Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm të 20 marsit 2023, për dënimin me burg të përjetshëm të dy prej autorëve të “Masakrës së Lushnjes”, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
Apeli shpalli fajtor Bilbin dhe Kaloshin për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, ngjarje e ndodhur në Lushnjë në vitin 2017. Atyre iu shpëtoi shënjestra Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.
Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë qëlloi me armë zjarri në drejtim të hotel 'Volorekës' në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës. Ndërkohë Orgest Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, i cili u plagos nga polici, pasi tentoi të largohej.
Për masakrën e Lushnjës, akuzohet edhe Laert Haxhiu, i dënuar gjithashtu me burg përjetë. Haxhiu u ekstradua më 3 korrik të vitit të kaluar nga Greqia një vit pasi ishte arrestuar në shtetin fqinj.
Sipas hetuesve, shënjestër ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por ai arriti t’u shpëtoi plumbave në lokal pasi u ngrit nga tavolina pak minuta më herët, ndërsa viktimë mbetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.
Komente










