ATHINË - Qeveria greke përshëndetui rezultatin pozitiv të takimit të ministrave të Financave të zonës euro (Eurogroup) në Bruksel duke njoftuar se bisedimet teknike për reformat e parashikuara do të fillojnë të mërkurën.
"Rezultati i Eurogrupit është pozitiv (...) dhe bisedimet teknike fillojnë të mërkurën në Bruksel me vullnetin për të zgjidhur sa më shpejt problemin financiar të Greqisë", theksoi qeveria në një komunikatë.
"Ky zhvillim është një tregues pozitiv për të arritur një zbutje të qëndrimit të BQE-së përballë Greqisë", sipas tekstit, që nënvizon se rezultati është arritur pavarësisht keqinformimeve të ditëve të fundit.
Qeveria greke njoftoi qëllimin e saj për të zgjeruar listën prej shtatë reformash të paraqitura fillimisht për partnerët e saj me dhjetë reforma të tjera, që do të bëjnë pjesë në planin kombëtar të ristrukturimit dhe të zhvillimit që do të paraqesë Greqia deri në muajin prill për të promovuar rritjen ekonomike.
"Reformat e njoftuara deri tani nga qeveria greke përfshijnë masa sociale për të varfërit dhe një sërë masash kundër evazionit fiskal dhe mashtrimit", sipas qeverisë.
Qeveria përshëndeti gjithashtu faktin që këto diskutime ishin zhvilluar tashmë në Bruksel me institucionet (BE dhe FMN) dhe jo në Athinë si në të kaluarën me "trojkën", zyrtarët e lartë të BE-së, BQE-së dhe FMN-së./ATSH/