Kur Tova Friedman mbërriti në Aushvic, në qershor të vitit 1944, ishte vetëm pesë vjeçe. Qielli ishte i mbuluar nga tymi dhe ajri mbante një erë të tmerrshme. Nëna i tha: “Nëse sëmuremi...”, por nuk e përfundoi fjalinë. Mjaftoi që t’i tregonte oxhaqet dhe atë tym të zi. «Dhe unë e kuptova, edhe pse isha vetëm pesë vjeç e gjysmë. Të gjithë e dinim». Megjithatë, ajo vajzë e vogël polake mbijetoi mrekullisht nga kampi, emigroi në Shtetet e Bashkuara dhe u bë psikoterapiste.
Për kremtimet solemne të 80-vjetorit të çlirimit të kampit të shfarosjes, Friedman u ngjit në podiumin e ngritur dje para “Portës së vdekjes” në Birkenau dhe rrëfeu ferrin e saj personal. Prej vitesh, Friedman është bërë një yll në TikTok, ku shpjegon Holokaustin për nipin e saj dhe përpiqet të arrijë te brezat më të rinj, të cilët janë gjithnjë e më pak të informuar për tmerret naziste. Sot, ajo i bëri thirrje botës që «kurrë dhe asnjëherë nuk do të lejojmë që e kaluara të përsëritet».
Edhe Primo Levi mbërriti këtu po atë vit, në 1944, dhe shkroi se xhelatët e tij i mësuan menjëherë se e vetmja mënyrë për të dalë nga kampi ishte “përmes oxhaqeve”. Ai mbijetoi dhe vdiq shumë vite më vonë, në 1987. Por kush e di çfarë do të kishte thënë për ringjalljen e ekstremeve të djathta, nacionalizmave, antisemitizmit dhe racizmit që përhapet gjithnjë e më shumë. «Kur dogma e pashprehur bëhet premisa kryesore e një silogjizmi, atëherë, në fund të zinxhirit, qëndron kampi i përqendrimit», shkroi ai në librin “Nëse ky është një njeri”. Dogma e pashprehur që sot përshkonte ajrin dhe që ka filluar të helmojë përsëri jetën publike në Perëndim, është ende ajo që Levi evokoi: çdo i huaj është armik.
Një tjetër i mbijetuar, Leon Weintraub, foli nga podiumi. Pas ferrit të Aushvicit – ku në mbërritje nëna dhe halla e tij u dërguan menjëherë në dhomat e gazit – ai u shpëtua nga francezët në vitin 1945 në Offenburg. Ai peshonte vetëm 35 kilogramë dhe vuante nga tifoja. U kthye për pak kohë në Varshavë, u bë mjek, por shpërthimi i antisemitizmit në Poloninë komuniste e detyroi në vitin 1969 të largohej nga vendi dhe të emigronte «në Suedinë neutrale».
Weintraub u detyrua të arratisej dy herë nga urrejtja kundër popullit hebre: një herë nga Polonia e pushtuar nga nazistët dhe më pas nga ajo e plagosur nga stalinizmi. Dhe sot, para portës që kishte kaluar më shumë se tetëdhjetë vite më parë si i burgosur, ai nuk përdori fjalë të ndërlikuara. «Më trishton thellësisht të shoh uniforma dhe slogane në stilin nazist në rrugët e Evropës, pa pasur asnjë pasojë. Këta të ashtuquajtur nacionalistë përhapin të njëjtën ideologji urrejtjeje si nazistët gjermanë, një ideologji që vrau miliona njerëz të konsideruar si “nënnjerëz”».
Ashtu si Levi dekada më parë, edhe Weintraub paralajmëron për kthimin e intolerancës dhe zemërimit «ndaj atyre që janë të ndryshëm». Është koha «të jemi vigjilentë» dhe të mos injorojmë atë që u nënvlerësua në vitet ’30. «Përkujtimi i përvjetorit të çlirimit të Aushvicit duhet të na shërbejë si një paralajmërim kundër trajtimit çnjerëzor të individëve dhe si një këmbanë alarmi kundër ngritjes gjithnjë e më të zhurmshme të së djathtës radikale dhe antidemokratike».
Aushvici është kampi i shfarosjes më i njohur, një metonimi për Holokaustin dhe “zgjidhjen përfundimtare” të menduar nga nazistët. Shkrimtari austriak Robert Menasse sugjeron në librin “Kryeqyteti” se ai qëndron si një mit themelues i Evropës së pasluftës. Aushvici është ferri më i përmendur i universit të madh të kampeve të përqendrimit, jo vetëm sepse që nga viti 1942 u bë vendi kryesor për shfarosjen e hebrenjve – nga atëherë shumë pak shpëtuan nga përzgjedhja e famshme në rampë, shumica dërrmuese dërgoheshin direkt në dhomat e gazit dhe nga gjashtë milionë hebrenj të vrarë nga regjimi i Hitlerit, më shumë se një milion vdiqën këtu. Por edhe sepse, kur sovjetikët e çliruan më 27 janar 1945, nazistët kishin arritur të shkatërronin vetëm një pjesë të tij: ndryshe nga Treblinka apo Sobibori, infrastruktura e shfarosjes ishte pothuajse e paprekur.
Është e kuptueshme, në 80-vjetorin e çlirimit, që liderët botërorë të mbledhur dje për të përkulur kokën para turpit të Holokaustit, për të ndezur një qiri dhe për të nderuar viktimat, nuk u ngjitën në skenë dhe i lanë fjalën vetëm të mbijetuarve. Mbretërit spanjollë, holandezë, suedezë, belgë dhe britanikë qëndronin në radhët e para me kancelarin gjerman Scholz dhe presidentin francez Macron, me Sergio Mattarella-n dhe presidentin ukrainas Zelensky (por jo me Putinin rus, i përjashtuar nga lista e të ftuarve pas sulmit ndaj Kievit). Të gjithë u ngritën në këmbë pas fjalëve drithëruese të Janina Ivanska-s, 95 vjeç, e mbijetuar e Aushvicit dhe Ravensbrück-ut. «Kur lufta përfundoi, “kurrë më” u bë një premtim. Por është e pamundur që këto gjëra të mos ndodhin sërish. Lufta dhe kaosi mund të shpërthejnë në çdo moment, duke na lënë pa asnjë vend ku të ikim»./La Repubblica