Autoriteti i dosjeve kundër Pëllumb Xhufit për kampin e Tepelenës

Autoriteti i dosjeve kundër Pëllumb Xhufit për kampin e Tepelenës

Pëllumb Xhufi

Në një emision televiziv më 28 mars historiani Pëllumb Xhufi ka dhënë disa argumente mbi historinë e kampit të të internuarëve në Tepelenë, të ngritur nga regjimi komunist mes viteve ‘40-’50. Xhufi ka deklaruar se “Ky kamp nuk ka qenë aspak shfarosës dhe ka pasur ambiente goxha të mira ”, dhe ka vijuar më tej me një deklaratë që është gjykuar me nëntekst diskrimnues se “shumica e personave që ishin aty, qenë familjarë të personave që sponsorizoheshin nga jugosllavët për veprime sabotuese në territorin shqiptar”.

Fraza që nënkupton se pasardhësit e fajtorëve meritonin dënime, ka rritur sensibilitetin, jo vetëm tek bashkëvuajtësit e atij kampi famëkeq, por edhe të institucionit të Autoritetit të Dosjeve të Komunizmit e pëfaqësuesve të drejtësisë.

Vetë historiani Pëllumb Xhufi nuk ka pranuar të flas për “Shqiptarja.com”, se cila ka qenë arsyeja e këtyre reagimeve, por fjalët e tij kanë qëlluar rëndë. Studiuesi Uran Butka, i është përgjigjur shkurt një telefonate të “Shqiptarja.com”, duke u shprehur se historiani Pëllumb Xhufi është shumë korrekt për historinë e Mesjetës, por nuk është aspak korrekt për historinë e komunizmit”.   

II.

Autoritei i dosjeve: Kushtet e tmerrshme në kampin e Teplenës, vdiqën 285 fëmijë
Çfarë ishte Kampi i Tepelenës? Dhe pse është e mundshme që ky vend të kthehet në vend të vizitueshëm? Në maj 1949 filloi të funksionojë kampi i Tepelenës, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit. Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendoj se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë: Bektash Pogaçe (1949 –1952) dhe Haki Ibrahimi (1952-1953), të dy me arsimim të papërfunduar. Organizimi i Tepelenës vazhdoi të ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba, në të cilët të internuarit i cili kontrollohej nga ushtarë të armatosur. Gjatë viteve 1949-1953, në Tepelenë u vendosën rreth 1500 familje: burra, gra, të moshuar dhe fëmijë. 

Tepelena nuk ishte i vetmi vend internimi në Shqipëri, as në këtë kohë dhe as gjatë gjithë viteve të regjimit komunist. Shumë krahina të tjera në Shqipëri shërbyen si vende për të internuar njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin të afërm të individëve që regjimi i konsideronte të rrezikshëm. Por, Tepelena është kampi i cili mbeti në mendjen e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin. 

Tepelena mbeti në kujtesën e njerëzve, pasi për shkak të këtyre kushteve të vështira, pati raste të shumta vdekjesh, sidomos në mosha të reja. Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria. Ndërkohë që nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë, fenomen i cili nuk haset në kampe të tjera të ngjashme.

Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe nevoja për të konsoliduar sistemin e internim-dëbimeve, që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.

Brezi më i ri i shqiptarëve ka pak njohuri për çfarë kanë ndodhur gjatë regjimit komunist dhe mekanizmat e përdorura prej tij për të mohuar të drejtat më elementare njerëzore për kundërshtarët realë apo imagjinarë. Dokumentet arkivore për vitet e para të regjimit mungojnë, apo janë shumë të pakta. Kjo për shkak të nivelit shumë të ulët të edukimit të nëpunësve të administratës së asaj kohe. Në kushtet kur po humbasin, për shkak të moshës, edhe dëshmitë e personave që e kanë jetuar atë kohë, shumë shpejt nuk do të kemi mundësi të gjejmë të dhëna mbi këto aspekte të Shqipërisë komuniste. 

