Austro-Hungaria roli i saj në
caktimin e kufijve të Shqipërisë

Austro-Hungaria roli i saj në<br />caktimin e kufijve të Shqipërisë
TIRANE - Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe caktimi i kufijve të saj ishin guri i fundit i mozaikut të krijimit të shteteve kombëtarë në Ballkan. Për shkak se këto ngjarje të rëndësishme diplomatike, jo vetëm për popullsinë dhe etninë shqiptare që po materializonte një proces që popullsitë dhe etnitë e tjera të Ballkanit e kishin realizuar më herët, por edhe për vetë rajonin që për shumë kohë ishte kthyer në një skakierë diplomatike ku luanin kryesisht interesat e dy Perandorive të Mëdha, asaj Austro-Hungareze dhe Ruse si dhe të një Fuqie të re të Madhe ambicioze si Italia, studimi i tyre fiton një rëndësi të veçantë.

Pas një kompromisi të vështirë midis Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës të thirrur për të gjetur një zgjidhje të problemeve që dilnin pas Luftës ballkanike, por që në fakt pothuajse gjatë tetë muajve të veprimtarisë së saj(sigurisht me ndërprerje), u morr kryesisht me çështjen shqiptare[1], për të krijuar fillimisht një Shqipëri autonome nën suazën e Perandorisë Otomane , caktimi i kufijve të saj ishte një çështje që do të sillte më shumë debat në Konferencën e Londrës, po aq dhe mundësinë për dështimin e saj. Fillimisht pasi u ra dakord për të krijuar  një Shqipëri autonome nën suazën e Perandorisë Otomane, caktimi i kufijve të saj ishte një çështje që do të sillte më shumë debat në Konferencën e Londrës, po aq dhe mundësinë për dështimin e saj.

Vendimi i parë i Konferencës së Londrës në datën 17 dhjetor të vitit 1912 përqendrohet në dy momente: në vendimin mbi autonominë shqiptare dhe në njohjen e së drejtës së Serbisë  për një dalje në Adriatik.[2] Më andej këto vendime do të ndryshonin, në bazë dhe të situatës në rajon që ndryshonte dita-ditës por dhe interesit të dy Fuqive të Mëdha të interesuara për Shqipërinë, Perandoria Austro-Hungareze dhe Italisë. Pas shumë hezitimeve dhe presioneve sidomos nga Rusia dhe nga fqinjët ballkanikë, më në fund u arrit me miratimi e aktit përfundimtar më 29 korrik 1913. Në këtë akt kanë rëndësi shumë të madhe dy nenet e para  ku në  nenin 1 thuhej shprehimisht se Shqipëria formohet si një principatë autonome, sovrane dhe trashëgimore sipas rendit të parëlindjes(primogjeniturës), nën garancinë e të 6 Fuqive.

Harta linguistike shqipfolës e Lippich me logo
(Në foto: Harta linguistike shqipfolës e Lippich)

Princi do të caktohet nga të 6 Fuqitë, ndërsa neni 2 çdo lidhje suzereniteti midis Turqisë dhe Shqipërisë përjashtohet.[3]  Përmes këtyre dy neneve, vendimi i Konferencës së Londrës mund të cilësohen si instrumentat më të rëndësishëm ligjorë, ndërkombëtarë për sa i përket pavarësisë së Shqipërisë. Konferenca e Ambasadorëve të  Londrës  diskutoi gjerësisht dhe caktimin e kufijve të principatës autonome apo dhe të pavarur në varësi dhe të evoluimit të statusit të territoreve shqiptare  më vonë.

