Rrethi i ngushtë i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban mund të përballet me hetime për miliarda euro fonde të Bashkimit Evropian të dyshuara si të humbura gjatë viteve të qeverisjes së tij. Kështu ka deklaruar Ferenc Pal Biro, president i Autoritetit të Integritetit në Hungari, i cili tha se zyrtarë të lartë mund të ndiqen penalisht për përfshirje në një skemë që, sipas tij, ka dëmtuar rëndë interesat e taksapaguesve evropianë.
Deklaratat vijnë në një moment kur qeveria e re e kryeministrit Peter Magyar po përpiqet të bindë Brukselin për të zhbllokuar më shumë se 10 miliardë euro fonde që janë ngrirë për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit gjatë qeverisjes së Orbanit.
Në një intervistë për Politico, Biro tha se institucioni që ai drejton ka identifikuar disa raste ku shteti hungarez duhet të përpiqet të rikuperojë fondet e humbura.
“Politikanë të nivelit të lartë mund dhe duhet të ndiqen penalisht”, deklaroi ai. Sipas tij, shumica e fondeve të dyshuara kanë dalë tashmë jashtë Hungarisë.
“Kemi identifikuar një numër çështjesh penale ku personalisht besoj se duhet të jemi në gjendje, si vend, t’i rikuperojmë këto fonde dhe t’i kthejmë ato, sepse shumica e tyre tashmë kanë dalë jashtë vendit”, tha Biro.
Megjithatë, ai nuk ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj Orbanit apo figurave të tjera të rëndësishme të partisë Fidesz. Ish-kryeministri dhe partia e tij nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Autoriteti i Integritetit u krijua në vitin 2022 si pjesë e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian për të monitoruar përdorimin e fondeve evropiane. Institucioni konsiderohet i pavarur nga qeveria dhe pritet të luajë rol kyç në zbardhjen e rrjeteve klienteliste që, sipas kritikëve, janë krijuar gjatë viteve të qeverisjes së Orbanit në sektorë si ndërtimi, shërbimet publike, energjia dhe media.
Sipas Biros, hetimet kanë zbuluar se tre kompani kanë fituar pjesën më të madhe të kontratave shtetërore për mallra dhe shërbime, ndërsa vlera e tyre është fryrë artificialisht.
Ai tha se gjatë katër viteve të fundit shteti hungarez ka shpenzuar rreth 10 miliardë euro me këto kompani.
“Fryrja e çmimeve që ne besojmë se lidhet me rrezikun e korrupsionit arrin në rreth 3.5 miliardë euro”, tha ai.
Sipas Birós, tenderat publikë janë manipuluar dhe produkte bazë janë blerë me çmime disa herë më të larta se vlera e tregut.
“Nën qeverinë e mëparshme, shteti hungarez u bë lojtari më i madh në treg”, shtoi ai.
Akuzat vijnë në një kohë kur Peter Magyar, i cili mori detyrën në muajin maj pas një fitoreje të thellë në zgjedhje, ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të programit të tij politik.
Muajin e kaluar, Magyar zhvilloi një takim në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas takimit ai deklaroi se ishte arritur dakordësi për të punuar drejt zhbllokimit të deri në 16.4 miliardë eurove fonde evropiane për Hungarinë.
Megjithatë, qeveria hungareze duhet të paraqesë deri në fund të gushtit një plan bindës për reformat dhe mënyrën e përdorimit të fondeve. Në të kundërt, ekziston rreziku që këto para të humbasin përfundimisht.
Biro tha se Hungaria ka mbetur dukshëm pas vendeve të tjera sa i takon kontrollit dhe monitorimit të fondeve evropiane.
Ai pretendoi gjithashtu se gjatë përpjekjeve për të hetuar rastet e dyshuara është përballur me presione dhe tentativa për ndikim. Sipas tij, bashkëshortes së tij i ishte ofruar një vend pune me pagë të lartë pa pasur detyra konkrete, ndërsa vetë ai ishte ndaluar dhe ishte akuzuar për përdorim të papërshtatshëm të automjetit të kompanisë.
Biro i bëri thirrje qeverisë së re që të hetojë sa më shpejt rastet e dyshuara të korrupsionit dhe intimidimit.
“Një nga mandatet kryesore mbi të cilat u ndërtua kjo fitore e thellë zgjedhore është lufta kundër korrupsionit dhe rikuperimi i fondeve. Drejtësia duhet të vihet në vend dhe njerëzit duhet të marrin mbrapsht atë që u është vjedhur”, deklaroi ai.
Nga ana e saj, Komisioni Evropian tha se ka “zero tolerancë ndaj mashtrimit me buxhetin e Bashkimit Evropian”.
Një zëdhënës i Komisionit deklaroi se shtetet anëtare kanë përgjegjësinë kryesore për të parandaluar dhe zbuluar rastet e mashtrimit me fondet evropiane, ndërsa Brukseli do të kërkojë rikuperimin e çdo fondi të përvetësuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas Birós, qeveria e re ende nuk ka paraqitur një plan konkret bashkëpunimi me Autoritetin e Integritetit, por institucioni që ai drejton është i gatshëm të ndajë të gjithë informacionin e mbledhur ndër vite.
“Kemi një sasi të madhe informacioni dhe kemi zbuluar një numër rastesh. Në varësi të mënyrës se si do të organizohet bashkëpunimi institucional dhe rolit që do të ketë agjencia për rikuperimin e pasurive, ose mund t’i trajtojmë vetë këto raste, ose t’ua kalojmë institucioneve përkatëse”, tha ai.
Qeveria e Peter Magyar ka paralajmëruar krijimin e Zyrës Kombëtare për Rikuperimin e Pasurive, një institucion i ri që do të hetojë rastet e përvetësimit të pasurive publike.
Po ashtu, Magyar ka njoftuar se Hungaria do t’i bashkohet Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), një hap që Orban e kishte refuzuar gjatë gjithë kohës sa ishte në pushtet. EPPO ka kompetenca për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e mashtrimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera që prekin fondet e Bashkimit Evropian.
Komente






