Është 1.71 miliardë euro në total dëmi ekonomik i shkaktuar arkës së shtetit nga veprimet dhe mosveprimet e drejtuesve dhe dëpunësve të administratës shtetërore në qendër e në bazë, zbuluar nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në periudhën janar – dhjetor 2018. KLSH ka kryer 179 auditime dhe ka përfunduar dhe evaduar 171 të tillë, duke zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 24.1 miliardë lekë ose 193 milionë euro.

Por edhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 190 miliardë lekë, afërsisht 1.5 miliardë euro nga e cila: 116 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 923 milionë euro; 73.8 miliardë lekë afërsisht 587 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.

Në total janë konstatuar shkelje në shumën 213 miliardë e 892 milionë lekëve ose afërsisht 1.71 miliardë euro. Kursi i këmbimit të lekut/euro është kursi i Bankës së Shqipërisë i datës 31.12.2018, 1 euro = 125 lekë.

Këto shkelje financiare përgjithësisht i përkasin veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2014 deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.

KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare me dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime, në shumën totale prej 24.1 miliardë lekësh, nga e cila ka rekomanduar për shpërblim dëmi shumën 10.7 miliardë lekësh.

Nga shkeljet në zbatimin e legjislacionit tatimor 13.3 miliardë lekë; nga shkeljet në zbatimin e kodit doganor 2.1 miliardë lekë; nga keqadministrimi i pronës shtetërore të dhënë me qera dhe koncesione 6.9 miliardë lekë; në shpenzimet për paga, sigurime dhe shpërblime 125.8 milionë lekë; në shpenzimet operative 66.2 milionë lekë dhe në prokurime publike 1.2 miliardë lekë. Totali i dëmeve për vitin 2018 llogaritet në 24 miliardë e 93 milionë lekë.

Ndërkohë, sa u përket shkeljeve të konstatuara të disiplinës financiare me ndikim negative, në fushën e të ardhurave në vlerën 116 miliardë lekë, ndërsa në fushën e shpenzimeve në vlerën 73.8 miliardë lekë.

Gjatë kësaj periudhe, nga ana e KLSH-së janë bërë 41 kallëzime dhe indicie penale, për drejtues kryesisht të rangut të mesëm dhe të lartë. Numri i personave të kallëzuar arrin në 112 drejtues.