TIRANË- Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka propozuar një nismë bashkëpunimi me Shoqatën që administron Vilën 31, një vend me një histori të ndërlikuar dhe simbolikë të veçantë. Qëllimi kryesor, thotë drejtoresha e këtij institucioni Gentiana Sula, është që kjo hapësirë historike të shndërrohet në një pikë referimi për reflektimin mbi periudhën komuniste dhe ndikimin e saj në Shqipëri.
Nisma synon të theksojë aspektet e errëta të regjimit komunist, duke përfshirë survejimin, kontrollin dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit nën drejtimin e figurave si Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe. Kjo do të realizohet përmes:
Ekspozitave të përkohshme që eksplorojnë jetën private të këtyre figurave dhe rolin e tyre në vendimmarrjet që çuan në shtypje dhe persekutim.
Workshop-e dhe seminare mbi ndikimin e diktaturës në kulturën dhe artin shqiptar, me fokus propagandën dhe censurën.
Materialeve informative që pasqyrojnë realitetin e asaj periudhe, për të ndihmuar vizitorët të kuptojnë më mirë sfondin historik.
Tureve të specializuara, të mbështetura nga dokumente dhe dëshmi nga dosjet e Sigurimit, për një edukim më të thelluar.
Njoftimi i Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991:
Sot, si Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kam një propozim të hapur bashkëpunimi për Shoqatën që administron Vilën 31, tani e njohur si "Vila 31 Art Explora", banesë e pronarëve historike, të përndjekur, dhe më pas e Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhes.
Koçi Xoxe dhe Enver Hoxha ishin dy nga figurat më të rëndësishme të regjimit komunist në Shqipëri, ku rolet e tyre në shtypjen dhe persekutimin e kundërshtarëve politikë janë të dokumentuara gjerësisht.
Koçi Xoxe, si Ministër i Brendshëm, drejtonte Sigurimin e Shtetit, një organ që u bë sinonim i represionit dhe terrorit gjatë viteve të para të komunizmit. Nën drejtimin e tij, Sigurimi i Shtetit zhvilloi fushatat e para të mëdha kundër "armiqve të klasës", duke përdorur metoda të tilla si arrestime pa gjyq, tortura, dhe ekzekutime. Xoxe ishte i njohur për zbatimin me zell të politikave të Hoxhës, duke i dhënë një fytyrë të errët regjimit të ri në Shqipëri.
Enver Hoxha, nga ana tjetër, ishte udhëheqësi suprem i Shqipërisë komuniste dhe arkitekti kryesor i politikave që do të përcaktonin fatin e vendit për dekada. Ai personalisht nënshkruante platformat e punës dhe vendimet që çonin në shtypjen e opozitës, kolektivizimin e dhunshëm, dhe izolimin e Shqipërisë nga bota e jashtme. Dokumentet historike na tregojnë se ai shpesh nënshkruante me dorën e vet vendime që çonin në arrestime, dënime të rënda, torture dhe madje edhe ekzekutime, duke treguar përgjegjësinë e tij direkte për shumë nga krimet e regjimit komunist.
Une besoj se ketu ka një mundësi të rëndësishme për të pasuruar përvojën e vizitorëve në këtë vend historik duke:
1. Organizuar një ekspozitë të përkohshme për të eksploruar jetën private të Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes në kontekstin e rolit të tyre drejtues e urdhërues në survejimin, kontrollin, përndjekjen dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit.
2. Mbajtur workshop-e dhe seminare mbi ndikimin e diktaturës në kulturën dhe artin shqiptar, duke theksuar propagandën dhe censurën.
3. Krijuar materiale informative për të dhënë një pasqyrë më të plotë të kohës së komunizmit në Shqipëri.
4. Shtuar ture të specializuara me histori dhe dëshmi nga dosjet e Sigurimit, për një edukim historik më të thelluar.
Gentiana Mara Sula