Augustin Palokaj: Serbia e di se nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

Augustin Palokaj: Serbia e di se nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën

Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Hill, se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për Serbinë është jodiplomatike, e pasaktë dhe e dëmshme. Së pari nuk i takon një ambasadori amerikan të flasë në emër të BE-së përkundër mendimit që ka SHBA-ja në BE. Së dyti nuk është e saktë, sepse Kosovën e kanë njohur shumica e madhe e vendeve të BE-së dhe nuk mund të pranojnë një anëtar të ri, i cili ka pretendime territoriale ndaj një shteti fqinjë. Dhe së treti deklaratat e tilla inkurajojnë Serbinë që të vazhdojë të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu që kanë të bëjnë me elementet që shihen si njohje de facto. Dhe krejt kjo vetëm sa e vazhdon agoninë dhe pengon suksesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë

Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën. Ky është një fakt i njohur edhe para se Kosova të shpallte pavarësinë e saj. Këtë e dinë të gjitha strukturat politike në Serbi, sepse u është thënë disa herë privatisht e nganjëherë edhe publikisht. Por kohëve të fundit është krijuar një atmosferë sikur është krejt normale që Serbia të mos e njohë Kosovën. Në këtë “normalizimin e mosnjohjes” kontribut të madh kanë dhënë dy personat kryesorë që në emër të BE-së e kanë lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak. Që të dy nga e kaluara kanë episode të kundërshtimit të njohjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare, edhe personalisht edhe në emër të shteteve ku kanë qenë ministra të jashtëm. Dhe kur kanë marrë postet e tyre në BE e kanë shfrytëzuar një rrethanë formale për të mos përmendur njohjen e Kosovës, e në raste për të thënë se njohja nuk është qëllim i dialogut për normalizimin e raporteve. Pasi BE-ja në çështjet e politikës së jashtme vendos me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, e raportet me një shtet që nuk është anëtar i takojnë kësaj fushe, mjafton një vend të jetë kundër, e që BE-ja të mos ketë qëndrim.

Në rastin e njohjes së Kosovës, janë pesë nga 27 vende anëtare që nuk e njohin Kosovën dhe si pasojë, nuk e njeh as Bashkimi Evropian. Është e vërtetë se njohja e një shteti është kompetencë e secilit shtet anëtar. Po e shohim këtë edhe në rastin e njohjes së Palestinës ku ka dallime në qëndrimet e vendeve anëtare të BE-së. Por në rastin e pavarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor vetëm për Kosovën BE-ja nuk ka shprehur as qëndrim politik për njohjen e saj. Kur Mali i Zi kishte shpallur pavarësinë, BE-ja i kishte ftuar vendet e saj anëtare që me Malin e Zi “të vendosin raporte si më një shtet sovran”. Në rastin e Kosovës BE-ja nuk e bëri një gjë të tillë, përkundër faktit se Kosova kishte shpallur pavarësinë si rezultat i një procesi ndërkombëtar ku rolin kryesor e kishte pikërisht BE-ja.

BE-ja kështu nuk e njeh Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, pasi këtë akoma nuk e kanë bërë të gjitha vendet e saj anëtare. Por BE-ja nuk mund të jetë as kundër shtetësisë së Kosovës, pasi e njohin shumica e madhe e vendeve anëtare. Dhe BE-ja nuk mund ta trajtojë Kosovën as si pjesë të Serbisë, pasi për shumicën e vendeve anëtare të BE-së, Kosova është shtet.

Edhe pse BE-ja nuk e njeh formalisht Kosovën si shtet, ajo Kosovës ia njeh territorin dhe autoritetin në atë territor. Në aspektin politik, juridik, statistikor, energjetik, atë të mjedisit e tregtisë, për BE-në Kosova është një rajon i veçantë administrativ, pa paragjykuar qëndrimet e shteteve anëtare rreth vendosjes së raporteve formale ndërshtetërore me Kosovën.

Serbia e di shumë mirë këtë fakt. Kosova ka me BE-në raportet e saj që janë ndaras nga ato të Serbisë me BE-në. Edhe pse normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për progresin e Kosovës në integrimet evropiane, e njëjta vlen edhe për Serbinë. Territori i Kosovës, popullata e saj, hapësira e tokës bujqësore dhe shumë gjëra të tjera nuk përfshihen as në marrëveshjet e Serbisë me Bashkimin Evropian, e as në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE. 

Pasi në BE hynë shtetet, nuk mund të bëhet askush anëtar që nuk është i njohur si shtet nga të gjitha vendet ekzistuese anëtare. Prandaj qëkur dihej pak a shumë se Kosova do të jetë shtet, e kjo dihej së paku nga viti 2003, në BE ranë dakord se anëtarësimi i Serbisë në BE nuk mund të ndodhë nëse një gjë e tillë do të thoshte se Kosova kurrë nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së, po ashtu.

