Gjashtë muaj nga vrasja në afërsi të ish-bllokut i Elton Çiço, ka vijuar sërisht seriali i vrasjeve për hakmarrje, ku dje në Tiranë një person ende i paidentifikuar ka dashur të ekzekutojë shokun e ngushtë të Çiçit, Andi Mustafaraj nga Tepelena.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm 100 metra nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ndërkohë që strukturat e kësaj të fundit nuk kanë dijeni mbi identifikimin dhe vendodhjen e autorit. 29-vjeçari, është qëlluar me tre plumba, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk i ka marrë jetën.

Sipas mjekëve të spitalit të Traumës, një nga plumbat e ka prekur në shpatull, një tjetër në krahë dhe tjetri nuk e ka kapur fare në trup. Nga të dhënat e policisë rezulton se vrasësi e ka ndjekur gjatë të dëmtuarin, duke punuar me plan tëg caktuar.

Mustafaraj, sapo ishte ulur në kafene “Merlin Monro”, që ndodhet prapa ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, kur teksa kishte porositur një kafe dhe qëndronte ulur në një nga tavolinat e jashtme të lokalit,është qëlluar menjëherë nga një person i vetëm. Dëshmitarët thanë se atentatori ka qëlluar tre herë drejt, Andi Mustafarajt, i cili ndodhej vetëm në kafene.

Pas tre krismave, atentatori është larguar me vrap drejt bulavardit “Bajram Curi”, ku pikërisht në këtë vend e priste një makinë dhe është larguar me shpejtësi, pa u vënë re nga askush. Mustafaraj njihet si person që ka pasur shoqëri të ngushtë me shtetasin nga Tepelena Elton Çiçi, i vrarë në 1 maj të 2016 në zonën e ish-bllokut.

Burime nga policia thanë se ka tëg dhëna që Andi Mustafaraj, pas varrimit të shokut të ngushtë, është betuar për hakmarje ndaj grupit që rivalizonte Çiçi. Mirëpo siç duket planet e tij janë mësuar nga kundërshtarët, të cilët kanë vendosur ta eleminojnë fizikisht Mustafaraj, përpara se ky i fundit të hidhej në veprim. Kjo është vetëm njëra pistë e policisë, ndërsa një tjetër drejtim ku po heton policia e Tiranës, lidhet me një histori sentimentale të të riut.

elton cica

Kamerat e thëniet e kamarierit
Lidhur me këtë tentativë vrasje vetëm 100 metra larg policisë së Tiranës, grupi i hetimit ka sekuestruar pamjet filmike të disa bizneseve dhe lokalit ku ndodhi krimi.Mënyra e ekzekutimit ka qënë thuajse e njëjtë me vrasjen e Çiçit, ku personi që ka qëlluar shihet që në kokë mban një kapele. Silueta e tij, nuk është kapur kur ka hapur zjarr drejt 29-vjeçarit Mustafaraj, por kur vrapon dhe largohet drejt bulevardit.

Një dëshmi e plotë rreth ngjarjes është ajo e kamarierit të lokalit i cili u ka treguar, policisë se i dëmtuari nuk ka mundur të pijë as kafen, pasi pikërisht sapo ai i kishte shërbyer një kafe dhe ujë dhe ishte larguar, janë dëgjuar të shtënat e armës.

Nga hetimet e kryera dhe informacionet e siguruara prej policisë së Tiranës, ngjarja e djeshme dyshohet se mund të ketë lidhje me vrasjet e njëpasnjëshme të nisura fill pas një grabitje të një çifti të muashuarish në Tepelenë, të cilët janë prindërit e Elton Çiçit.

Seriali i krimeve që nisi me grabitje
Në mars 2015 dy të moshuar do të grabiteshin me dhunë dhe do të lidheshin në mënyrë ç’njerzore në banesën e tyre.Pak muaj më pas në korrik 2015 policia do të zbulonte 3 autorët e dyshuar,por tashmë djemtë e dy të moshuarve i kishin vetidentifikuar dhë në këtë periudhë nisi kalvari i hakmarrjeve.

Ervis Imeri e Robert Rama ishin persona të parë të vendosur në shënjestër të hakmarrjes për krimin e kryer në familjen Çiçi në Tepelenë. Robert Rama nga Laçi do të ekzekutohej në qershor 2015 teksa ndodhej në kërkim nga policia, ndërsa për këtë krim djemtë e familjes Çiçi u shoqëruan disa herë në polici por kurrë s'u provua përfshirja e tyre në këtë krim.