Në mënyrë që e kaluara të mos harrohet dhe të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar në baza më solide të ardhmen, shqiptarët kanë nevojë për të pasur disa vende të kujtesës, si: institucione burgimesh, internimesh etj. Sa i takon sistemit të internim-dëbimeve, kampi i Tepelenës do të ishte ideal si vend kujtese për disa arsye:

1. Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës në Kampin e Tepelenës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

2. Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.

3. Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto – Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës etj., nuk na kanë mbetur objekte kujtese, për kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Previzit na japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit.

Pergatitur nga Qendra e Sudimeve Albanologjike, date 13 mars 2018, per te paraprire punen projektuese te memorialit te Tepelenes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:49
Av. Xhafer Sadiku: Xhufi politikisht korrekt, e djathta s’bëri asgjë për falsifikimin e historisë

Avokat Xhafer Sadiku, i ka bërë një analizë jo vetëm deklaratave të Xhufit, por edhe shkaqeve se pse ka arritur të injorohen vuajtjet e të internuarëve në diktaturë. Ja çfarë shkruan ai: 

“-Nuk ka rendësi se sa kanë vdekur; 300 apo 176;
-Nuk ka rendësi nëse kazerma ka qenë e mbuluar mirë apo e rrënuar;
-Nuk ka rendësi çfarë kishin bërë burrat dhe a ishin fajtorë

-Rendësi kanë telat me gjemba që i rrethonin, ushqimi i keq, kushtet e vështira, semundjet e shumta etj.
-Rëndësi ka që ishin rrethuar me tela me gjemba fëmijët, gratë dhe pleqtë. Të gjithë të pafajshëm!
-Rëndësi ka se ishin shkelur edhe ligjet e regjimit të kohës.

E megjithatë, Z. Xhufi është politikisht “korrekt”.
Është “korrekt” pasiqë i përket shkollës marksiste të historiografisë, që i këndonte luftës kundër “armikut të klasës”.
Është politikisht korrekt, sepse mbron historinë e së Majtës, që e kanë shkruajtur historianët marksistë.

Problemi qendron tek ata që kanë vuajtur dhe tek e Djathta në përgjithësi:

-Sepse nuk kanë bërë asgjë për të flakur në kosh të plehrave historinë e shkruajtur nga historianët marksistë. Madje një pjesë e tyre edhe i nderojnë kalemxhinjtë që u kanë falsifikuar historinë.

-Sepse nxënësit dhe studentët, bij të tyre, nuk i bojkotojnë tekstet e historianëve marksistë. Ti hedhin në kosh të plehrave.
-Sepse nuk kanë investuar kohë dhe para për të nxjerrë nga arkivat gjithcka që ka të bëjë me historinë e tyre.
-Sepse nuk u japin asnjë mbështetje historianëve dhe studiuesve të pavarur dhe nga radhët ë tyre.

E sa kohë do të veprohet kështu, të tjerë si Z. Xhufi do të hedhin baltë mbi ta.

Ora 07:48
Lenon Mirakaj: Xhufi u tall me numrin e viktimave të kampit famëkeq të Tepelenës

Leon Mirakaj, pasardhës i njërës prej familjeve më të mëdha në numër të internuara në kampin e Tepelenës reagon në Facebook duke rrëfyer ndër të tjera se:

“Fajet“ e baballarëve, duhet të hidheshin mbi fëmijët e gratë e tyre… sepse, historiani në fjalë nuk tha se “kriminelët“ e mbajtur aty ishin: gra, plaka e fëmijë.
Personalisht kam pasur aty stërgjyshen 70 vjeçare, gjyshen 25 vjeçe, nuset e xhaxhallarëve të tim eti, nga 26 vjeç secila e fëmijët e tyre, babai 6, xhaxhai 4, hallat 10 e 12 , xhaxhai tjetër 7 vjeç.

