Grupi hetimor që po merret me hetimin e rrëzimit të avionit në Ishëm, i cili do të përdorej për trafik droge po heton edhe mundësinë që avioni të ketë pasur ngarkesë droge në momentin e rrëzimit.
 
Dyshimet e hetuesve kanë lindur pas faktit se në avion janë gjetur disa pjesë të çmontuara dhe disa dëmtime të tjera që mund të shkaktohen vetëm në rast se mbi atë pjesë ka pasur ngarkesë.
 
Gjithashtu në vendin ku u gjet avioni i përplasur hetuesit kanë gjetur edhe gjurmë gomash të mjeteve, që sipas dyshimeve mund të kenë marrë më pas drogën dhe e kanë larguar që aty.
 
Edhe piloti Guido Guidi ka qenë kontradiktor në shpjegimet që ka dhënë përpara hetuesve, por ka mohuar që në avion të ketë pasur drogë. Për shkak të dyshimeve se 65-vjeçari nuk po tregon të vërtetën, Prokuroria ende nuk ka firmosur për të statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Kapja e avionit në luginën e Ishmit, ka detyruar dy shtete Italinë dhe Shqipërinë të kryejnë hetime paralele për të mësuar gjurmët e grupit kriminal që trafikon drogë me avionë nga Shqipëria drejt veriut të Italisë.

Për këtë fakt, sipas akuzës, është kërkuar ndihmë nga zyra e Interforcës italiane në Tiranë për të verifikuar emrat e personave që piloti pretendon se e kanë kontraktuar për të kryer transportin e drogës.

Paraprakisht, mësohet se prokurorisë i është konfirmuar se personat, emrat e të cilëve i ka dhënë piloti italian, janë me precedent kriminal në fushën e trafikut të drogës dhe armëve.

Nisur nga këto të dhëna prokuroria e Barit dhe ajo e Milanos kanë nisur hetimet konkrete për shtetasit italian e shqiptar të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.

Burimet thonë se piloti italian ka treguar për takimet në Milano me shtetas italian e shqiptar të dënuar për trafik droge, si dhe për personat me të cilët është takuar në Shqipëri, në dy rastet e udhëtimit të tij para rrëzimit të avionit.

Por për sa i përket emrave të personave në Shqipëri, piloti italian nuk ka qënë në gjëndje të thotë asnjë emër të trafikantëve, pasi nuk i kujtonte. Por edhe nëse do i kishte treguar, prokurorët dyshojnë se trafikantët shqiptarë mund ti jenë prezantuar me emra të rremë.

d.b/shqiptarja.com