LUSHNJE –Report TV siguron foton e momentit kur dy autorët qëlluan me breshëri Julian Sulon paraditen e së martës në Lushnje. Ndaj rivalit të Aldo Bares u qëllua me breshëri plumbash teksa po lëvizte me makinën tip “BMW” në afërsi të spitalit të qytetit, por arriti të shpëtonte pasi e prek vetëm në këmbë.

Ende nuk ka asnjë detaj për atentatorët e 45-vjeçarit, ndërsa policia ka sekuestruar kamerat e disa bizneseve, të cilat kanë fokusuar momentin e gjuajtjes me armë. Sipas policisë, dy persona, me maskë të zezë në fytyrë dhe me kapele, kanë dalë nga makina, të cilën e kanë parkuar në kthesën e rrugës “Misto Mame". 

Sapo kanë parë BMW-në e zezë të Sulos që hyri në këtë rrugë, kanë zbritur nga mjeti dhe kanë gjuajtur drejt tij, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë. Dalja e tyre ka qenë me vonesë pasi makina e shënjestrës ka kaluar me shpejtësi. Dyshohet se 45-vjeçari i ka parë atentatorët dhe ka shtuar shpejtësinë e makinës, duke iu shpëtuar mrekullisht plumbave. Atentati ka zgjatur vetëm 10 sekonda. 6 plumba kanë prekur makinën, dhe vetëm 1 e ka prekur Sulon në këmbë. Më pas autorët janë larguar e kanë djegur makinën dhe armët në fshatin Lifaj.

Sulo në fillim ka shkuar në lokalin e tij në Karbunarë dhe më pas në shtëpi. Ka qëndruar për disa minuta dhe më pas ka shkuar të mjekonte këmbën në spital. Deri më tani policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 18 persona në lidhje me ngjarjen por edhe të afërm të 45-vjeçarit.

Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e narkotikëve, dhe bizneset. Sulo lëvizte prej 2 vitesh lirëm në Lushnje, madje edhe në këmbë. Mjetet që ai përdorte ishin herë të blinduara dhe herë jo.

Julian Sulo, i njohur edhe si “Juli i Pashakos”, punon e jeton në Karbunarë të Lushnjës, ku menaxhon një bar–restorant së bashku me familjen.Ai është një person i njohur për policinë, pasi është ndaluar për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Ai është rival i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Sulo ka qenë i dyshuar edhe për atentatin e organizuar ndaj nipit të Bares, Xhulio Shkurti, në 2017-ën. U la i lirë pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atentatin, që njihet ndryshe edhe si masakra e Lushnjës. Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg të përjetshëm, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë më 21 nëntor 2025. Në masakrën e Lushnjës u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe plagosën Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu.

1764152028_atentatilushnje.jpg

Dy autoret e maskuar janë "kapur" nga kamerat e sigurisë kur qëllojnë ndaj Sulos