Edhe pse është një vend pa asnjë tren, çuditërisht vetë Shqipëria është bërë sot si një tren që ka nisur të ecë me shpejtësi të lartë. Kush nuk është në ritmin e kësaj shpejtësie, jo vetëm që nuk kupton dot asgjë nga sa po ndodh, por rrezikon të humbasë, të mos e shohë dot më veten se ku po jeton dhe si po jeton.
E lëmë mënjanë atë që shteti bën dhe nuk bën për shoqërinë, kjo është pjesa më e llogaritshme, më e imagjinueshme dhe e kuptueshme nga të gjithë. Ajo që nuk kemi kohë të shikojmë e të kuptojmë, duket në atë që individët po bëjnë për t’u përmirësuar.
Nga veriu në jug, duke bërë një kërkim për vende për të kaluar pushimet këtë verë, shpalosen ministruktura e struktura me një bukuri dhe shije prekëse: Shtëpiza alpine, kulla të ristrukturuara, shtëpitë e vjetra të gjyshërve të rregulluara. Si një komunitet milingonash punëtore, ndërsa ne merremi me debate zgjedhjesh, përditë e më shumë një pjesë shqiptarësh të talentuar krijojnë dhe shfaqin realitete turistike që të lenë pa frymë për origjinalitetin, shijen dhe harmoninë e ngjyrave.
Po krijohet një rrjetë e argjendtë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim që me forcën e paimagjinueshme të fillit të saj të krijuar si rezultat i ideve dhe i punës, po i jep gjithë vendit një mundësi të jashtëzakonshme për të shpalosur më së miri atë që me siguri e kemi: Mikpritjen.
Veç zhurmës që krijohet nga media dhe politika, e cila duket se shërben për të krijuar një re puplore ku rrotullohen e rrotullohen duke u qarë dhe u ankuar të njëjtët njerëz, është një tjetër botë paralele që krijon vlera të vërteta. Retë janë përherë të bukura për t’u soditur, por është toka ajo që i drejton dhe vendos për to. Toka e Shqipërisë, duke përfituar nga një stabilitet që sikur e priste prej kohësh, tashmë “po çmendet” me krijimtari dhe ide që po i shpalos si perla, gjerdanë margaritarësh, rubinësh, zmeraldësh nga jugu në veri, nga lindja në perëndim.
Ndërsa ne ankohemi, qahemi, akuzojmë, shajmë, për çështje të politikës, shqiptarë të mirë i kanë hipur trenit me shpejtësi të lartë të Shqipërisë. Këtë verë kërkoni, përgatituni dhe gjeni xhevahiret e turizmit që janë shpërndarë kudo nëpër Shqipëri.
Me ne fund nje lajm pozitiv dhe gjithe shprese! Komplimenta autores!
PërgjigjuNuk jemi akoma te pergatitur..skemi Infrastrukturen...ja erdhi veriu I Europe's e hyn ne Murtiqan? Sa I duhet te shkoje ne Vlore?
Përgjigju