SARANDE - Tentohet të vritet babai i njërit prej autorëve të dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit, vëllait të ish-kreut të Komunës Kaçinar. Mësohet se Agron Xhezairi, babai i të shumëkërkuarit  Albi Xhezairi ka konstatuar lëndë plasëse në sediljen e pasme të makinës së tij, kur ai ndodhej në Ksamil.

Pas konstatimit të lëndës plasëse, e cila ishte e lidhur me dy tela dhe një celular, 53-vjeçari ka njoftuar Policinë e Sarandës. Babai i Xhezairit ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij në momentin që ka konstatuar lëndën eksplozive. Fatmirësisht eksplozivi nuk ka plasur dhe Xhezairi ka zbritur menjëherë nga automjeti.

Albi Xhezairi është i shpallur në kërkim për vrasjen Aleksandër Bardhit në Shendelli të Sarandës, ngjarje e ndodhur në 24 shtator të këtij viti. 20-vjeçari kërkohet për veprat penale, “Vrasje ne bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje te armeve luftarake dhe municionit”.
(er.nu/shqiptarja.com)