Por për shkak se në BE ka vende që nuk e njohin Kosovën, nuk ka mundur Bashkimi Evropian të vendosë njohjen formale si kusht për Serbinë. Kjo nuk do të thotë se njohja nuk është kusht por nuk mund të përmendet formalisht. Edhe pse nuk është përmendur formalisht Serbisë i është thënë privatisht, nga disa vende edhe publikisht ndërsa në një mënyrë edhe është bërë kusht përmes formulës së “normalizimit gjithëpërfshirës ligjërisht obligues të raporteve”. Ky formulim ishte zbuluar për të bërë të qartë se njohja është kusht pa u thënë se njohja është kusht.

Së fundi edhe në kapitullin 35 të Kornizës negociuese të BE-së me Serbinë është futur formalisht si kusht zbatimi i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërsa në të ardhmen duhet të punohet në mënyrë konstruktive edhe për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Marrëveshja e arritur në pranverë të vitit të kaluar në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj në Ohër, ishte quajtur si “njohje de facto”, por kjo nuk është marrëveshje finale. Ajo duhet të përfshijë edhe njohjen de jure.

Në Bruksel të gjithë e dinë situatën rreth përmendjes së njohjes si kusht për anëtarësimin e Serbisë, të gjithë pranojnë se ky është kusht por, përveç kur flasin në emër të vendeve anëtare, nuk e thonë se është kusht. Por nuk e thonë as se nuk është kusht. Prandaj janë habitur edhe kur ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, është shprehur se ai nuk beson se njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë kusht për anëtarësim në BE. Së pari janë habitur se kjo vjen nga një ambasador amerikan, vendi i të cilit ka bërë më së shumti për njohjen e Kosovës nga vende të tjera dhe e sheh njohjen si finale të procesit të normalizimit të raporteve. Por nuk është kjo e vetmja gjë nga deklaratat kontroverse të ambasadorit Hill që shkaktojnë habi në Perëndim. Ai edhe në disa raste të tjera, si në raportet ndaj luftës në Ukrainë, shpesh deklarohet me mirësjellje ndaj qëndrimeve të Serbisë.

Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Hill, se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për Serbinë është jodiplomatike, e pasaktë dhe e dëmshme. Së pari nuk i takon një ambasadori amerikan të flasë në emër të BE-së përkundër mendimit që ka SHBA-ja në BE. Së dyti nuk është e saktë, sepse Kosovën e kanë njohur shumica e madhe e vendeve të BE-së dhe nuk mund të pranojnë një anëtar të ri i cili ka pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj. Dhe së treti deklaratat e tilla inkurajojnë Serbinë që të vazhdojë të refuzoj zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu që kanë të bëjnë me elementet që shihen si njohje de facto. Dhe krejt kjo vetëm sa vazhdon agoninë dhe pengon suksesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe ata politikanë që nuk kanë simpati për pavarësinë e Kosovës e dinë se asnjë raport mes Kosovës dhe Serbisë që nuk është njohje e dy shteteve me raporte normale, pa pretendime territoriale, nuk mund të quhej normalizim. Normalizimi nënkupton njohjen sepse ndryshe nuk do të jetë normalizim. Por një çështje tjetër duhet të merret parasysh: A dëshiron Serbia të bëhet vend anëtar i BE-së fare. Nëse gjykohet nga deklaratat që vijnë nga Serbia, nga fyerjet ndaj vendeve të BE-së, nga forcimi i raporteve me Rusinë, Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe vende të tjera antiperëndimore, atëherë vështirë se mund të thuhet se Serbia dëshiron sinqerisht anëtarësim në BE.

Prandaj edhe është shumë larg nga anëtarësimi në BE dhe kjo distancë nga arritja e këtij qëllim bën që të mos përmendet aq shumë njohja si kusht në këtë fazë të procesit të anëtarësimit që do të zgjasë edhe shumë vjet. E kur të vijë momenti që Serbia të bëhet anëtare, atëherë ajo do të duhej të njohë edhe Kosovën. Atëherë Hill, sikur edhe shumë diplomatë të tjerë dhe politikanë të sotëm, mund të jenë duke shkruar memoaret e tyre./Koha

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, sa cilësor është shërbimi në spitale shtetërore?



×

Lajmi i fundit

Mblidhet 'TIMS'/ Drejtoresha e SHISH nuk paraqitet, Salianji: Nuk është datë dasme, e papranueshme të thuhet 'nuk vij se kam punë'

Mblidhet 'TIMS'/ Drejtoresha e SHISH nuk paraqitet, Salianji: Nuk është datë dasme, e papranueshme të thuhet 'nuk vij se kam punë'