Greqia vazhdon të shantazhojë Shqipërinë me bllokimin e negociatave me Bashkimin Europian. Çështja e shembjes së 19 banesave në Himarë, ka shkaktuar një sërë reagimesh e kundëreagimesh, si nga Greqia ashtu edhe nga Tirana zyrtare.

Një ditë pasi Ministria Shqiptare e Punëve të Jashtme thirri për sqarime ambasadoren greke në Shqipëri, lidhur me deklaratat e MPJ-së greke që kërcënoi Shqipërinë me bllokim të procesit të integrimit në BE, edhe Athina zyrtare ka kërkuar sqarime nga ambasadori ynë në Greqi, Dashnor Dervishi, lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, se Akropoli u shpëtua prej një shqiptari.

MINISTRIA E JASHTME GREKE SHANTAZHON SËRISH ME NEGOCIATAT ME BE
Një ditë pasi Ministria Shqiptare e Punëve të Jashtme thirri për sqarime ambasadoren greke në Shqipëri, lidhur me deklaratat e MPJ-së greke që kërcënoi Shqipërinë me bllokim të procesit të integrimit në BE, Ministria e Jashtme e Greqisë me një gjuhë paksa më të butë shprehet se udhëheqja shqiptare ka një konceptim të rremë të historisë. Por ministria e Jashtme greke nuk harron të ritheksojë kërcënimin e saj duke u shprehur që në reshtat e para të deklaratës se zyrtarët shqiptarë po minojnë ecurinë europiane të vendit të tyre.

"Zyrtarët shqiptarë nuk mund të pretendojnë “urbi et orbi” se të drejtat e minoritetit grek respektohen në të gjithë vendin, në të njëjtën kohë që ata i shkelin ato në praktikë, duke minuar ecurinë europiane të vendit të tyre. Faktet flasin vetë, lajmërimet për shembjet e shtëpive, në kuadër të planit rregullues të Himarës, janë dërguar në persona të minoritetit grek. Bëhet fjalë për një veprim që të çon në përfundimin se ka një plan për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek. Deklaratat e djeshme të zyrtarëve shqiptarë të çojnë në përfundime logjike të cilat bien në kundërshtim me kodet aktuale të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve, që janë në fuqi njëkohësisht në gjithë vendet demokratike e europiane. Udhëheqja shqiptare ka një konceptim të rremë të historisë një konceptim të rremë të historisë duke e ngatërruar me angazhimet e Shqipërisë, të cilat rrjedhin nga e Drejta Ndërkombëtare dhe ajo Europiane, për mbrojtjen e minoritetit grek, i cili është autokton dhe me të drejta legjitime."- thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme greke.

MPJ SHQIPTARE THIRRI AMBASADOREN GREKE
Të hënën, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka thërritur për sqarime ambasadoren greke në Tiranë, Eleni Surani, pas deklaratave të Athinës zyrtare, lidhur me shembjen e disa banesave në Himarë, si pasojë e zbatimit të Planit Urbanistik për rikonceptimin e qytetit. Sipas MPJ-së: “Deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm. Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhej në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

GREQIA 'KËRCËNON' SHQIPËRINË
Ministria e Jashtme greke shprehu një ditë më parë shqetësimin se 19 banesat e planifikuara për t'u shembur në Bashkinë e Himarës, i takojnë familjeve minoritare greke. Përmes një deklarate të publikuar në faqen e internetit, Ministrja e Jashtme greke e quan të papranueshëm këtë veprim, ndërsa paralajmëron Tiranën Zyrtare se respektimi i të drejtave të njeriut është kusht për çeljen e negociatave. "Mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht ajo e minoriteteve, është një pjesë e 5 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Prandaj, në qoftë se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e të gjithë banorëve pavarësisht kombësisë dhe origjinës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

DEBATI HISTORIK
Akropoli, “shpërthejnë” grekët: Rama mosnjohës i historisë!
Kryeministri Edi Rama citoi dje se: “Akropoli është në këmbë falë një shqiptari”. Kaq mjaftoi që mediat greke të ‘shpërthenin’ në deklarata ndaj kryeministrit shqiptar. Disa portale greke kanë komentuar duke vlerësuar ‘Ramën si mosnjohës të historisë’, ndërsa disa të tjera janë shprehur se ‘kryeministri shqiptar, po i hedh benzinë zjarri’.

“Eleftherostypos” shkruan; “Me një ofensivë të paprecedent kundër Greqisë, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke për konfiskimin e pasurive greke në Himarë. Rama, në mënyrë ironike dhe fyese, thotë se Akropoli është shpëtuar nga një shqiptar, por ngre edhe një tjetër çështje: se Athina ishte e banuar nga shqiptarët, duke mbështetur kështu teoritë me ekstreme të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar që çdo arvanitas është anëtar i minoritetit shqiptar”.

‘ProNeës’ shkruan se Rama nuk është aspak në dijeni të historisë së vërtetë të Akropolit. “Edhe një herë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli për çështjen e Himarës. Edi Rama publikoi në adresën e tij në Facebook një gravurë ku dukej Athina e vitit 1670 dhe shkruajti se Akropoli vazhdon të qëndrojë falë shqiptarit Gjergj Dushmani, që u kërkoi venecianëve të mos bombardonin Athinën. Duket se zoti Rama ka harruar pjesë kryesore të historisë: Gjergj Dushmani ishte arvanitas, që në atë kohë të gjithë ishin të fesë ortodokse greke dhe ai dhe arvanitasit e tjerë nuk kanë të bëjnë aspak me shqiptarët e sotëm. Injoranca e kryeministrit shqiptar është për të qeshur”, shkruan media greke.

Kurse ‘Protothema’ shkruan se kryeministri shqiptar zgjodhi një mënyrë të veçantë për të reaguar ndaj ministrisë së jashtme greke. Sipas kësaj media, ‘kryeministri shqiptar ka falsifikuar historinë”.

STATUSI I EDI RAMËS PËR AKROPOLIN
“Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk. Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE”.
(er.nu/shqiptarja.com)