Po zhvillohet sot në GJKKO seanca e radhës gjyqësore ndaj Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, sot deputet i Sali Berishës në Kuvend. 

Në seancë, Prokurori i SPAK Adnan Xholi lexoi deklarimet e një dëshmitari okular që ka parë automjetet që u përdorën në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja dhe Aleksandër Lahos në 1 nëntor 2019, ngjarje ku humbi jetën shoferi Andi Maloku. Dëshmitari ishte thirrur në gjyq por ai nuk është gjendur pasi është larguar nga territori shqiptar, ndaj prokurori lexoi deklarimet e tij dhënë pas ngjarjes para Oficerit të Policisë Gjyqësore.

“Dy makinat ndaluan dhe pashë që personat që dolën filluan të debatojnë. Njëri që kishte thikë në dorë i tha ‘Pse se mbarove punën, do ta pres fytin te…robt’”, kjo ishte dëshmia që u lexua nga Prokurori. 

Prokurori Xholi lexoi edhe deklarimet e dhëna nga Aleksandër Laho pas ngjarjes ku ai mbeti i plagosur. Edhe “Rrumi” nuk është gjetur për t’u thirrur si dëshmitar pasi ai është person i shpallur në kërkim. Por çfarë deklaroi ai pas atentatit të vitin 2019? 

“Para atentatit ishim për drekë me Arjan Ndojën dhe Enver Shabën e një shok të tij. Kur u nisëm kam parë një vajzë me emrin Lusi që e njihja në trotuar, e cila shikonte nga ne dhe pastaj ajo hipi në një automjet me një zyrtar të hipotekës”, tha asokohe Laho. 

Ndërkohë, Plaurent Dervishaj kërkoi    që të jenë prezent në sallë dëshmitarët, teksa tha: "Dëshmitarët duhet të vijnë në sallë të na shohin a jemi ne ato personat te Benzi." Prokurorit Xholi i drejtoi edhe pyetjen: "Për “Rrumin”, zoti prokuror i beson asaj dëshmie apo jo?"

Meçaj pretendoi se dëshmitarët nuk kanë lidhje me procesin e tij. 

"Ç’punë kanë këto dëshmitarë me procesin tim. S’e kuptoj.", tha ai. 

Për këtë proces, SPAK ka kërkuar si dëshmitar edhe disa persona të tjerë, ndër to edhe Luan Matën, babain e Ervin Matës. Mbrojtja e të pandehurve kërkuan gjithashtu edhe thirrjen e shtetases Lusiena Kola si dëshmitare në proces.

Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u ekstraduan nga Dubai në gusht të vitit 2024. Dervishaj akuzohet si organizatori i atentatit ndaj ish-prokurorit në nëntor 2019 ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij. SPAK e zbardhi atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në “SkyECC”.