Autoriteti i Konkurrencës ka hapur përsëri një hetim të thelluar për tregun me pakicë të telefonisë celulare.
Sipas burimeve nga AK-ja, shkas është bërë sërish një ankesë e kompanisë "Plus Communication", që është ankuar për sjelljen e kompanisë me pozitë dominuese në treg.
Problemet e sinjalizuara nga operatori "Plus Communication" lidhen në praktikën e përdorur nga operatorët më të mëdhenj për të ofruar tarifa shumë të lira brenda rrjetit dhe tepër të larta jashtë rrjetit. Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e vitit të kaluar arriti në konkluzionin se mbyllja e komunikimit brenda rrjeteve të mëdha me këtë formë e bën të pamundur konkurrencën nga operatorët më të vegjël dhe rrezikon t'i nxjerrë ata nga tregu.
Edhe hetimi i dytë, i saponisur nga Autoriteti i Konkurrencës, është hapur bazuar mbi të njëjtat argumente, por thjesht për një periudhë të ndryshme objekt hetimi. Pas rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, AKEP vendosi shprehimisht të ndalojë aplikimin e tarifave të diferencuara për tarifat brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit. /atsh/