Tre persona mes tyre një i mitur, një 18-vjeçar dhe një 66-vjeçar kanë rënë në prangat e policisë si autorë të dyshuar të disa vjedhjeve në Vlorë e Sarandë.

Sipas njoftimit të policisë bëhet me dije se dy të rinjtë i kanë vjedhur me dhunë portofolin një qytetareje. Ngjarja ëshhtë shënuar më 30 mars në lagjen ‘1 Maji’ në Vlorë.

“Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve dhe si rezultat i veprimeve intensive hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 3 shtetasve të dyshuar për vepra penale kundër pronës.

Në lidhje me një rast vjedhjeje me dhunë, të ndodhur më datë 30.03.2026, rreth orëve të mbrëmjes, në lagjen “1 Maji”, në qytetin e Vlorës, u arrestuan dy autorët e dyshuar, të cilët i kanë vjedhur me dhunë portofolin me një shumë parash shtetases J. K., 39 vjeçe, banuese në Vlorë.

Shtetasit e arrestuar janë: B. T., 18 vjeç dhe një 16-vjeçar të dy banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit ndaj tyre, specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, gjetën dhe sekuestruan shumën monetare të vjedhur, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë 66-vjeçari ka vjedhur një çantë dore me sende personale në makinën e një qytetari në Sarandë.

“Gjithashtu, më datë 30.03.2026, rreth orëve të pasdites, në qytetin e Sarandës, një shtetas ka vjedhur nga automjeti i shtetasit L. T. një çantë dore me sende personale.

Falë reagimit të shpejtë dhe punës së mirëorganizuar të Policisë, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar: N. Ç., 66 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Sarandë për veprën penale “Vjedhja”, thuhet më tej në njoftim.

_________________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë