Tema që ka hapur Ylli Manjani në lidhje me debatin publik në vend, do të duhej të ishte në thelb baza e çdo diskutimi në gjithë forumet e diskutimit në publik.
Ka një kompleks në mjedisin e këtij debati, i cili krejt natyrshëm mbizotërohet dhe është shumë mirë që është kështu, nga kritikë të Edi Ramës dhe kundërshtar të tij.
Ky kompleks që mbizotëron zbulohet se sa flet dikush mbi një mendim, kritikë apo edhe sugjerim mbi opozitën, i ndërpresin diskutimin, e ndalojnë të vijojë elaborimin, duke përdorur aksiomën e njohur: Mos i bëj opozitë, opozitës!
Kështu që përgjithësisht diskutimet bëhen në social, në media të shkruara, ndërkohë në emisionet politike të darkës, ky argument, pra alternativa apo alteregoja programore, ideore, përmbajtësore dhe njerëzore e Edi Ramës në anën tjetër të zallit politik është “mollë e ndaluar”.
Këtu nuk bëhet llaf tek opozita e Sali Berishës, apo aleatët e tij politikë. Pasi kjo opozitë që 14 vjet nuk ka bërë njëherë debat për gjënë më të rëndësishme që një opozitë duhet ta bëjë; buxhetin e shtetit.
Ku në çdo vend ndodh beteja bazë politike e vitit; ku qeveria tregon se si do t’i nxjerrë e si do t’i shpenzojë paratë e taksave, ndërsa opozita jep planin e saj alternativ.
Që nga 2013-a, opozita nuk ka bërë asnjë herë plan si ta mundë Edi Ramën, por si ta rrëzojë. Madje që në ditët e para kur kreu i mazhorancës hyri në qeveri. Natyrisht edhe kjo dëshirë apo plan mund të jetë dialektike, megjithatë në një system alternativ, opozita duhet të mundë mazhorancën, duke krijuar një fytyrë, ide dhe plan të ndryshëm. Ku njerëzit ta imagjinojnë, fis siç thoshte Manjani sot, atë që mund të ndodhë nëse fiton pala përballë.
Madje, ajo që ka qenë më problematikja në gjithë këtë dekadë që po shkon e gjysëm, është se Sali Berisha dhe Ilir Meta, si shtyllat e opozitës anti-Rama, kanë shpenzuar më shumë energii sesi të shmanget përballja elektorale me Edi Ramën me shumë mënyra, sesa ta mundin në betejën elektorale.
Megjithatë, ky fiksim i tyre, që mund të jetë edhe ideologji, koncept, mbrojtjen e të cilit kanë legjitimitet të plotë, as mund të ndryshohet sot e s’ja vlen as të diskutohet.
Është një fakt, që është bërë historik me thënë të vërtetën, i cili përsëritet e përsëritet në çdo cikël krizash, por me ca nuanca të ndryshme. Është bërë pak a shumë si saga që doli me bujë e shkrimtares britanike E. L. James. Bëhet fjalë për “50 hijet” që njëherë bëheshin të kuqe, një herë gri e një herë të zeza, por në fund një muhabet bëhej, nëse mund t’i thuhej muhabet. Ndaj edhe sot e kanë harruar të gjithë.
Sali Berishës, kolonelëve të tij, apo edhe produktit që ai ka nxjerrë në vite e sot i shohim në arqipelagun politik të opozitës, nuk i ndryshohet as mendja, as mentaliteti, as modeli apo koncepti i të bërit politikë e opozitë.
Ata do të vazhdojnë me të njëjtën mënyrë; fut e bjer, shaj e sulmo, shpik e përziej. E në fund paralajmërojnë ngjarje të mëdha javë për javë. Nga më të pabesueshmet: helikopteri që e çon Ramën në Amerikë, arrestimi në Uashington, thirrja në Gjykatë, kapja në Surrel, e të tjera fantazi. Të cilat i ngjajnë atyre predikimeve të hoxhallarëve online që u thonë xhamatit që është mbledhur në një local, se çfarë ëmbëlsirash do të gjejnë në xhenet.
Puna këtu është se mirë Berisha dhe të tijtë e kanë të fiksuar, e shumë mirë punë e tyre ata e dijnë. Po përse në mexhlisin e opinionit publik, në panelet televizive nuk diskutohet, natyrisht soft pa mërzitur njeri, mbi alternativën dhe alteregon e Edi Ramës?
Logjikisht, do të duhet të jenë me interes për publikun, e mund të marrin edhe audiencë. Por sipas gjasave nuk do të ndodhë, ngase debati në emisione nuk është real, ai kanalizohet. Ngaqë është pjesë e axhendës që formëson politika; mazhoranca dhe opozita për të gjetur axhendën e ditës. Nesër? Gjithçka bëhet nga e para, ku planet furnizohen sipas një skeme tjetër.










Komente
Komento