Të tjera detaje kanë dalë lidhur me atentatin me tritol në Gjirokastër, ku humbi jetën 45-vjeçari Beqir Devolli, i njohur edhe si ‘Çilo Hunderri’, si dhe mbeti i plagosur 26-vjeçari Erigels Mela. Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjet përllogaritet rreth 300 gram TNT.

Të tjera pikëpyetje ngrihen lidhur me shpërthimin e djeshëm me tritol në automjetin në qytetin e Gjirokastrës.

26-vjeçari që i mbijetoi shpërthimit rezulton të jetë djali i ish-prokurorit Përparim Mela, ndërsa e ëma e tij, Mimoza Mela, aktualisht është sekretare në Prokurorinë e Gjirokastrës. Jo vetëm kaq, por edhe vëllai i tij, Jurgen Mela, u përfshi pak vite më parë në një skemë mashtrimi përmes call center-ave.

Jurgen Mela është biznesmen dhe ortak në disa shoqëri tregtare në Tiranë, i cili është vënë në verifikim nga Policia e Shtetit në kuadër të hetimeve për skemat e mashtrimit kompjuterik dhe aktivitetin e call center-ave.

JM Development: Më 12 prill 2024, ai themeloi kompaninë “JM Development” së bashku me bashkëshorten e tij, Megi Mela, me seli pranë rrugës “Jordan Misja” në Tiranë.

Gama Media Communication: Më herët, ai ka qenë bashkëpronar, me 50% të kuotave, së bashku me Granit Pepnikën, në kompaninë “Gama Media Communication”, e cila aktualisht rezulton e pezulluar.

Ndërkaq, ish-ortaku i tyre ndodhet në burg, ndërsa çifti Mela është në liri të plotë.

Ngjarja zhvendoset në Gjirokastër, ku Erigers Mela kishte shoqëri edhe me Çilo Hundërrin dhe, sipas informacioneve, shpesh përdornin makinat e njëri-tjetrit. A ishte thjesht çështje fati apo një faturë e përbashkët që duhej shlyer? Kjo mbetet për t’u verifikuar nga Policia.

Fakti që automjeti shpërtheu mes Prokurorisë së Gjirokastrës dhe Policisë ngre gjithashtu pikëpyetje lidhur me shënjestrën e mundshme të atentatit.


Lajmi kryesor:

Atentati në Gjirokastër/ Beqir Devolli, i njohur si ‘Çilo Hunderri’, u vra me bombë të telekomanduar! Pistat e hetimit, nga lidhjet me grupe kriminale te hakmarrja si informator i dyshuar i policisë