Situata e Shqipërisë, krahasuar në momentin kur iu garantua pavarësia dhe u morën në shqyrtim kufijtë e saj me shtetet e tjera ballkanike kur kishin qenë në të njëjtat procese politike dhe diplomatike ishte më e keqe dhe më e pashpresë. Shteti kombëtar shqiptar po krijohej pas rrënimit dhe tërheqjes së otomanëve nga Ballkani dhe kufijtë e tij do të përcaktoheshin në një konflikt të hapur me fqinjët e vet që dëshironin të zbatonin parimin e plaçkës së luftës. Kjo lakmi e fqinjëve për të përfituar sa më shumë territore edhe pa e respektuar fare parimin etnik në terren po dëmtonte shumë popullsinë shqiptare që në vigjilje të krijimit të shtetit të vet kombëtar i duhej që një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj, të mos përqendrohej rreth bërthamës së vet etnike por ti nënshtrohej autoritetit të shtetit kombëtar të popujve fqinjë. Sigurisht që parimi etnik nuk ishte respektuar tërësisht dhe në caktimin e kufijve të shteteve kombëtarë  ballkanik, por në ndryshim nga Shqipëria që po krijohej, popullsitë dhe territoret e këtyre vendeve kishin mbetur nën dominimin osman , çka linte një shpresë që në të ardhmen diçka mund të arrihej në kuadër të shpërbërjes së Perandorisë Otomane.

Në rastin e Shqipërisë caktimi i kufijve të saj merrte një rëndësi të veçantë jo vetëm për të qenë “leben fahig” –viable për të përdorur një term që përdori dhe diplomacia Austro-Hungareze por edhe për të arritur dhe përfshirë në bazë të kriterit etnik pjesën më të madhe të popullsisë dhe etnike shqiptare, pasi lënia e tyre nën administrimin e shteteve kombëtarë fqinjë nuk linte asnjë shpresë se në të ardhmen mund të kishte ndonjë rivendikim kufijsh. Për më tepër elita shqiptare kishte të freskët fatin e territoreve dhe popullsisë shqiptare të përfituar nga Mbretëria Serbe në vitin 1878 ku shumë shqiptarë ishin detyruar të shpërnguleshin nga trojet e tyre etnike. Mirëpo pavarësisht dëshirës së madhe të qeverisë së Vlorës apo dhe elitës shqiptare për të përfshirë sa më shumë territore shqiptare brenda shtetit të vet kombëtar, situata në terren ishte vërtet katastrofike, pasi më shumë se gjysma e territoreve shqiptare ishin të okupuara nga ushtritë ballkanike që dëshironin të zbatonin parimin e kompensimit në fitoren e tyre ndaj Perandorisë Otomane, duke nënkuptuar qartë përfitimin e territoreve shqiptare.

Harta e Mesopotamit me logo
(Në foto: Harta e Mesopotamit)

Në këtë moment roli i diplomacisë Austro-Hungareze ashtu si në përgatitjen e opinionit diplomatik të Fuqive të Mëdha për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, rezultoi të ishte shumë përcaktues edhe për caktimin e kufijve të ardhshëm të Shqipërisë. Momentet kryesore ku Austro-Hungaria luajti një rol të padiskutueshëm për caktimin e kufijve ishte kryesisht përcaktimi i kufijve të saj veriorë. Kjo qendrim i vendosur i Perandorisë së vjetër për të luajtur një rol të rëndësishëm dhe përcaktues për kufijtë veriorë të shtetit të porsaformuar shqiptar, kishte në themel arsyet e veta. Interesi i Austro-Hungarisë në kufirin e veriut të Shqipërisë, e kishte origjinën e vet në kultusprotektorat-protektorati fetar të Perandorëve Habsburg mbi katolikët e veriut të Shqipërisë. Herët që në 1615 me Traktatin e Vjenës, Perandori i Shenjtë Romak fitoi të drejtën të kujdeset për mirëqenien e popullsisë katolike të Perandorisë Otomane.

