Meta është një politikan i ri, në moshë po them, dhe zakonisht presidenca është një stacion fundor dhe nuk besoj që zoti Meta ka ndërmend që të mbyllë karrierën me një mandat, apo qoftë edhe me dy mandate pesë vjeçare.
A e shikoni të pamundur ndarjen e LSI-së nga PD-ja në këtë moment apo në 2013?
Unë jam i prirur të besoj gjërat publike të cilat bëhen me vullnet të mirë, kam parasysh deklaratën e fundit të zotit Meta, e cila është optimiste për koalicionin dhe për raportin që ka Partia Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, thashë që nuk jam profet që të parashikoj diçka.
Zoti Patozi, jeni kryetar i grupit parlamentar të PD-së, jeni numri dy i kësaj mazhorance, kur e keni pasur takimin e fundit me zyrtarë të lartë të këtij niveli nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Me zotin Meta dhe me cilindo koleg tjetër takohemi të paktën çdo të enjte, rrimë, bisedojmë, flasim në telefon mund të takohemi edhe nëpër zyrat e njëri-tjetrit, mund të takohemi edhe në kafe me njëri-tjetrin.
Kur është takuar për herë të fundit një zyrtar i lartë i PD-së me zotin Meta?
Në rast se ju po më pyesni se kur do të zhvillohen konsultime brenda mazhorancës, në rast se nuk gabohem a është kjo pyetja, atëherë unë mund t'ju jap këtë përgjigje që konsultimet brenda mazhorancës do të ketë, janë të domosdoshme dhe të paevitueshme. Pra, sigurisht që nuk më takon mua që të them këtu se kur do jetë, sepse kjo varet dhe nga axhenda e kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryeministrit të vendit, i cili sot bëri një deklaratë që prononcimi i tij për presidentin e ardhshëm do të nisë pas Samitit të Çikagos. Kjo nuk e përjashton mundësinë që takimet mes zotit Berisha, mes përfaqësuesit të Partisë Demokratike me përfaqësuesit e koalicionit qeveritar, kontaktet mund të zhvillohen edhe më përpara se sa kjo datë të mbërrijë. Unë insistoj në atë që të mos paragjykojmë dialogun në cilado formë që ai shfaqet, sepse ka pasur gazetarë që më kanë pyetur edhe mbrëmë që a jeni të shqetësuar nga takimi i Ramës me Metën, absolutisht fare, pse, sepse ne nuk mund t'i kërkojmë të tjerëve të mos bëjnë një gjë, që ne e bëjmë vetë në mënyrë të pafundme dhe të përsëritur. Pra komunikimi mes PD-së dhe PS-së nuk ka munguar asnjëherë edhe në momentet më të nxehta, edhe në momentet më të tensionuara politike në Shqipëri, si mund t'ia kërkojmë ne partnerëve apo forcave të tjera politike që të mos komunikojnë me njëra - tjetrën, absolutisht duhet që të komunikojnë.
(sg/shqiptarja.com)