Ervis Imeri që rezulton të jetë dhëndëri i një biznesmeni të njohur ndërtimi në Tiranë, pak para vrasjes së Ramës do të gjente në automjetin e tij një sasi eksploziv, por ky krim u parandalua nga policia dhe eksplozivi u hoq. Por hakmarrja s'do të ndalej,dhe më 9 dhjetor 2015 në kombinat Elton Imeri një efektiv ushtrie, njëherësh, vëllai i të dyshuarit si grabitës Ervis Imeri do të binte pre e një atentati ku do të pësonte dëmtimet të rënda në gjymtyrët e poshtme.

Vrasja e Robert Rama
Robert Rama ishte në kërkim nga policia, kur u vra. Ai u ekzekutua 2 muaj pas grabitjes së prindejeve të Çiçit. Në 11 qershor, në zonën e ish-kënetës në Durrës, dy persona me motor, e qëlluan për vdekje dhe u zhdukën pa lënë gjurmë. Policia e pati të vështirë të fokusohet në vetëm një pistë hetimi, për shkak të kaluarës problematike të Ramës.

Në atë kohë u fol se Robert Rama mund të ishte vrarë nga ekzekutorë të paguar. 31-vjeçari nga Kurbini, ishte përfshirë në konflikte të shumta në qytete të ndryshme të vendit, si dhe ka kryer disa grabitje me armë e dhunë. Ai ndërronte vazhdimisht shtëpinë, për shkak se ishte person i shpallur në kërkim dhe gjithashtu kërkohej nga personat me të cilët ishte në hasmëri.

Këputja e këmbës Imerit
Në pamundësi për të vrarë Ervis Imerin, u godit vëllai i tij, Eltoni.Oficeri i policisë ushtarake ishte duke shkuar në punë si çdo mëngjes, kur makina e tij shpërtheu nga tritoli. Pamjet e tmerrshme pas atentatit u transmetuan në çdo media mëngjesin e 9 dhjetorit të vitit të kaluar. Elton Imeri tregoi se kishte dalë me vetëm një këmbë nga makina. “Isha vetëm në makinë, kur ndodhi shpërthimi, kam mundur të dal prej andej dhe kam ecur për disa metra me një këmbë.

Pastaj më ndihmoi një shofer furgoni që nuk e njihja fare”-u shpreh ai për mediat. Unë dyshoj se shkak i ngjarjes mund të jetë një grabitje e bërë në Tepelenë mesnatën e 31 marsit të këtij viti. Një nga autorët ka qenë shoku i vëllait tim Ervisit. Vëllain tim e kanë kërcënuar dhe më pas ai u arrestua për “moskallëzim krimi”. Kjo që më ndodhi mua s’është hera e parë, në korrik vëllait tim iu vu 600 gr tritol në makinë, dhe që nuk shpërtheu sepse e pa në kohë”-ka deklaruar Imeri në media.

Vrasja e Elton Çiçit
Pa kaluar shumë kohë nga seriali i kësaj hakmarje, vritet në zonën e ish-bllokut Elton Çiçi, i njohur si kushëri i kryebashkiakut aktual të Tepelenës. Çiçi njihej nga policia si person problematik, dhe financues i kultivimit të parcelave të hashashit në Tepelenë. Çiçi, kishte zgjedhur ditën e 1 majit, të pushonte në lokal “De Niro” në ish-bllok në shoqërinë e mjekut Redjan Rahja dhe një gazetari.

Me vete, Çiçi kishte dhe një pistoletë të cilën nuk mundi ta vere në asnjë moment në punë, për tu vetëmbrojtur. Kjo pasi autori i krimit ka hyrë “blic” në lokal. Në kokë kishte vendosur një paruke, dhe mbi të një kapele. Ai është afruar shumë afër Çiçit dhe e ka qëlluar këtë të fundit me dy plumba nga shumë pranë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ndërkohë më pas punonjësi i policisë dhe Rahja, kanë fshehur pistoletën pa lejë që Çiçi mbante me vete dhe disa sende personale. Pas këtyre veprimeve ata janë arrestuar nga policia përf fshehjen e provave. Ndërkohë disa muaj pas këtij krimi të rëndë, policia njoftoi se kishte indetifikuar autorët e vrasjes dhe kishte shpallur në kërkim ata. Policia tha se vrasësi ishte Jani Alia, ndërsa njeriu që e kishte ndihmuar quhej Renato Milloshi, djali i Hysni Mylloshit.
 

d.b/shqiptarja.com