Po njësoj ishin në përbërjet e tyre edhe mjaft familje të tjera të internuara. Pra, siç kuptohet, vetëm nga një person që dëshmon personalisht, “kriminelët“ paskëshin qenë fëmijë 04-12 vjeç!

Ky fakt, – më se i verifikueshëm nga një historian, që do të japë mendje mbi argumentin, – do të mjaftonte ta bënte të heshtë Xhufin. Jo, jo vetëm nuk heshti, por u tall me ta e me numrin e viktimave të atij kampi famëkeq. Pyetjes së drejtuesit të emisionit se: “në kamp mos gabohem kanë vdekur 300 fëmijë”- Xhufi, si i pickuar nga zekthi deklaroi: ”aspak e vërtetë”. Siç duket, për Xhufin, vdekja e fëmijëve, që të përmbushë statistikën, u dashka të jetë më shumë se 301!

Nuk dua t’u shpjegoj “xhufkave pa zero” me shokë se ç’qe kampi shfarosës i Tepelenës, apo kampet e tjera famëkeqe në Shqipëri, e as ç’qe komunizmi që patëm mbi kurriz për 45 vjet. Një baba, ka një vajzë në mos gabohem, që deklaron se nuk qe shfarosës sepse u vranë 100 e jo 300 fëmijë e që këta fëmijë e meritonin vuajtjen sepse paskan qenë të “pazotë” të ndalonin baballarët, të mos merreshin me sulme kundër pushtetit. (Një sqarim të vogël për këtë burrë të shkurtër e mashkull të keq: kur u internuan prindërit e mi dhe shumica e bashkëvuajtëseve të tyre, vitet ‘45-‘48, jugosllavët ishin dajot e Xhufit, në mos baballarët e tij) nuk meriton asnjë konsideratë t’i drejtohesh.

Shkrova këto rreshta për dy arsye: e para, këtë vit u vendos nga qeveria, Autoriteti për informimim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe nga bashkia e Tepelenës, krijimi i një memoriali në kujtim të qindrave jetëve të humbura nga sadistët komunistë në ketë kamp. Pra, është absurde që një veprim kaq i drejtë edhe i vonuar i qeverive tona, të poshtërohet pikërisht nga një historian të cilit i është dhënë e drejta, po nga qeveria, të jetë pjesë e grupit që do të hartojë tekstet e shkollave tona për historinë.

Dhe e dyta, padrejtësitë e atij regjimi ishin krejt paradoksale. Le të hamendsojmë se Xhufi, si bir komunisti do të qe dënuar në atë kamp, – duke mos qenë i aftë të ndalonte babanë të mbështeste jugosllavët, – do kishte ngordhur (për të është me hak kjo shprehje) nga dizanteria në atë kamp. Në këtë rast, ne do të kishim një mashkull te keq më pak dhe një vend të lirë më shumë mes intelektualëve e historianëve për të bërë një histori tonën normale e të vërtetë.
(lm)

Ps:. Ne fajt, duhet te jemi ne qe te merremi me Xhufin e shoket e tije .Te bejm ate qe ende s’eshte ber: denimin e krimeve te komunizmit me ligje e shpalljen fajtore.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 30/03/2018 11:48

    Ne radh te par keqardhje per ato gra e famij qe per faj te burrave qe kishin ngritur armet kundra vendit te tyre nen sherbimin e agjenturave te huaja si udb jugasllave e asfalia greke duke vrar vellezerit e tyre qe ishin ushtar e civila qe i sherbenin atdheut dhe turp ti vij ketij shteti qe mbron dhe demshperblen keta agjenta serb gjithmon ne luft kush ngre armet o vritet o fiton dhe keta qe ngriten armet kundra vendit te tyre humben bashk me armiqt serb kush u bashkua me armikun turpi do e nbuloi te jeten

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!

Presidenti Bajram Begaj uron Krishtlindjet nga Mitropolia e Beratit: Ditë e shenjtë që simbolizon paqen, të reflektojmë për vlerat e njerëzimit dhe dashurinë!