Ndërsa teoritikisht kjo e drejtë nuk ishte e kufizuar vetëm në Veriun e Shqipërisë, afërsia e këtij rajoni me zotërimet e Habsburgëve dhe protektorati i ngjashëm fetar i Francës në Perandorinë Otomane i bëri kufijtë veriorë precedentë të formuar mirë të interesit të Habsburgëve në Shqipëri.[4] Gjithsesi edhe pse interesi diplomatik i Perandorisë daton që herët në Luftërat Austro-Otomane të shekullit të XVI-XVII, ishte vetëm në vigjilje të nacionalizmit në Ballkan në shekullin e XIX që diplomacia vjeneze fillon dhe formon një opinion të saj statik rreth territoreve dhe popullsive shqiptare në rajon. Perandoria Otomane në shekullin e XIX ishte në gjendje të avancuar drejt rrënimit të plotë. Monarkia Habsburgase nuk mund të ishte më e sigurt në pjesën e saj jugore.

Vendndodhja e Shqipërisë në bregdetin lindor të Adriatikut e bëri atë një territor të rëndësishëm për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut.[5]Për këtë arsye Monarkia që herët në vitin 1832 kishte hapur një konsullatë të saj në Shkodër, e cila u bë në një qendër të rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon por dhe dëshmitare e rrënimit të autoritetit të otomanëve dhe rritjes së nacionalizmit ndër popujt ballkanikë ku mes tyre shquante nacionalizmi serb që pas formimit të shtetit të vet kombëtar dhe përkrahjes së hapur nga Perandoria Ruse për tu zgjeruar në territore osmane , u bë një kërcënim serioz për vetë Monarkinë dualiste që pas humbjeve të veta me Gjermaninë dhe Italinë e shihte Ballkanin si territorin e natyrshëm ku ajo mund të ushtronte ndikim dhe të zgjerohej.

Si një aksion për të balancuar rritjen e fuqisë së Serbëve në rajon, konsulli austriak më Shkodër F.Lippich sugjeronte në memorandumin e tij të datës 20 qershor 1877 për Zyrën  Jashtme,  që monarkia dualiste të mbështeste Shqipërinë. Duke mbështetur Shqipërinë , Monarkia Dualiste mund të krijonte një barrierë kundër sllavëve dhe mund të përforconte Perandorinë Otomane dhe ndalonte qëllimet imperialiste ruse.[6] Po kështu ai ishte i pari zyrtar i lartë i Monarkisë Dualiste që u mundua të përcaktonte dhe kufijtë linguistikë midis shqiptarëve dhe sllavëve në veri.

Duke pasur gjithë këtë sfond marrëdhëniesh dhe interesimi statik diplomatik midis Monarkisë Dualiste dhe territoreve shqiptare në veri, përmes gjithë krizave diplomatike dhe luftërave që kish kaluar Ballkani që nga Kongresi i Berlinit, Lufta Greko-Turke më 1897, revolucioni xhonturk, aneksimi i Bosnjës dhe së fundmi Luftërat Ballkanike, ishte e natyrshme që Monarkia Dualiste të adoptonte një qëndrim në Konferencën e Londrës që kishte në bazë konsideratat etnografike të shtrirjes së shqiptarëve në rajon. Kështu në diskutimin e çështjes së kufijve që filloi në terma më konkrete që në seancën e dytë të Konferencës së Ambasadorëve i ftuar për të thënë mendimin e tij “mbi kufirin lindor të Shqipërisë së ardhshme”, Mensdorfi, ambasadori përfaqësues i Monarkisë Dualiste përsëriti dhe njëherë pikëpamjen austro-hungareze se “ato pjesë që janë të banuara vetëm e vetëm nga shqiptarët, duhet t’i përkasin Shqipërisë”. Pastaj ai i parashtroi Konferencës një hartë të kombësive, të përgatitur më parë në Vjenë, në bazë të së cilës delte qartë “sa thellë mbërrijnë shqiptarët” në Veri dhe Verilindje.[7]

Mirëpo, ashtu si pritej propozimi i tij do të haste në kundërshtimet e kolegëve të tjerë të Konferencës së Ambasadorëve që ashtu si besohej ishte vërtetë një shprehje e Koncertit Evropian që datonte që një shekull më parë në Kongresin e Vjenës më 1815 por mishëronte gjithashtu unitetin e të kundërtave. Në fakt Konferenca jepte po atë tablo të rreshtimit të forcave dhe kontradiktave midis tyre. Dy blloqet e mëdha të kohës-Lidhja Trepalëshe dhe Antanta Kordiale e shtrinë hijen e tyre edhe mbi punimet e Konferencës së Londrës. Prapa rivalëve kryesorë qëndronin aleatët e tyre nga blloku përkatës. Padyshim pikëpamjet apo propozimet u paraqitën gjithmonë në emër të asaj apo kësaj qeverie, por pasi ishin zhvilluar më parë konsultime në rrethin e ngushtë të aleatëve për të siguruar përkrahjen e tyre.

[8]Në këtë klimë politike dhe diplomacie që pasqyronte shpirtin e epokës ishte e vështirë  që çështja e caktimit të kufijve të Shqipërisë të gjente një modus vivendi të pranueshëm nga Monarkia Dualiste dhe sllavët e jugut që kishin mbështetjen e Perandorisë Ruse për pretendimet e tyre. Debatet dhe kontradiktat në caktimin e kufijve veriorë e verilindorë të Shqipërisë u përqendruan në ato që u quajtën kriza rreth Shkodrës dhe Gjakovës. Pikësëpari duhet sqaruar se për interesat e Monarkisë, qyteti i Shkodrës që shënonte edhe fillimin e interesit të tyre fetar, diplomatik e kulturor rreth çështjes shqiptare përbënte nyjën më të rëndësishme të politikës austro-hungareze në rajon për të cilën nuk mund të bëhej asnjë kompromis. Rëndësia e Shkodrës dhe arsyet se pse ajo duhej të përfshihej brenda kufijve të shtetit shqiptar, është shprehur me tre pika kryesore të hartuara nga vetë Konti Bertold , ministri i jashtëm i Monarkisë.

Shkodra  është qendra e protektoratit tonë katolik në Veri të Shqipërisë dhe si e tillë është e rëndësishme për të mbetur në Shqipëri.
Në opinionin e ekspertëve , një Shqipëri mbijetuese është e pakonceptueshme pa Shkodrën dhe rrethinat e saj.
Nëse Shqipëria nuk do të përfshihet në Shqipëri, fiset shqiptare që e kanë qendrën e tyre rreth Shkodrës do të humbasin lidhjet e tyre me Shqipërinë. Këto fise do të jenë, kundër dëshirës së tyre, të asimiluara në Mali e Zi që është i kundërt nga pikëpamja etnike dhe fetare nga Shqipëria.[9]

Sigurisht që mbrapa këmbënguljes së Monarkisë për të mbajtur Shkodrën brenda kufijve të shtetit shqiptar qëndronte fakti se diplomacia Austro-Hungareze e përfaqësuar nga Konti Bertold, duke mos ushqyer iluzione se do të mund të përballonte presionin e diplomacisë së vendeve të Antantës që mbështesnin  parimin e  “së drejtës së luftës” për të kompensuar me territore shtetet ballkanikë që kishin fituar mbi Perandorinë Otomane, dëshironte që në pamundësi për të krijuar një shtet shqiptar që do përfshinte sa më shumë popullsi dhe qytete shqiptare brenda tij, të paktën të garantonte një shtet mbijetues, të aftë që të ushtronte kontroll mbi zonat bregdetare të Adriatikut Lindor, në mënyrë  që asnjë Fuqi tjetër e huaj të mund të ndërhynte aty. Kjo ishe arsyeja që qytetet e Gjakovës, Pejës, Prizrenit dhe Dibrës, qytete etnikisht të pastra shqiptare, pavarësisht dëshirës së Monarkisë për tu përfshirë brenda shtetit shqiptar, u konceptuan nga kjo e fundit edhe si një objekt shkëmbimi dhe kompromisi në traktativat diplomatike me Perandorinë Ruse.

