Pas propozimeve që qarkulluan në rrjetet sociale për ta kthyer në instalacion autobusin “Go Green” që përfundoi në lumin ‘Lana’ pas aksidentit të djeshëm, kryebashkiaku Erion Veliaj ka nisur një sondazh në rrjetet sociale.

Në një postim në ‘Twitter’, Veliaj u kërkon qytetarëve të japin mendim nëse autobusi duhet të kthehet në një instalacion si shenjë sensibilizimi ndaj drejtuesve të mjeteve për shmangien e aksidenteve në kryeqytet

“Fatmirësisht aksidenti më i çuditshëm në një shekull kryeqytet qe pa pasoja për jetën! Por, teksa po përgatiteshim për të hequr autobusin mbi Lanë, shumë vetë propozuan ta lëmë si një instilacion për kujdesin në timon e urë alternative mbi Lanë”, shkruan Veliaj.

Po ju si mendoni, a duhet të kthehet në instalacion autobusi në ‘Lanë’.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:14
Autobusi në Lanë, gazetari Rusta: Bashkia ta lërë si instalacion për disa muaj, të shërbejë si sensibilizim për shoferët e këmbësorët

Gazetari Arsen Rusta u është bashkuar propozimeve për ta lënë si instalacion autobusin e aksidental një ditë më parë që përfundoi në lumin ‘Lanë. Gazetari shkruan se Bashkia Tiranë duhet ta shohë si një mundësi për ta lënë instalacion autobusin së paku disa muaj, që të shërbejë si sensibilizim për shoferët dhe këmbësorët.

“Çfarë është kjo? Një vepër arti me dorën e njeriut dhe ndihmën e zotit pa viktima.

Një instalacion që tregon se privatja e publikja përballen egër. Një pamje se si papëgjeshmëria në timon vret.

"Ura e Gjelbër". Bashkia Tiranë le ta shoh mundësinë për ta lënë sëpaku disa muaj aty. Të reflektojnë shoferët këmbësorët se si duhen respektuar rregullat e qarkullimit rrugorë”, shkruan gazetari.

Ora 12:55
Autobusi i aksidentuar në Tiranë, ende në lumin Lana, propozimi i piktorit: Të qëndrojë aty si instalacion publik

Piktori i njohur shqiptar, Helidon Haliti ka propozuar që autobusi i aksidentuar një dje në Tiranë, i cili ndodhet ende në lumin Lana, të qëndrojë aty ku është, si një instalacion arti për qytetin.

Në facebook ai shkruan se ky do të ishte një nga instalacionet 'më të bukura në botë ku autor është vetë 'Populli'.

“Pa dashur të prek askënd dhe kërkoj ndjesë për këtë, por e kam krejt artistik propozimin… Unë këtë e lija aty si INSTALACION ARTI dhe do ishte nga instalacionet më të bukur në botë me autor 'POPULLIN'”, shkruan ai.

Aksidenti u regjistrua mbrëmjen e djeshme, ku autobusi i linjës së Unazës përfundoi në Lanë së bashku me një makinë pasi u përplasën. Për pasojë mbetën të lënduar lehtë 5 persona.