Shpërndarjen dhe shitjen e shtypit të ditës në rrugët e Elbasanit pa harruar të dërgojë gazetat në spitalin e këtij qyteti. Paçka se shpeshherë mungon mirënjohja dhe një falënderim për atë që ai bën, Avniu nuk heq dorë nga kjo rutinë e cila e shoqëron prej shumë vitesh.
Del në qendër të qytetit, pret shtypin e ditës që mbërrin nga Tirana dhe fillon shpërndarjen. Ndonëse “i pashpërblyer”, ashtu siç duhet ai nuk ndalet të vazhdojë ta bëjë atë punë, ose siç e quan ai “detyrimin e tij moral dhe shoqëror”.
“Nuk kemi orar për nisjen e ditës. Gjumin bëjmë copa-copa sepse flemë në terren. Kam mbi 50 vite që e çoj gazetën atje. Pavarësisht që nuk më paguan askush e çoj gazetën me vullnetin tim”, thotë Avniu.
Kur e pyet për familjen, Avniu flet shumë pak dhe ato pak gjëra që thotë,janë të mjegullta. Njeriu tashmë I kthyer në simbol të shpërndarjes së shtypit në Elbasan rrëfen përse jeta e tij rrokulliset rrugëve të këtij qyteti.
“Jetën në fëmijëri e kam bërë shuam të vuajtur. Jam rritur në mëshirë të fatit, prandaj bëra punë objektivisht, punova e kurseva 50 vite për të pasur një shtëpi, por nuk më lan. Mbeta i dyshimtë gjithë jetën duke qen njeriu i vërtetë, punëtorë kursimtarë nikoqir, që dhe shtetit ti jap punën time dhe unë të marr atë që meritoj”, thotë Avniu
Nga bashkëbiseda me Avniun mësojmë se ishte koha e Regjimit Komunist, kur Avniu u mor nga “rruga” dhe u dërgua në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Kundër dëshirës së tij, ai u shtrua atje si i sëmurë mendor. Si për të vërtetuar që ishte diagnostikuar gabimisht dhe gabimisht u shtrua në atë spital, Avniu nuk u nda nga puna, ndonëse vullnetare.
Kjo ishte zgjidhja e vetme për të dalë jashtë atyre mureve që si duket, ja zinin frymën. Në njëfarë mënyre ai u vetëpunësua dhe doli nga Spitali. Mungesa e një strehe e detyroi të jetonte në “rrugë”. Si banesë, zgjodhi ambientet para Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, sepse vetëm aty ndihet i mbrojtur.
“Nuk e kam emrin siç thonë gazetarët endacak. Endacak quhet ai që shëtit fshat më fshat, apo qytet më qytet në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Unë jam në një qytet në mesin e Shqipërisë, nuk kam pse quhem endacak. Unë njeri jam si gjithë të tjerët. Nga jeta më kanë ngelur shumë pengje. Që nuk u martova nuk u gëzova, nuk lash trashëgimtarë. Kush ma bëri këtë? Shoqëria e Qeveria e atëhershme. Pse të jem i dyshimtë unë kur jam punëtorë e kursimtarë. Nga shteti kërkoj të më kthejë parat mua, e mos tu japë burgaxhinjëve para nga fondi i shtetit e shoqërisë, por të më kthejë mua paratë që i kam me djersën e ballit”, Tregon Avniu.
Një njeri me perspektivë, i informuar, i ditur, njeri punëtor, njeri i të gjithëve. Nuk e quan veten të pafat, por fajëson veten që nuk është i zoti të vetëmbrohet. E do jetën, do jetën e drejtë, jetën që ngrihet me sakrifica. Edhe Avniu ka ëndrra, ndonëse në këtë moshë të thyer.
Ka pengje që kanë lënë gjurmë në jetën e tij…
[gallery]24220[/gallery]
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com