Kjo gjë dëshmohet që nga raportet e para të Mensdorfit[10] dërguar shefit të vet Bertold por edhe në ecurinë e ngjarjeve që përcaktuan dhe kufijtë Veriorë dhe Verilindorë të Shqipërisë. Pranimi i krijimit të shtetit shqiptar dhe moslejimi i daljes së Serbisë në Adriatik ishte parë si koncesione të mëdha politike nga ana e Perandorisë Ruse, kështu që në shkëmbim të Shkodrës , diplomacia ruse kërkonte që qytetet e Prizrenit, Pejës , Gjakovës dhe Dibrës ti jepeshin Serbisë si kompensime territoriale. Zgjidhja e këtij rebusi të vështirë diplomatik për Fuqitë e Mëdha , por kaq të dhimbshëm për popullatën shqiptare në terren do të vinte përmes politikës së presioneve por dhe të lëshimeve. Edhe pse çështja e kufijve veriorë të Shqipërisë po shikohej si çështje prestigji dhe jetë a vdekje midis Monarkisë dhe sllavëve të jugut e dëshmuar kjo nga fjalët e Konrad, shefit të Shtatmadhorisë Austro-Hungareze se situata është kthyer në një test force midis Monarkisë dhe Serbisë dhe se  ky test force duhet të zgjidhet[11], sërish Monarkia nuk mund të shkonte aq larg pasi në horizont mund të shfaqej konflikti i armatosur me Rusinë.

Thelbi i politikës Austro-Hungareze qëndron në fjalët e Kontit Bertold që edhe pas koncesionit që kishte bërë Mensdorf në Konferencën e Ambasadorëve në 14 janar 1913 se Austro-Hungaria nuk do të insistonte më për përfshirjen e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit brenda kufijve të shtetit shqiptar, koncesion që duket se e dobësuan pozitën Austro-Hungareze në Konferencë, pasi këto qytete sipas konceptit fillestar të Kontit Bertold duhet të kishin qenë oferta shkëmbimi, sërish do të theksonte “ne jemi të përgatitur për të lëshuar territor të banuar në pjesën më të madhe prej shqiptarësh me qëllim për të gjetur një bazë të fortë për një mirëkuptim. Por ne absolutisht nuk mund të shkojmë shumë larg në këto lëshime sa të krijojmë një Shqipëri të përbërë nga toka joprodhuese shkëmbore të cilat nuk mund të përbëjnë një shtet mbijetues.[12]Me pak fjalë tashmë diplomacia Austro-Hungareze dukej qartë se braktisi parimin etnik por vazhdoi të qëndronte fort në principin e mbijetueshmërisë të shtetit shqiptar që do të mbetej deri në fund dhe principi mbi të cilën diplomacia Habsburgase do të bënte lëshimet, presionet dhe traktativat mbi kufijtë veriorë shqiptarë.

Preokupimet më të mëdha në të shumtën e rasteve nuk ishin tashmë më të karakterit etnik , por shpesh herë kaluan dhe në shqetësime melodramatike mbi fatin e mbretërisë të Malit të Zi që ishte ushqyer prej kohësh me iluzionin që duhej të zgjerohej në jug dhe Shkodrën të kishte si kryeqytet të Mbretërisë apo me keqardhjen për mos daljen në det të Serbisë dhe për këtë gjë duhej kompensuar me toka shqiptare në Verilindje që nuk përbënin interes strategjik për Monarkinë. Ngjarjet e mëvonshme do të rridhnin shumë shpejt dhe për të zhbllokuar këtë situatë nuk do të nguronin, takimet e fshehta diplomatike, letrat e shkëmbyera midis dy sovranëve deri  dhe propozime të çuditshme anti ekologjikë si tharja e liqenit të Shkodrës për të përfituar toka të reja për mbretërinë shkëmbore të Malit të Zi, derisa do të arrihej kompromisi përfundimtar në datën 22 mars 1913 ku u fiksua marrëveshja e plotë për kufijtë Verior dhe Verilindor të Shqipërisë.

