Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti tragjik i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën dytësore Blinisht-Fishtë në Lezhë, ku humbi jetën një 13-vjeçar.

Sipas të dhënave paraprake, i mituri, banues në Fishtë pas një loje në kalçeto me moshatarët po kthehej me monopatinë nga Blinishti, për të cilat në fakt ndalohet përdorimi me urdhër të Ministrisë së Brendshme.

Dyshohet se për shkak të errësirës dhe mungesës së ndriçimit në monopatinë, drejtuesi i automjetit, me origjinë nga Elbasani, nuk ka mundur ta shohë në kohë të miturin. Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar plagë të rënda 13-vjeçarit, i cili ndërroi jetë.

I mituri ishte djali i vetëm i familjes Ndoka në Fishtë dhe vëllai i dy motrave.

Ndërkohë, ekspertiza pritet të përcaktojë edhe shpejtësinë me të cilën po lëvizte automjeti në momentin e përplasjes, si dhe rrethanat e plota të aksidentit.