Avokati Kujtim Cakrani nuk do të përfaqësojë më Ilir Metën si avokat. Lajmin e ka konfirmuar studioja e tij ligjore duke thënë se marrëdhënia me Metën është mbyllur për shkak të humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.
Kjo shkëputje vjen vetëm pak ditë pas seancës së së mërkurës, e cila u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjatë seancës pati debate për Ardian Shatkun, kushëririn e Monika Kryemadhit, i cili konsiderohet një nga personat kyç të përmendur në dosjen hetimore. Ndërkohë, Meta dhe Kryemadhi shkëmbyen akuza dhe replika në sallën e gjyqit.
Pas asaj seance, vetë Cakrani deklaroi për mediat se nuk bëhej fjalë për një konflikt personal mes ish-bashkëshortëve, por se tensionet kishin lindur gjatë diskutimeve për Ardian Shatkun.
"Nuk duhet ta agravojmë sikur ishte një zënkë, ishte një moment kur u përmend Shatku, dëshmitar kyç, këto lindën sepse nëse Shatku do të ishte thirrur, s’do të kishin këtë konflikt. Shatku përmendet 327 herë në dosje dhe nuk është thirrur, kjo duket siku ka një komplot. Kanë kaluar 20 muaj e 2 ditë dhe nuk dihet ende pse po mbahet. Ishte tension dhe ngritje zëri e Metës, Shatku është kushëriri i Kryemadhit dhe Meta ka mendimin e tij, mendon se ka komplotuar. As Kryemadhi as Shatku s’kanë bërë komplote, e kanë bërë McGonigal, Dumani dhe Kim. Meta ka thirrur dhe Gonigal si dëshmitar sepse ka dyshime se në vitin 2017, ai ka qenë në Shqipëri. Atë vit sapo kishte marrë postin e kreut të Republikës dhe ndaj tij nisi një sulm, ku McGonifal , Yuri Kim dhe kundërshtarë kanë bërë që të jetë në atë gjendje”, tha Cakrani në fund të seancës.
5 ditë më vonë, studioja ligjore "Cakrani' i uron ish-presidentit, të cilin avokati e vlerësoi më herët si më të mirin që ka pasur Shqipëria, të gjejë një përfaqësim të ri ligjor dhe garanton se do të ruajë konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit si avokat.
Cakrani ishte avokati i dytë që Meta mori teksa përballet me drejtësinë që prej tetorit të vitit 2024. Para tij, Meta mbrohej nga Genc Gjokutaj i cili u largua nga mbrojtja me 28 maj të një viti më parë.
Deklarata e plotë për mediat
Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore "Cakrani" nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.
Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore "Cakrani" njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
Studio Ligjore "Cakrani" i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.
Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.
Lajmi në përditësim
Komente