Mbledhja duke marrë shënim për njoftimin austro-hungarez lidhur me lënien e Gjakovës Serbisë, fiksoi marrëveshjen tanimë të plotë për gjithë vijën e kufirit në Veri e Verilindje. Më tej përveç që konstatonte nevojën e marrjes së “masave urgjente për të mbrojtur popullsinë katolike dhe myslimane dhe shqiptare në krahinat që iu dhanë Malit të Zi dhe Serbisë”, mbledhja u rekomandoi Fuqive që të ndërmerrnin hapat e konkorduar  t’i nënshtroheshin vendimeve  të tyre. Duke qenë se çështja shqiptare-thuhej për këtë në procesverbalin e mbledhjes-nuk ishte aspak e lidhur me vazhdimin e luftës midis Turqisë dhe aleatëve, Fuqitë mund të ndërhynin në Cetinë dhe Beograd, me qëllim që të hiqej rrethimi i Shkodrës, të ndërpriteshin luftimet në tokat që iu lanë Shqipërisë dhe të zbrazeshin këto sa më parë.[13]

Si përfundim ishin caktuar kufijtë Veriorë dhe Verilindorë të shtetit më të ri të Evropës duke mos respektuar aspak kriterin etnik, duke arritur një paqe të vështirë në tavolinat e Konferencës së Ambasadorëve, partiturës së fundit të Koncertit Evropian të Fuqive të Mëdha të nisur një shekull më parë në Vjenë, paqe që jo më shumë se një vit do të prishej nga krisma e kobures që vrau Princin Kurorës së Monarkisë, Franc Ferdinantin e që do shënonte fillimin e Luftës së Parë Botërore, një nga kasaphanat më të mëdha të njerëzimit. Përcaktimi në mënyrë arbitrare të kufijve të Shqipërisë edhe pse në përgjithësi këto kufij u respektuan nga Fuqitë edhe pas dorëzimit të Shkodrës në duar të malazezve duke mos lejuar këta të fundit për ta aneksuar, u kthyen në fakt në burim konflikti të vazhdueshëm përgjatë gjatë gjithë shekullit duke dëshmuar edhe njëherë se vendimet e marra pa respektuar kriterin etnik si faktor përcaktues e vetëvendosës  janë të destinuar të dështojnë.

■ Bibliografi:
1. Hall Richard  Cooper, (1974) Austro-Hungary and the northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University
2. Puto A(1978). Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë : 8 Nëntori
3. Puto,A(2003)Historia Diplomatike e çështjes shqiptare. Tiranë:  Albin
4. Cambon-it dt 22.03.1913, DDF 3 serie t.VI, D NR,49 DHE TEL Mensdorf-it po asaj date QUA d.nr. 6261 

*Doktorant në Qendrën e Studimeve Historike
Instituti i Historisë

Shënime

[1] Puto . A(1978) Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori, faqe 152
[2] Puto,A(2003)Historia Diplomatike e çështjes shqiptare. Tiranë : Albin, faqe 99
[3] Puto . A(1978) Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori, faqe 326
[4] Hall Richard  Cooper (1974),  Austro-Hungary and the northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University  , faqe 1
[5] Po aty faqe 1
[6] Hall Richard  Cooper (1974),  Austro-Hungary and the northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University  , faqe 2
[7] Puto . A(1978) Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori, faqe 162-163
[8] Po aty faqe 150
[9] Hall Richard  Cooper (1974),  Austro-Hungary and the northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University  , faqe 38-39
[10] Shih për më tepër Puto . A(1978) Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë: 8 Nëntori, faqe 164
[11] Hall Richard  Cooper (1974),  Austro-Hungary and the northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University  , faqe 44
[12] Hall Richard  Cooper (1974),  Austro-Hungary and the northern Albanian frontier 1912-1913, Ohaio: Ohiao State University  faqe 47
[13] Raport i P.Cambon-it dt 22.03.1913, DDF 3 serie t.VI, D NR,49 DHE TEL Mensdorf-it po asaj date QUA d.nr. 6261 cituar sipas Arben Puto. Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe Pavarësia e Shqipërisë. Tiranë 8 Nëntori, faqe 205
 
Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime

Zbulohet trajtimi i parë i astmës pas 50 vitesh kërkime